Rriten me 72% tarifat e paketave të telefonisë celulare

910
Sigal

Skandali: AKEP bëhet dorëzanës i kompanive celulare, të cilat vjedhin xhepat e shqiptarëve

Rriten me 50-72% tarifat e paketave ditore e javore të telefonisë celulare

Jakup B. GJOÇA

Operatorët e telefonikë celulare kanë shtrenjtuar muajin e fundit çmimet e ofertave për telefoninë me celular me parapagesë për paketat ditore dhe ato javore, ndërsa kanë mbetur të pandryshuara ato mujore.

Ja shtrenjtësimi i tarifave nga çdo kompani

Rritje kanë aplikuar të tre operatorët në treg. Ky shtrenjtim varion nga 50% për paketat ditore dhe në 67-72% për ato javore. I pari ishte Vodafone i cili në fund të muajit janar rriti ofertën javore nga 300 në 500 lekë, me një shtrenjtim prej rreth 67%. Ndërsa paketa ditore u rrit nga 100 në 150 lekë, ose 50% më shtrenjtë. Edhe Albtelecom shtrenjtoi në 14 shkurt paketat ditore dhe javore. Paketa ditore u rrit nga 100 në 150 lekë dhe ajo javore nga 300 në 500 lekë. I fundit që reagoi ishte Telekom Albania. Paketa ditore u shtrenjtua ditët e fundit nga 100 në 150 lekë dhe ajo javore nga 290 në 500 lekë (shtrenjtim 72%).

Tarifat mujore nuk ndryshojnë, sërish janë të shtrenjta

Tarifat e paketave të tjera mujore kanë mbetur të pandryshuara. Vodafone ofron paketa club 30 ditë, që luhaten nga 800-2,200 lekë, në varësi të minutave dhe internetit të përfshira në të (maksimumi i internetit të ofruar është 12 giga për paketat gold që kushtojnë 2,200 lekë në muaj). Paketat 30 ditore të Telekom variojnë nga 800 në 2,000 lekë (maksimumi i interneti është 10 giga për paketën extralarge, që kushton 2,000 lekë). Për Albtelecom, paketat 30 ditore luhaten nga 700 në 1,900 lekë (maksimumi i internetit është 12 giga për paketën super 1900). Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) deri në fund të tremujorit të tretë kishte gjithsej 2.73 milionë përdorues aktivë të telefonisë celulare. Pjesa më e madhe e abonentëve, 47.3% përdorin operatorin Vodafone. Operatori i dytë është Telekom Albania, me 35.7% dhe në vend të tretë është Albtelecom me rreth 17% të tregut. 90% e përdoruesve përdorin karta me parapagim, ndërsa pjesa tjetër kanë kontratë me operatorët celularë, sipas të dhënave, që janë publikuar nga AKEP.

Ulen tarifat e celularëve, tani do flasim më lirë me njeri-tjetrin

Tarifat e telefonisë celulare do të pësojnë rënie. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike ka vendosur që të ulë me 17 % tarifat e terminimit apo e thënë ndryshme çmimet me shumicës mes operatorëve në treg. Kjo do të thotë se tarifa do të kushtojë 1.22 lekë. Ulja do të nisë nga muaji dhjetor 2018. Ky vendim i AKEP erdhi pas konsultimeve me kompanitë, ndërsa qëllimi është që tarifat të përafrohen me ato evropiane. Pajtim Melani, drejtor i tregut në AKEP: Ne mendojmë se kjo do të reflektohet në një moment të dytë edhe tek konsumatorët të cilët do të flasin më lirë me njëri- tjetrin. Pra tarifa e shumicës që një operator bën një thirrje kundrejt një operatori tjetër do të jetë më e lirë, çka do të thotë se ky fakt do të reflektohet edhe në tregun e pakicës. Në këtë mënyrë ne i përafrohemi më shumë tarifave që aplikohen në Evropë. Por kjo nuk do të jetë ulja e vetme në tregun e telefonisë celulare. Vendimi i AKEP parashikon një reduktim të dytë në dhjetor të 2019 me 9%.

AKEP bëhet dorëzanës i kompanive celulare, në kurriz të shqiptarëve

AKEP, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (Institucioni shtetëror që monitoron dhe kontrollon operatorët e telefonisë celulare) interesohet vetëm t’u shërbejë interesave të biznesit të tyre, derisa në tetor 2018 vendosi të ulë me 17 % tarifat e terminimit apo e thënë ndryshme çmimet me shumicës mes operatorëve në treg. Ndërsa AKEP nuk shqetësohet aspak që kjo ulje e tarifave midis operatorëve të telefonisë celulare të reflektohet edhe në uljen e tarifave që përdorin konsumatorët. Kryetari i AKEP Ilir Zela, i pyetur nga gazeta “Telegraf” pse AKEP nuk ndërhyn që kjo ulje 7 % e tarifave midis operatorëve të telefonisë celulare të reflektojë edhe në tarifat për klientët e tyre, u përgjigj, se nuk mund të detyrojë dot AKEP këto kompani për ulje tarifash për klientët. Ndërsa pyetjes, përse AKEP i detyroi që këto kompani të telefonisë celulare të ulin tarifat midis tyre dhe jo edhe për klientët, kryetari i AKEP Ilir Zela nuk u përgjigj. Ndoshta e ka të pamundur përgjigjen, sepse nuk ka argumente, ndaj edhe ne e …mirëkuptojmë.

Monopoli i tregut të telefonisë celulare në Shqipëri, Autoriteti i konkurrencës bën sehir

Nëse shikojmë tarifat javore dhe ditore të të tre operatorëve të telefonisë celulare, ato janë të njëjta, pa asnjë qindarkë diferencë midis tyre. Pra, siç duket, ka një marrëveshje të heshtur midis operatorëve të telefonisë celulare, që të vendosin në treg të njëjtat çmime në tarifat ditore, javore. Kjo është monopol i çmimit të tregut. Mirëpo, ajo që të bën përshtypje është heshtja e Autoritetit të Konkurrencës, i cili nuk reagon, ose duke mos vepruar, i miraton këto çmime monopol, që vjedhin xhepat e shqiptarëve.