Rrëfimi/ ‘Ishte e tmerrshme’, si u aksidentua ambulanca dhe vdekja e të sëmurit që po transportohej me urgjencë

69

Detaje nga aksidenti tragjik qe ndodhi në segmentin rrugor Fier-Lushnjë, teksa një ambulancë ka dalë nga rruga dhe ka ndërruar jetë pacienti që ndodhej brenda në të.

Sipas burimeve të Policisë, në ambulancë ishin pesë persona, ndërsa është në gjendje të rëndë shoferi. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Krutje të Lushnjës, ndërsa ambulanca po udhëtonte në drejtim të Tiranës.

Shoferi, i cili drejtonte ambulancën, Niko Hila, 55 vjeç, është dëmtuar rëndë, ndërsa pacienti Nebi Marku, 62 vjeç, nuk ka mundur të mbijetojë dot.

Burimet nga vendi i ngjarjes thanë se viktima i aksidentit në fshatin Krutje të Lushnjës ishte një shtetas që kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Sarandë, por për shkak të komplikacioneve të rënda, mjekët e kanë nisur për në Tiranë për një shërbim më të specializuar.

Mësohet se ambulanca ka tentuar të parakalojë një automjet tjetër, por duke qenë se automjeti nuk e ka hapur rrugën plotësisht, drejtuesi ka humbur kontrollin dhe më pas është përplasur me barrierat metalike të autostradës, duke bërë që të rrotullohet disa herë në rrugë.

Kjo përplasje ka qenë fatale për pacientin Nebi Marku.

Drejtuesi i ambulancës është transportuar në Spitalin e Lushnjës, ku mësohet se ka marrë fraktura të shumta në kokë.

Mjekët theksuan se gjendja e tij është e rëndë, si pasojë e dëmtimeve të marra në kokë.

SHOQËRUESIT

Nuk kanë qenë vetëm dy shtetasit e lartpërmendur në autoambulancë, por edhe tre persona të tjerë. Mjeku shoqërues, infermierja dhe djali i pacientit, të cilët kanë marrë dëmtime më të lehta.

Një dëshmitar në vendin e ngjarjes i ka thënë Policisë se autoambulanca po kërkonte korsi të hapur, por asnjë mjet nuk po ia mundësonte parakalimin, çka dyshohet të ketë sjellë tragjedinë.

“Ambulanca po kërkonte rrugë të lirë, por automjetet nuk po e respektonin dhe asnjëra nuk ia hapte rrugën.

Edhe në çastin e fundit kur kërkoi të parakalonte një automjet tjetër, nuk gjeti shumë hapësirë dhe u përplas me bordurat anësore të rrugës. Pastaj nuk di se sa herë bëri salto. Ishte pamje e tmerrshme. Sapo e pamë, njoftuam Policinë”, ka thënë një dëshmitar.

Njoftimi i Policisë

Policia tha zyrtarisht se “Rreth orës 17:50, në aksin rrugor Fier-Lushnjë, në afërsi të fshatit Krutje, një ambulancë që po transportonte një pacient drejt Tiranës ka dalë nga rruga.

Si pasojë ka ndërruar jetë pacienti, shtetasi M.M., 62 vjeç dhe është dëmtuar drejtuesi i ambulancës, shtetasi N.H., 55 vjeç, banues në Sarandë, i cili ndodhet në Spitalin e Lushnjës nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhej në njoftimin zyrtar të Policisë.