Grabitja e Thesarit, arrestohen Guvernatori Fullani dhe kryeinspektorja Golemi

586
Sigal

Arrestimi me urdhër të Prokurorisë për shpërdorim detyre. Në arkat e vjedhura u gjendën mes 2300 librave, ‘Kurbani’ i Ramës, “vepra” të Fevziut, Blushit, Civicit, Malltezit, Pangos, e Bruno Vespës. Edi Rama: Ja lidhjet e mia me Fullanin!

  Përparim HALILI

 Vihet në pranga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Zyrtarisht mësohet se arrestimi i Guvernatorit është bërë me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, në momentin që ai ndodhej në zyrën e tij pranë sheshit “Avni Rustemi”, tek ish- selia e firmës piramidale “Vefa”. Kërkesa për arrestimin e guvernatorit Fullani, është dorëzuar në orën 16:00 të ditës së djeshme, ndërsa arrestimi i tij është bërë në orën 19:45. Po ashtu, në pranga ka rënë dhe Inspektorja e Përgjithshme e BSH, Elivar Golemi, me akuzën “shpërdorim detyre”, e cila prej dy ditësh ka refuzuar të paraqitet para Komisionit të Ekonomisë… Ndërkohë që, Fullani e vartësja e tij izolohen në qeli, mësohen dhe detaje  të tjera rreth aktivitetit kriminal në thesar, përkatësisht fakti se në arkat e vjedhura janë gjetur libra të VIP-ave të politikës e medias në vend, të vetëvlerësuar nga autorët si ndër librat më të shitur.

DEKLARATA E PROKURORISË
Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjykata ka vendosur masën e “arrestit me burg” për shtetasin Ardian Fullani, me detyrë Guvernator i Bankës së Shqipërisë, si edhe për shtetasen Elivar Golemi, me funksion Inspektor i Përgjithshëm në Bankën e Shqipërisë, të dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal… Në mënyrë të përmbledhur, nga hetimet e deritanishme, rezulton se, shtetasi Adrian Fullani, në cilësinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili është njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës dhe Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i saj, ka shkelur ligjin si më poshtë:
Së pari: Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtpërdrejtë administrimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e akteve procedurale për përdorimin e mjeteve financiare.
Së dyti: Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikëqyrës Nr.13 datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikëqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cenimin e parave.
Së treti: Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikëqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.
Së katërti: Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar.
Së pesti: Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal. Po ashtu, në mënyrë të përmbledhur, nga hetimet e deritanishme, rezulton se shtetasja Elivar Golemi, me funksion Inspektor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë, ka shkelur ligjin si më poshtë:
Së pari: Nuk ka ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë dhe rregullores se departamentit të kontrollit, proces i cili është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm.
Së dyti: Ka vepruar në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës, sa i takon ushtrimit kontroll kontabël të brendshëm, si edhe kontrolle të brendshme periodike për administrimin dhe operacionet e Bankës së Shqipërisë, me qëllim që të sigurojnë mbarëvajtjen e zbatimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore në Bankën e Shqipërisë. Duke mos realizuar kontrolle periodike, nuk i ka dorëzuar Këshillit Mbikëqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë.
Së treti: Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë që Departamenti i Kontrollit nuk ka ushtruar auditim financiar periodik në Departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore ku dyshohet se është kryer vjedhja.
Së katërti: Në bazë të komunikimit shkresor, në kuadër të këtij procedimi penal, rezulton se Inspektori i Përgjithshëm nuk i ka ushtruar funksionet e tij, pasi veç raportit të vitit 2011 dhe projekt-raportit të vitit 2014, nuk ka mbajtur asnjë raport apo audit në arkën për veprim dhe në arkën stok, pikërisht në arkat ku i dyshuari kryesor për vjedhjen ka deklaruar se ka marrë shumën e madhe të parave.

