Sali Berisha: Letër e hapur, drejtuar Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Sir Alastair King-Smith!

250
Sigal

Leter e hapur drejtuar Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Sir Alastair King-Smith.

Nga Sali Berisha.

Dje, ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë që ju drejtoni, reagoi ndaj deklaratës sime për shpalljen “non grata” nga autoritetet e vendit tuaj.

Në mungesë të fakteve, në vend të ndjesës publike, në këtë reagim mbrohen shpifjet vulgare të letrës në emër të Sekretarit të Brendshëm, në të cilën unë akuzohem për korrupsion, d.m.th. përdorimin e pushtetit për pasurimin tim dhe të rrethit tim, për të cilat nuk keni sjellë dhe nuk do të mund të sillni kurrë, asnjë provë dhe fakt të vetëm, për arsyen e thjeshtë se nuk ekzistojnë.

E vetmja gjë konkrete që përmendet në atë letër për korrupsionin është shtetasi britanik Damir Fazliç, ish-këshilltari im elektoral në ekipin e BGR në zgjedhjet e vitit 2005, të cilin sipas letrës, unë e kam pasuruar dhe mbrojtur kur ndaj tij dolën prova inkriminuese.

Në fakt, 14 vite më parë, prokuroria shqiptare e hetoi sipërmarrësin në fjalë për një kohë të gjatë duke nxjerrë përfundimin se nuk kish mundur të provonte asnjë nga shkeljet e pretenduara për të.

Më lejoni të theksoj se e gjithë historia lidhet me sjelljen e kapitalit privat të Fazliç për investim direkt dhe jo për lidhje me tendera apo kontrata publike.

Për më tepër, gjate 9 viteve që prej largimit tim nga qeveria, nëse do të kish pasur shkelje, prokuroria ka pasur mundësi të hetonte përsëri, por asnjëherë një gjë e tillë nuk është bërë për faktin e thjeshtë se hetimi i parë, ndonëse i plotë e i thelluar, nuk gjeti asgjë të jashtëligjshme.

Ndaj, dëshiroj t’ju pyes, a është i dënuar në vendin tuaj z. Fazliç dhe nëse jo, si mundet jurisprudenca dhe etatizmi shembullor britanik, të transferojë barrën e një fajësie të paqënë nga një subjekt i Madhërisë së Saj, tek një subjekt i një juridiksioni sovran si ai i Shqipërisë?

Nëse Fazliç është i lirë nga barra e fajit në vendin tuaj, si mund të përdoret faji i bashkëpunimit me të në një domain tjetër ligjor dhe institucional?!

Absurde, për të thënë më të paktën!

Nëse Shkëlqesia Juaj ka prova inkriminuese për shtetasin tuaj, ligji ju detyron t’i dërgoni ato para drejtësisë shqiptare ose angleze dhe jo të tirrni shpifje publike pa sjellë asnjë argument.

E gjej tendencioz dhe absurd, përdorimin për akuza ndaj meje të emrit të një qytetari britanik i cili nuk ka qenë kurrë i dënuar në vendin tim dhe në dijeninë time, as në vendin tuaj, dhe që nuk ka përfituar kurrë as dhe një cent nga qeveria ime e për më tepër, pas largimit tim nga pushteti ka vijuar të bëjë investime të rëndësishme në Shqipëri.

Me këtë rast, ju vë në dukje se përdorimi për të më akuzuar mua për korrupsion i emrit të një qytetari britanik i cili nuk ka qënë kurrë i dënuar në vendin tim dhe në dijeninë time, as në vendin tuaj, përbën një fyrje për çdo shqiptar, çdo britanik, çdo europian, çdo amerikan dhe për çdo qytetar të botës që beson në presumimin e pafajsisë, parim ky i sanksionuar që nga Carta Magna, dhe pas saj, në të të gjitha dokumentat e tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut por që ju ja mohoni një qytetari të vendit tuaj me qëllim shpifjen ndaj një personi tjetër.

Kjo përben një skanadal të rëndë dhe akt të mirfilltë korruptiv që ka për qëllim final të zgjasë ditet e qeverisë më të korruptuar dhe inkriminuar të Europës. Me këtë rast, dua t’ju siguroj ju dhe qeverinë e Madhërisë së Saj për të cilën ruaj respekt të vertetë, se me të gjithë mundësitë e mia modeste, nuk do resht së luftuari për të bindur shqiptarët se korrupsioni, krimi i organizuar dhe shitblerja e votës janë armiqtë e lirisë, demokracisë, dinjitetit dhe të ardhmes së tyre.

Shkelqësia Juaj, nuk po ndalem të komentoj akuzën tuaj politike për lidhjet e mia me krimin pa sjellë asnjë fakt pasi për këtë flet shumë më gjatë e më thellë heshtja juaj për rekordet më të zeza të narkoqeverisë që po zbras Shqipërinë më shumë dhe më shpejt sesa një luftë. Por, ju bëj me dije se jeni zyrtari i parë në botë që e thoni një gjë të tillë dhe se akuza të tilla nuk janë artikuluar ndonjëherë as nga kundërshtarët e mi, lidhjet e të cilëve me krimin e organizuar i kam denoncuar dhe vazhdoj t’i denoncoj çdo ditë.

E mbyll këtë letër me lutjen dhe kerkesën time për Shkelqësinë Tuaj, Ambasador King-Smith dhe qeverinë e UK, që çdo provë, fakt apo dokument që dispononi apo që mund të siguroni nga kushdo në botë, ti paraqisni pranë gjykatave shqiptare ose britanike.

Me konsideratë,
Sali Berisha