Tentuan të kalonin kufirin me dokumente false, arrestohen dy persona, sekuestrohen 22 mijë euro

275
Sigal

Dy persona janë arrestuar në flagrancë në Portin e Durrësit, pasi kanë tentuar të kalonin kufirin me dokumente false dhe gjatë kontrollit u janë sekuestruar edhe 22 mije euro të padeklaruara.

Policia e Durrësit bën me dije se në pranga ka vënë shtetasit Sh. B., 58 vjeç dhe B. D., 54 vjeç, banues në Tiranë.

Atyre u janë sekuestruar 22.090 euro dhe dokumente të dyshuara si të falsifikuara.

NJOFTIMI

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në bashkëpunim me Strukturat e DVKM Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasit:

Sh. B., 58 vjeç dhe B. D., 54 vjeç, banues në Tiranë.

Këtyre shtetasve, më datë 23.04.2020, në PKK Durrës, gjatë kontrollit nga shërbimet e Policisë Kufitare të Portit Durrës, në kamionin të cilin e drejtonin të dy (si shofer dhe dublant), iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shtetasit Sh. B., një leje drejtimi dhe kartë identiteti greke, të dyshuara si të falsifikuara, si dhe 12.090 euro, ndërsa shtetasit B. D., iu gjetën 10.000 euro të padeklaruara gjatë kontrollit doganor.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve i pasaportave ose i vizave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.