Kuvendi shpenzon miliarda për luks, makina, dyer e dritare të blinduara

193
Sigal

 

Frika e deputetëve/ 4. 4 miliard lekë për grila metalike dhe xhama të blinduar, ja plani i ri për sigurimin e deputetëve  të Kuvendit pas trazirave. Historia e investimeve për  Kuvendin nga koha e ardhjes në pushtet të ‘rilindjes’, rikonstruksioni, shpenzimet e luksit, milionat për makinat të cilat ndërrohen “si mbreti gratë”, dhe fati i 11 miliardë  lekëve për   Kompleksin e ri Parlamentar.

Dokumenti/ Grila metalike dhe xhama të blinduar, zbulohet plani i ri për sigurimin e Kuvendit

Protestat e opozitës gjatë vitit të kaluar, por edhe informacioni se mund të sulmohej Kuvendi, kanë çuar  në hartimin e një relacioni për rritjen e masave të sigurisë në këtë institucion. Byroja Kombëtare e Kuvendit të Shqipërisë synon të marrë masa mbrojtëse ndaj protestave, që mund të zhvillohen në Shqipëri në vijim. Por frika e zgjedhjeve që parashikohen të jenë të shpejta, Lokale dhe Parlamentare, si dhe frika nga pakënaqësia popullore ndaj kësaj qeverie dhe këtij Kuvendi ,që duhet pranuar se është më mediokri dhe më i paafti në historinë e parlamentarizmit shqiptar, po e detyron  Kuvendin e Popullit  të harxhojnë miliona për t’u mbrojtur nga populli dhe votuesit të cilëve iu shpërdorua besimi. Deputët që përfaqësonin një forcë  politike opozitare , venë e votojnë si delet për rilindasit e Ramës, ndaj dhe frika u ka hyrë në palcë si një i sëmurë me reumatizëm që ka punuar gjithë jetën me duar dhe këmbët në ujë. Provokimet e qeverisë në ikje dhe loja e disa qarqeve antishqiptare serbe, në bashkëpunim me individë  të këtij pushteti, do të mundohen të krijojnë trazira, ndaj edhe po marin masa për të harxhuar miliona nga taksat e qytetarëve për të blerë pajisje të blinduara, për të ruajtur menderet e dallkaukëve që janë ulur në tempullin e demokracisë. Pikërisht afrimi i zgjedhjeve dhe urrejtja qytetare, ka bërë që Kuvendi të nisë procedurat për blerjen e  dritareve dhe të dyerve të blinduara. Burime nga Kuvendi e konfirmojnë një projekt të tillë,  duke saktësuar, se ato do të përdoren për katet e para si tek godina e Kryesisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ashtu edhe në godinën e Seancave Plenare. Tenderi pritet që të zhvillohet në shtator, ndërkohë që shuma e përgjithshme, vënë në dispozicion është rreth 4 miliard e 400 milionë lekë.

Ja historia e investimeve për sigurinë e  Kuvendit nga koha e ardhjes në pushtet të “rilindjes” 

Në fund të vitit 2019, kur u planifikua projektbuxheti i vitit 2020, Kuvendi synoi  të investojë 80 milionë lekë të rinj për të blinduar dyert dhe dritaret e Kryesisë së godinës së seancave plenare. Kjo kërkesë vjen pas shqetësimeve të ngritura nga Garda e Republikës së Shqipërisë gjatë protestave të vitit 2019. “Për vitin 2020, duke pasur parasysh protestat dhe trazirat e ndodhura gjatë vitit 2019, është vënë në dukje dhe nga Garda e Republikës se mungojnë masat e sigurisë, si rrjeta metalike dhe xhama të blinduar. Kërkohet të vendosen dritare me xham të blinduar 186 copë dhe grila metalike 256 copë, në vlerë totale 571 milionë lekë. Vendosje dyersh të blinduara 47 copë, me vlerë 229 milionë lekë”, – shkruhet në dokumentin e Byrosë së Kuvendit. Këto nuk janë ndërhyrjet e vetme që në relacionin e Byrosë së Kuvendit kërkohet të bëhen në dy vitet e ardhshme. Në relacionin e planifikimit të buxhetit për dy vitet që vjen, byroja parashikon që të shpenzohen 1miliardë  e 610 milionë lekë  për  rikonstruksionin e godinës së Parlamentit, ku zhvillohen seancat plenare. “Godina e Seancave Plenare të Kuvendit është Monument Kulture i Kategorisë II, me kod II-046 dhe ndodhet brenda zonës  së mbrojtur  të qendrës historike të Tiranës. Rikonstruksione të pjesshme i janë bërë në vitin  2010  dhe  hidroizolimi tarracës në vitin 2014, ndërsa planifikohet që, përveç ndërhyrjeve ndërtimore të domosdoshme, të kryhet dhe rikonstruksion  në rrjetin elektrik, punime për sistemin MNZSH  dhe punime ngrohje-ftohje ventilim”, -shkruhet ndër të tjera në dokument.

