Sigal

Zyrtarët e Bashkisë Kukës kanë pranuar vendimin për taksën e Rrugës së Kombit e vendosur për qytetarët kuksianë.

Pak ditë para nisjes së aplikimit të taksës, kreu i Këshillit Bashkiak, Gjelbrim Shehu ka shprehur dakordësinë për tarifat e rinegociuara nga qeveria për banorët e zonës. Ndonëse çështja ishte sot në rendin e ditës për t’u diskutuar, për mungesë kuorumi mbledhja nuk u zhvillua.

Në deklaratën e Shehut thuhet se çështja e tarifës së rrugës së Kombit quhet e mbyllur dhe nuk do të jetë më pjesë e rendit të ditës pas reflektimit të qeverisë. Ai vlerëson se tarifa është e pranueshme dhe e përballueshme nga të gjithë

“Në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Bashkisë Kukës bëj me dije opinionin se mbledhja e Këshillit Bashkia e thirrur sot më datë 13.09.2018, nuk u zhvilluar për mungesë kuorumi.
Lidhur me pikën e fundit të rendit të ditës që ka të bëjë me analizën, diskutimin mbi vendosjen e tarifës së rrugës së Kombit sqaroj se kjo çështje quhet e mbyllur dhe nuk do të jetë më pjesë e rendit të ditës së mbledhjeve të Këshillit të Bashkisë pas reflektimit nga ana e qeverisë shqiptare dhe Koncesionarit, të tarifës prej 100 lekësh e caktuar për banorët e qarkut Kukës, e cila është e pranueshme dhe e përballueshme nga të gjithë.
Theksoj se erdhëm në këtë zgjidhje përfundimtare pas negociatash të vazhdueshme me Qeverinë Shqiptare, Koncesionarin dhe grupet e interesit në të mirë të interesave të banorëve dhe qytetarëve të qarkut Kukës.
Ju faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin!
Kryetari Gjelbrim Shehu”, thuhet në deklaratën e Kryetarit të Këshillit Bashkiak Kukës.