  DETAJE NGA GRABITJA

Ndodh që edhe brenda një krimi të shëmtuar, ka detaje e doza humori. Kjo ka ndodhur me krimin e rëndë financiar të datës 25 korrik 2014, të inskenuar “me heshtje kolektive” prej zyrtarëve të lartë të Bankës së Shtetit Shqiptar. Brenda këtij krimi, ka një “mjet” humori që është përdorur për të realizuar krimin. Cili është ky “mjet” e detaj humori? Deri tani është deklaruar nga (ende) Guvernatori Ardian (Adrian) Fullani, se në Bankën e Shtetit Shqiptar janë vjedhur 7.13 milionë dollarë. Vazhdon të thuhet nga zëra brenda e jashtë depove të boshatisura të Thesarit, se janë vjedhur më tepër. Ka një kronologji interesante ky skandal. Është deklaruar nga i vetëshpalluri hajdut Ardian Bitraj, se miliardat e vjedhura, i ka lënë në bixhoz. Nga grupi hetimor thuhet, se Ardian Bitraj është treguar “i ndershëm” dhe e ka denoncuar vjedhjen me dëshirën e tij, duke njoftuar Drejtorin e Thesarit dhe Guvernatorin. Politika majtas e djathtas, deklaroi se “vigjilenti” që e zbuloi dhe e denoncoi i pari vjedhjen ishte Guvernatori Fullani. Ajo për të cilën, mund të themi se përbën pjesën e “humorit” në këtë krim është fakti, që dy Ardianët Bitraj e Fullani, kanë deklaruar se në “sëndukët” e bankës, në vend të Thesarit të Shtetit, janë futur e janë gjetur libra. Ajo që nuk po thuhet akoma nga guvernatori, nga kontrolli i brendshëm i bankës dhe nga grupi hetimor është pjesa e humorit që ka shoqëruar këtë krim financiar. Të çfarë “tematike” e të cilëve autorë janë librat me të cilët janë konvertuar 7.13 milionë dollarët e vjedhur? Këtë kuriozitet shqiptarësh, që vazhdon të jetë “temë” bisedash humori e tallje nëpër kafene, tregje, rrugë, autobusë linjash, në qendra pune e zyra shteti, po ua heq gazeta “Telegraf”, duke publikuar një informacion të ardhur në redaksi, prej burimesh nga brenda kupolës së bankës (“bandës”) “Fullani”. Ky informacion “dëshmon” për titujt e librave që janë janë futur e gjendur në “sëndukët” e Thesarit të Bankës “Fullani”, të përdoruar fizikisht si “bono thesari” (letër me ngjyra), për të zëvendësuar miliardat e vjedhura. Sipas informacionit, në “sëndukët’ e thesarit të shtetit, janë gjetur libra artistikë, historikë, studimorë, shkencorë, analitikë, metodika e deri përvojash seksuale. Madje nuk është sajesë për efekt humori, por në vend të lekëve janë gjetur edhe 27 kopje të librit me titull: “Gjithë populli ushtar” dhe 16 kopje të librit me titull:  “Veteranët tregojnë” (të cilët po i publikojmë). Futja e këtyre librave ose është bërë për nostalgji,ose për shkak të peshës fikse që i është dashur Ardianit gjatë zëvendësimit të parave,o se u ka blerë për t’i lexuar rojet, meqenëse, ata janë në moshë dhe dihet se policët privatë tek ne kanë nostalgji për to.  Në listën e librave që janë përdorur për të “konvertuar” miliardat e vjedhura, rezulton se janë afro 2200 libra shkrimtarësh, poetësh, historianësh, politikanësh, profesorësh të ekonomi-financës, madje dhe studime adoleshentësh e libra përvoje seksuale, nga autorë “profesionistë terreni” të kësaj fushe. Në “sëndukët” e bankës “Fullani”, të tjetërsuar në arka librash si në bibliotekat e rënuara të disa shkollave, janë futur 35 autorë librash të çdo gjinie e fushe. Ndër këto emra, 17 janë të njohur për shqiptarët, mbasi botimet e tyre kanë krijuar edhe debat publik. Mes 2040 librave të përdorur si “bono thesari letër” për të “konvertuar” 7.13 milionë dollarët e grabitur në Bankën e Shtetit, janë edhe “vepra” të Blendi Fevziut, Ben Blushit, Adrian Civicit, Henri Çilit, Edi Ramës, Ylli Pangos e deri tek program i qeverisë “Berisha”. Por gjendet edhe një vepër e gazetarit e moderatorit të mirënjohur italian Bruno Vespa. Këto “vepra”, janë blerë me financat e bankës së shtetit, prej autorëve me këtë “zë” shpenzimesh: