Nga Naun Kule / QËLLO EDHE NJËHERË PA TË SHOHËSH…!

675
Sigal

Deputeti flet. Djersitur nga vapa dhe shkumosur nga pasioni oratorik, flet e flet pa kuptuar se ka humbur kontrollin mbi zërin dhe gjestet. Madje shpesh edhe mbi fjalët. Tjetër nis dhe tjetër sos… Veçse  çdo fjalë dhe fjali e tij është një premtim. Premtime pafund, pa kufi e kandar. Dhe, dihet, premtime të tilla, bëhen  pa asnjë hesap, pa llogari a financim…

-Po lekët, fondet, ku do gjenden…? pyesin zgjedhësit.

-Nga dheu do t’i nxjerrim!…Hajdutëve  do t’ua marrim! Po, po! Hajdutëve të pasuruar  me djersën  tuaj. Me  djersën e djemve tuaj emigrantë  nëpër botë…Tani…Sot…u erdhi fundi. Erdhi dita t’i paguajnë të gjitha. Po, erdhi…! Ja, data 23 Qershor…Votoni numrin 107! Votoni partinë tuaj…Shpëtimin tuaj nga të gjitha të këqijat e kësaj bote…!

Brohoritë dhe duartrokitjet mbushin sheshin. Deputeti  përkëdhelet  dhe nxitet  në  delirin e heroit.

Banderolat, flamujt, fotot e zmadhuara, të varura gjithkund, i shkelin syrin njëra- tjetrës nga kornizat me lustër. Gjithçka me lustër. Gjithçka e shkëlqyeshme, e shkëlqyer, deri në mashtrim…!

Se, zotimet, premtimet pafund, s’ka kandar që i mban e peshon më. Domethënë se bëhen veresie, pa hesapet e duhura se si e qysh do kthehen në fitore edhe për këta njerëz, që   duartrokasin dhe besojnë… Deputeti vazhdon. Po ato fjalë, po ato premtime, po ato gënjeshtra të bukura me të cilat na ka joshur dhe përgjumur sot e kaq vjet.

Deputeti ka ca vite e mandate që  mburret dhe majmet me votat tona. Në mandatin e parë ia bëmë hallall. Na premtoi qiell e tokë, shi dhe diell.   Ia dhamë votën dhe pritëm e pritëm por…Hiç! As dukej ndër ne, as dëgjohej në kuvend. I zënë me punë më të mëdha…?! Mirëpo erdhi sërish dhe ja, njësoj.

 Kështu para dhjetë vjetësh, para katër…Merr guximin dhe numëron e premton po ato. Shkoqur dhe troç, na gënjen. Dhe ne i besojmë e i hamë gënjeshtrat e tij siç…Dhe i duartrokasim…! Mirëpo, sa më shumë gënjeshtra të tilla, aq më shtrënguar dhe shtrenjtuar jetesa jonë. Kjo sepse gënjeshtrat e deputetëve sot,  pjellin  gënjeshtrat e qeverisë nesër…

Atëherë, kush e ka fajin?  Dy palët?  Ai gënjen që të fitojë. Ne duartrokasim fitoren e tij. Paçka që  e dimë  se fitorja e tij, është gënjeshtra e radhës. Siç ishte ajo para tetëmbëdhjetë, tetë a katër viteve. Po për  deputetin, a do jetë  kjo, fitorja e radhës? S’e di. Deputeti rreh gjoksin, i sigurt  në  besimin tek ne…!?

Veçse duke dëgjuar premtimet e tij veresie,   shoqëruar me brohorimat dhe duartrokitjet frenetike të mitingashëve, të sjellë me autobusë nga qytetet fqinj, sepse m’u kujtua ajo rrëfenja e pleqve për atë  i cili,  qëlloi shokun  me pëllëmbë.  Tjetri, në vend që t’ia kthente pëllëmbës me pëllëmbë, i thoshte:

 “Pa qëllo dhe njëherë pa të shohësh, ç’të të bëjë unë…! Ai prapë e qëlloi. Ky prapë:- Qëllo  dhe njëherë pa të shohësh… Ai prapë dhe ky prapë: “Qëllo dhe njëherë pa të…”

Ky soj deputeti gënjen prapë e prapë e prapë dhe ne, si leshko, besojmë prapë e prapë… e…?  Madje, edhe e brohorasim?! Gjer kur kështu? Edhe  sa mandate do t’i themi gjoja të zgjedhurit tonë që erdhi sërish të bëjë zanatin, “Sill dhe një herë pa të shohësh…!?”

Kur do bëhemi zotër të vetes dhe votës tonë,  për t’ju thënë sikter këtyre sojsëzëve, deputetë  e qeveritarë, që e lanë Shqipërinë prapa botës edhe pas njëzetë vjetësh demokraci?