Rrëmbimi dhe vrasjen e Jan Prengës nga grupi kriminal, Prokuroria e Tiranës kalon dosjen tek SPAK

483
Sigal

Teksa ende nuk dihet asgjë për trupin e të ndjerit Jan Prenga, i rrëmbyer dhe i vrarë më 17 janar, prokuroria e Tiranës ka vendosur ta kalojë dosjen e rrëmbimit dhe vrasjes së tij tek Prokuroria e Posaçme e njohur si SPAK. Sipas News 24, dorëzimi i akteve do të bëhet ditën e hënë.

Deri më tani, pesë persona janë arrestuar për rrëmbimin dhe vdekjen e 47 vjeçarit, i cili u rrëmbye pranë banesës së tij në zonën e Kamzës.

Në pranga kanë rënë shtetasit Leonard Hajri 36 vjeç, (i dënuar më parë) babai i tij Bajram Hajri 64 vjeç, kushëriri Elton Hajri 32 vjeç, një tjetër anëtar i familjes me inicialet F.Xh. dhe shoku i tyre Olsi Turja 36 vjeç, të gjithë banues në Shijak. Në kërkim është shpallur nga policia, vëllai i Leonardit, Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” në Shijak.

Ndërkohë, policia ka identifikuar e shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë, të dyshuar si autorë të pengmarrjes së 48-vjeçarit Jan Prenga.

Burime nga Policia thanë ditë më parë se bëhet fjalë për tre të rinj nga Shkodra, që dyshohet të jenë pjesë e “grupit të Dukagjinit”, shtetasit Aldo Majnishta, 26 vjeç, Ardian Doçaj, 32 vjeç, dhe Artan Doçaj, 36 vjeç.

Me këta persona dyshohet se ka bashkëpunuar edhe një person i katërt, i cili ende nuk është identifikuar plotësisht nga ana e Policisë. Ndërsa sipas të dhënave nga grupi hetimor, ata dyshohet të kenë kryer veprime aktive gjatë pengmarrjes së 48- vjeçarit, mesditën e 17 janarit në Kamzë.

Kamerat e sigurisë që janë analizuar prej ditësh nga oficerët e Policisë, kanë fiksuar lëvizjet e automjetit “Range Rover”, që i është vjedhur ditën e tërmetit të 26 nëntorit këngëtares K.T., që ka udhëtuar nga Kamza drejt Shijakut, në fshatin Pjesë ku ndodhet resorti i familjes Hajri. Pikërisht në këtë vend, humb edhe gjurmimi i makinës, me të cilën u mor peng Jan Prenga, e cila u gjet më pas e djegur në Shkallnur.

Autoritet shqiptare besojnë se për zhdukjen e tij fshihet një organizatë e fuqishme kriminale qe ka veprimtari në Angli, disa shtete të BE dhe Ekuador e Shqipëri.

Shkaku ka qenë një sasi prej 280 kg kokainë, që vëllai i viktimës, aktualisht i burgosur në Angli nuk e ka dorëzuar në destinacionin e duhur.