Pasurim me literaturë kualifikuese të bibliotekës të Bankës së Shtetit”. Këto “vepra”, janë blerë prej autorëve, me urdhër të (ende) Guvernatorit Fullani, i cili ka të drejtën e vetme sipas Statutit të Bankës së Shqipërisë (Neni nr. 9), për të lëshuar urdhra shpenzimesh, emërimesh e largimesh nga puna, blerjesh e shpërblimesh, transfertash e operacionesh financiare brenda e jashtë Shqipërisë. Librat e autorëve  miq e bashkëpunëtorë të Fullanit, por edhe familjarë politikanësh, të blerë “për bibliotekën e bankës” nuk kanë përfunduar si “mallra” në bibliotekën e bankës në depot e sigurisë së thesarit. Po aty, ashtu të lidhur në pako të pa hapura, këto libra-mallra janë përdorur sistematikisht “me peshë”, si letër për mbushje të “sëndukëve” të zbrazur të thesarit të shtetit. Kishte një saktësi të madhe në zëvendësimin e lekëve, me librat. “Ustai” Ardian Bitraj vepronte kështu: Aq sa kilogramë dollarë nxirrte nga arkat, aq kilogramë libra fuste në vend të lekëve. Sipas informacionit, në “sëndukët” e thesarit figurojnë 420 kopje të “veprave” të anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të bankës, profesor Adrian Civicit, me këta tituj: “Iluzionet monetare”, “Kriza Financiare, Globalizmi…”, “Shteti, apo tregu..”? Të përdorur si “letër mbushëse”, janë edhe 700 kopje të “veprave” të Blendi Fevziut, me këta tituj: “Jeta ime”, “Piedestale pa statuja”, “Enver Hoxha”, “Hiri i vullkanit”, “100 vjet”. Në “bibliotekën” që Bitraj krijoji prej 4 vitesh me qetësi e “merak”, gjenden edhe 450 kopje të “veprave” të Ben Blushit, me këta tituj: “Hëna e Shqipërisë”, “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi Vlorës” dhe “Shqipëria”. Në “letër mbushëse”, për të “konvertuar” 7.13 milionë dollarët e vjedhur, “bibliotekari” Ardian Bitraj nuk ka harruar të “arkivoj” edhe 200 kopje, të librit “Kurban” të Edi Ramës. Pasi janë hapur “sëndukët” e thesarit të bankës, ka rezultuar se brenda tyre ishte futur edhe një numër kopjesh të “veprës” së Henri Çilit, me titull “Kundër-Reforma”(Refleksione politike shqiptare). Lista e “veprave”, vijon me librin e autores Grida Duma, me titull: “Fëmijëria menaxheriale”. Madje në këto “sëndukë” nuk mungojnë edhe  studimet qe Banka Botërore ka bërë së bashku me Jamarbër Malltezin dhëndrin e ish-kryeministrit Berisha për vijën bregdetare. Ndërkohë që nuk mungonte edhe guida turistike e ministrisë së kulturës ,shqip-anglisht si dhe  27 kopjo të kushtetutës, të cilat duke qenë të vogla nevojiteshin për të plotësuar gramaturat e librave të mëdhenj.  Është për të qeshur e për të qarë, kur mëson se për të zëvendësuar miliardat e vjedhura është përdorur edhe libri i gazetarit të njohur italian Bruno Vespa, me titull: “Dashuri dhe pushtet”, botuar nga UET, në përkujdesjen e gazetares Beti Njuma dhe të botuesit Henri Çili. Dhe humori e banaliteti brenda këtij krimi të rëndë financiar, shtohet, kur mëson se brenda arkave të Thesarit të Shtetit është gjendur edhe “kryevepra” e autorit Ylli Pango, me titull “Zogu i Zi” (Histori, personazhe dhe përvojë nga ish-shtëpia publike e Tiranës e viteve ‘30), përzgjedhur e blerë prej bankës, pa motivuar se për çfarë “përvoje” i shërben kualifikimit të drejtuesve e punonjësve të bankës së shtetit, kjo “vepër” me histori seksuale bordellosh të përpara 80 viteve. E si për ta ironizuar pasigurinë në bankë-rrumpallën “Fullani”, “usta” Ardian Bitraj kishte futur në shenjë talljeje edhe librin “Studime e përvoja bashkëkohore të sigurisë fizike e monetare në banka” si dhe Rregulloren e Brendshëm të Bankës të cilën prokuroria po e kërkonte sapo shkeli tek Banka thesar. Fatkeqësisht  akti normative ishte tek arkat ku duhet të ishin paratë ,por që ishin zëvendësuar në mënyrë ironike prej asaj, që garantonte  ruajtjen dhe jo rruajtjen e tyre.