Investimet për dixhitalizimin

Me avancimin e proceseve teknologjike, në këtë relacion të Byrosë së Kuvendit sillet ndër mend nevoja për të investuar edhe në këtë sektor. Kryetarit të Kuvendit i është propozuar që të investohen rreth 260 milionë lekë të rinj për blerjen e aplikacioneve, që bëjnë regjistrimin e aktiviteteve të komisioneve parlamentare dhe seancave plenare. “Kuvendi i Shqipërisë, në arkivin e tij disponon dhe ruan 220 bobina dhe 2.999 audiokaseta, me regjistrim zanor, të cilat përfshijnë veprimtarinë parlamentare që nga viti 1991, deri në shkurt të vitit 2008. Pas këtij viti, regjistrimi zanor është realizuar me CD dhe DVD. Duke qenë se këto materiale degradojnë dhe bëhen të papërdorshme me kalimin e kohës, për shkak të mjedisit, hapësirave ku ruhen, zhvillimit me ritme të larta të teknologjisë etj., kërkohet projektimi dhe zhvillimi i aplikacioneve të dedikuara, për të ndjekur, ruajtur dhe administruar asetet mediatike dhe menaxhimin dixhital të tyre, për t’i mundësuar edhe publikut aksesin në çdo kohë. Për vitin 2019 janë planifikuar 159 milionë lekë dhe në vitin 2020 kërkohen 100 milionë  lekë  për të përfunduar këtë projekt”, thuhet më tej në dokumentin e Byrosë së Kuvendit.

Shpenzime luksi

Përpos investimeve në blindimin e dyerve e dritareve të Kuvendit  dhe investimeve  në teknologji, Byroja e Kuvendit të Shqipërisë ka propozuar edhe shpenzimin e 170 milionë lekëve  në vitin 2020, për të blerë  tri automjete dhe 60 milionë lekë në 2021 për të blerë dy automjete. “Në vetvete, ky projekt është në vazhdim, pasi është në kuadër të strategjisë së zëvendësimit  të autoveturave të amortizuara, që kanë mbi 10 vjet përdorim dhe që janë bërë joeficiente  në përdorim, pasi kërkojnë shpenzime mirëmbajtjeje gjithnjë e në rritje dhe nuk realizojnë qëllimin e institucionit (janë autovetura që shërbejnë për pritje e përcjellje delegacionesh, nuk sigurojnë kushte normale komode të udhëtimit etj). Në vitin 2017 janë blerë 3 autovetura me një vlerë totale 94 milionë lekë; Në vitin 2018 janë blerë 4 autovetura me një vlerë totale 350 milion lekë; Për vitin 2019 është vendosur nga Byroja, përdorimi i 180 milionë lekëve për blerje autoveturash (nga 380 milionë lekë të akorduara nga buxheti), me të cilat është planifikuar të blihen 5 autovetura; Në vitin 2019 janë bërë kalime kapitale 8 autovetura, me vlerë fillestare 235 milionë lekë dhe vlerë të mbetur zero lekë; Si rezultat i këtij projekti, në Kuvend nuk do të ketë autovetura të viteve para 2012″, thuhet më tej në dokumentin e Byrosë së Kuvendit.

KOMPLEKSI  I  RI  PARLAMENTAR

Këto planifikime shpenzimesh, Byroja e Kuvendit thekson se do t’i anulonte në rast të miratimit të projektit për Kompleksin e ri Parlamentar. Sipas këtij dokumenti, Kompleksi i ri Parlamentar, me një afat ndërtimi për 4 vite, do të kapte një vlerë totale ndërtimi prej 11 miliardë lekësh (11 milionë USD). “Ndërtimi i Kompleksit të ri Parlamentar do t’u japë zgjidhje përfundimtare problematikave, që kanë të bëjnë me hapësirat dhe kushtet e pamjaftueshme për zhvillimin e aktivitetit normal të punës së Kuvendit të Shqipërisë, të cilat kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e punës dhe shqyrtimin e nismave ligjore në funksion të procesit ligjbërës dhe ushtrimit të funksionit të tij kushtetues. Krijimi i hapësirave dhe ambienteve të nevojshme, rritja e transparencës së Kuvendit dhe krijimi i standardeve europiane lidhur me zbatimin e teknologjive te reja, janë vetëm disa nga aspektet pozitive që synon të sjellë ky projekt për Kompleksin e ri Parlamentar”, thuhet mes të tjerave në dokumentin e Kuvendit.

Qeveria  miliona lekë maska dhe doreza për deputetët. Për qytetarët gjoba

Kulmi i marrëzisë, deputetët e “varfër”, blejnë maska dhe dezinfektues me lekët e popullit. Edhe pse marrin 1500 euro rroga, 1000 euro dieta, pagesa për telefonat, makinat, qiratë e shtëpive, të zyrave dhe kredi të buta, qeveria përsëri shpenzon për ta, ndërkohë që qytetarët nuk marrin as “pagën e luftës”. Këto çmime i kapërcyen të gjitha kufijtë  kur shteti derdhte miliona euro apo miliarda lekë me “tenderat sekretë”,  ku një maskë  që në treg blihej  2 euro, nga shteti blihej me çmimin e 8 eurove. Por atë që nuk bëri për qytetarët,  qeveria dhe parlamenti e bënë për deputetët,  duke blerë maska e doreza në vlera maramendëse.  Ajo që qeveria ka bërë dhe po bën për qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve janë  deklaratat  optimiste se kemi gjobitur mijëra  shtetas  që shkojnë të blejnë  bukën e gojës.