Ngrijnë “sigurimet”, i vetmi segment me interes rinovimi i kontratave të shëndetit

352
Sigal

Kohët e vështira të koronavirusit, me detyrimin e karantinimit të popullatës brenda shtëpive, kanë bërë që disa tregje të mbeten “të ngrira” pa afat.

Burime pranë kompanive të sigurimit thanë se, prej rreth një jave ka pak interes për produktet e këtij tregu dhe i vetmi segment me ecuri është ai i kontratave të sigurimit të shëndetit. Edhe në këtë rast bëhet fjalë për rinovimin e atyre ekzistuese, për të cilin individët kanë nxituar ta bëjnë. Ndërsa segmente të tjera të lidhura si me sigurimin motorik të detyrueshëm apo vullnetare, mbeten pa ndonjë zhvillim dinamik.

Kompanitë bëjnë të ditur se aktualisht po punohet me staf të reduktuar nëpër zyrat e tyre. Për një pjesë që punën mund ta bëjë nga shtëpia është opsioni i “smart ëorking”. Situata, sipas kompanive, është e vështirë. Dilema që shtrohet para është sesa do të zgjasë kjo situatë, ku çdo ditë që kalon përkthehet në humbje, teksa mbetet gjithmonë aktiv detyrimi për të paguar kostot nga pagat e punonjësve tek taksat.

Sigurimet e shëndetit ofrohen nga shtatë kompani në treg ndërkohë që në total janë 11 kompani sigurimi që operojnë në treg. Të dhënat zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se primet e shkruara bruto për sigurimet nga aksidentet dhe shëndeti ku përfshihet edhe kjo pjesë për janarin e këtij viti ishin 111.8 milionë lekë me një rritje 10.38% në raport me janarin e vitit 2019.

Të ardhurat totale nga primet e shkruara bruto të sigurimit për janar 2020 kapën vlerën mbi 1,375 milionë lekë, ose 9.63% më shumë se në janar 2019. Gjatë janarit 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 101,420, me një rritje 10.04% krahasuar me janar 2019. Tregu, sipas AMF, vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 93.06% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 6.94% .

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut, sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 37.17% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 62.83% të totalit të tregut.