 STATEGJIA E BANKËS

 Pritet që Bordi i Bankës në kuadrin e strategjisë financiare të paguajë për promovimet e librave të cilat zëvendësuan paratë duke i konsideruar disa si ikona dhe disa si relike. Në këtë mënyrë vlera e tyre do rritet dhe nga kjo rritje do zëvendësohen një pjesë e mirë e parave të vjedhura. Shitja do bëhet nëpërmjet rrjeteve sociale si Facebook, Twiter dhe ankandit pikërisht në ditën që do jetë edhe ankandi i bonove të Thesarit të Bankës Qendrore ose shkurt BQ.

 Ja çfarë shkruan Edi Rama në librin ‘Kurban’ për Fullanin

 …Ku, në çfarë pike të botës së lirë do të ndodhte që kundërshtarët politikë të merreshin me trupin e njëri-tjetrit, me babanë, nënën, gruan, vajzën, djalin, motrën a vëllain e njëri-tjetrit, kur askush nga këta s’do të kishte lidhje e as punë me punët që përfaqësimi politik u cakton kundërshtarëve në qeveri a opozitë, po njëkohësisht ku, në ç’vend, mund të ndodhte në arenën politike të botës së lirë që kundërshtarët të mos merreshin me cenimin e in­teresit publik përmes fuqisë së pushtetit të deleguar in- formalisht përmes lidhjeve të gjakut? Si mund të ndodhte në një vend të Europës së Bashkuar që pas derdhjes së tërë mynxyrave mendore të kryemini­strit gjuhustër mbi të ëmën e kryetarit të opozitës, gruaja e moshuar e dhunuar verbalisht nga kryetari i qeverisë të dhunohej moralisht edhe në gjykatë, me motivacionin që kur zgjidhi gojën nga zinxhirët e etikës kryeministri ishte në krye të detyrës, prandaj padia për shpifje për shkak të detyrës nuk qëndron? Askund, në asnjë rast, për asnjë arsye politike në botë, njerzillëku nuk ia le vendin kafshërisë në jetën publike e politike të cilitdo vendi ku votohet lirisht e ku njerëzit kundërvendosen në frontet e alternativave jo në barrikadat e gërdisë gojore, ashtu sikundër as që mund të imagjinohet në botën e lirë një kryegjyqtare e lartë si Ariana Fullani, që përballë një gruaje pensioniste si nëna ime, e cila detyrohet të marrë rrugën e gjyqit për të mbrojtur jo djalin po dinjitetin e saj të cenuar publikisht, të nxjerrë të pafajshëm dhunuesin kryeministër e të kthejë mbrapsht në shtëpi qytetaren që s’kërkonte asgjë përveçse t’i tregonte opinionit publik se nuk kishte asnjë të vërtetë në akuzat lehëse të Kryeministrit ndaj saj dhe se ajo s’kishte asgjë për të rrëfyer publikisht nga “të vërtetat” e kllamisura prej Saliut në foltoren e turpit të asaj nate kuvendore.

