Sali Lushnjari: Autostrada Tiranë-Elbasan, së shpejti ulet çmimi i biletës

651
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, Kryetari i Shoqatës së Taksive 8+1 në qytetin e Elbasanit

Pak ditë më parë u hap tuneli Elbasan – Tiranë, por a ka ndikuar kjo te linjat e furgonave për uljen e biletës së kësaj linje dhe a kanë përfituar qytetarët e Elbasanit nga kjo autostradë e re këtë e sqaron në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Kryetrari i Shoqatës së Taksive 8+1, Sali Lushnjari. Lushnjari shprehet se, edhe për ca kohë nuk do të ketë ulje të biletës së linjës Elbasan –Tiranë duke shpjeguar edhe arsyet pse. I pyetur se sa ka ndikuar hapja e tunelit tek shoferët ai shprehet se, tek ata ka ndikuar vetëm në shkurtimin e kilometrave dhe të heqjes së vështirësive të dimrit që Kërraba kishte. Gjithashtu, Lushnjari flet për furgonat pa licenca duke theksuar se, në Elbasan nuk ka polici as shtet dhe as bashki.

Z.Lushnjari me hapjen e tunelit do të kemi ulje të çmimit të biletës për linjën e furgonave Elbasan-Tiranë dhe anasjelltas?

Tani për tani nuk do të kemi ulje të çmimit të biletës, sepse deri tani vetëm tuneli është hapur ndërsa nga Kafja e Kiut deri në Tiranë vazhdojmë nga rruga e vjetër, por me mbarimin e rrugës  përfundimisht atëherë mendojmë se do ta ulim biletën. Pasi tani nuk na leverdis se është nafta 18 lekë, sepse punëtori i karburantit na e jep me 20 pasi i vjedh litrat, kështu që nuk ja vlen. Më vonë sigurisht që ky hap i rëndësishëm do të ndërmerret.

Sa ka ndikuar hapja e tunelit te ju si shoferë të kësaj linje?

Tek ne si shoferë ka ndikuar shumë pasi na ka shkurtuar rreth 8Km rrugë dhe na ka hequr të gjithë ato vuajtjet e dimrit. Pasi gjatë stinës së dimrit ne nga Kërraba hiqnim vështirësi të mëdha si bllokimin e rrugëve nga bora dhe ngrica, ku shpesh herë detyroheshim të përdornim zinxhirët dhe më keq akoma kishte raste që i binim nga Durrësi dhe kështu pasagjerët do të vonoheshin dhe një ore e ca më shumë, por dhe ne do të harxhonim më shumë karburant. Përveçse ka ndikuar për punën tonë për shoferë, tuneli është një gjë shumë e bukur edhe për qytetarët elbasanas për arsyen se janë rreth 3 mijë student që janë me qira në Tiranë. E them këtë pasi udhëtojnë me ne çdo fundjavë, por përveç studentëve ka edhe  të punësuar në Tiranë dhe me hapjen e tunelit unë mendoj se, shumica e tyre s’kanë pse të paguajnë më qiratë në Tiranë, ata fare mirë mund ta bëjnë çdo ditë vajtje-ardhje, për të ulur në këtë mënyrë edhe shpenzimet ekonomike.

Cili është problemi më shqetësues për ju si linjë furgonash Elbasan- Tiranë?

Shqetësimi më i madh për ne është se në Elbasan nuk ka polici as rrugore dhe as bashkiake. Sidomos ajo bashkiake nuk duket fare. Janë afërsisht rreth 52 makina 6+1 që janë makina familjare dhe dalin dhe punojnë pa licencë fare dhe vendin e parkimit e kanë te sheshi para turizmit dhe kjo sjell dhe mos uljen e çmimit të biletës. Pastaj dhe kur ndodhin aksidente faji na mbete neve pasi shoferët e këtyre  makinave nuk kanë as patenta përkatëse dhe asnjë letër dhe dalin dhe punojnë pa e vrarë mendjen fare. Kjo ndodh se nuk ka polici që të dali dhe t’i kontrolloi dhe t’i bllokoj apo tu vendosi gjoba, pra policia duhet të veprojë sipas ligjit dhe jo si u do qejfi atyre. Problem tjetër që ne kemi shumë shqetësues dhe madhorë është se vetëm Elbasani nuk ka licenca dhe ne duhet ta dimë këtë duke pyetur Kryetarin e Bashkisë. Pse nuk ka z.Sejdini? Kemi shkuar dhe jemi interesuar, por na thonë jo ndryshoj ligji jo sot dhe jo nesër na sorollatin dhe nuk na japin një përgjigje. Dhe një tjetër problem i joni është se furgona tona në rrethet Peqin, Lushnje dhe Fier nuk hyjnë dot brenda në qendër, ndërsa furgonat e këtyre linjave në Elbasan futen deri në qendër të qytetit.