S’do ta kisha përmendur emrin e Arianës (Fullani), nëse s’do të ishte në mes miqësia e saj me nënën time, miqësia jonë e vjetër familjare me familjen Fullani, fakt që e bëri edhe më tronditës për time ëmë dhunimin në sallën e gjyqit, ku zonja Fullani, për arsyet që ajo i di, po që s’është e vështirë të merren me mend në këtë vend, zgjodhi të bënte një padrejtësi të madhe duke fyer ligjin dhe moralin kushtetues të barazisë para ligjit në gjykimin e një çështjeje që kishte vënë përballë arrogancën e xhindosur të pushtetit me brishtësinë e një gruaje 71- vjeçare që kërkonte me krenari, mbrapsht, vetëm dinjitetin e rrëmbyer peng nga ekrani faqe e gjithë shqiptarëve. Në mungesë të këllqeve për të marrë anën e ligjit, mundet fare mirë t’ia kishte kursyer vetes këtë turp gjykatësja e lartë, duke u tërhequr së paku me pretendimin e konfliktit të interesit, pikërisht për shkak të lidhjes në miqësi me Anetën, gjë që në rrathët e shthurur të moralit qytetar e profesional të inteligjencës së sotme shqiptare, ku për të ngrënë përsheshin e pushtetit, qetësia guhake mbi karrige vjen përpara ruajtjes së normave të atij morali, s’do kishte qenë tekembramja fundi i botës, por banaliteti i së keqes së futur thellë në shpirtrat e dobët edhe pa qenë hiçfare nevoja, siç qe për vdekatarët e zakonshëm në kohën e gjyqeve të diktaturës së proletariatit a për gjykatësit e asaj kohe, e bëri Arianën të zellshme në shlyerjen e turpit të foltores së Kuvendit të Shqipërisë me turpin e çekiçit të Gjykatës së Lartë. S’është as turpi i parë e as i fundit i një gjykate të Shqipërisë së Saliut. Në konopin e gjatë të turpit të sistemit të sotëm të drejtësisë shqiptare që është lidhur fyt në qafën e çdokujt ndër shqiptarët që rruga e jetës u sjell ndesh padrejtësinë e veshur me pushtet a të ushqyer me para të pista kjo e nënës sime është një dramë e vogël, e pakrahasueshme me dramat e grave të veshura zi, që sikterisen si lebrose e tutje nga dyert e gjykatave me vendime shfajësuese për zhdukësit e fëmijëve e burrave të tyre, me dramat e nënave që rihapin vajin kur gjykatat u japin pafajësi vrasësve të djemve e mostrave që u kanë përdhunuar vajzat, me dramat e burrave që gjunjëzohen si kuaj të qëlluar në gjoks nga çekiçët që bien për t’i zhveshur prej të drejtave që më kot kërkojnë në gjykatë në emër të Kushtetutës, të ligjit, të pronës së të parëve a të dinjitetit të nëpërkëmbur dhunshëm prej shtetit, ose horrave që mbrohen nga shteti si simbole të pandëshkueshmërisë në këmbim të favoreve të errëta që u bëjnë të pandëshkueshmëve në pushtet, me dramat e shqiptarëve të zakonshëm që nuk e kanë djalin a babën biznesmen e s’mund ta lyejnë rrotën e Tomës a shtyjnë karrocerinë e Sashenkës me para për t’i ikur padrejtësisë që u kap këmbët e s’i lëshon, po i lidh në sallat e gjyqeve dhe pastaj i hedh në lumin e të dëshpëruarve…

(Shkëputur nga libri ‘Kurban’ i Edi Ramës, faqet 341-343)k