Rrëfimi i vëllezërve, zbardh “hesapet” e palara: 15 të arrestuar, në skenë Masakra e Sanatoriumit tek atentati ndaj “Rrumit”

190
Sigal

Një grup i strukturuar kriminal prej 15 vetësh që akuzohet për atentate të shumta dhe vrasje me pagesë është goditur sot nga policia. Aksioni ka ardhur pas arrestimit të vëllezërve Gentian dhe Indrit Beqiraj. Ata janë ndaluar ditën e djeshme pasi u rrahën nga 4 persona ndërsa Indriti u rrëmbye prej tyre por u la i lirë disa kilometra më tej.

Abc News raporton se vëllezërit Gentian dhe Indrit Beqiraj janë arrestuar nga prokuroria e Durrësit për akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Aleksandër Lahos i njohur edhe ndryshe si “Rrumi”. Dy vëllezërit mësohet se po ndiqnin “Rrumin e Shijakut” për të gjetur momentin për ta eliminuar.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se dy vëllezërit në rrëfimin e tyre para prokurorisë kanë deklaruar se kanë marrë përsipër edhe vrasjen e Geron Hasanbelliut. Kjo është bërë për llogari të Kasandër Nogës. Por gabimisht ata kanë vrarë kamarierin Erion (Adriatik) Çela dhe plagosën 4 të tjerë.

Ndërkohë sipas burimeve nga policia, Indrit Beqiraj është marrë peng nga A.B i cili njihet si krahu i djathtë i Rrumit të Shijakut.

Përplasja mes Kasandër Nogës dhe Geron Hasanbelliut:

Kasandër njihet për vrasjen e “reanimacionit” ku mbeti i vrarë At Hasanbelliu. Një vit më vonë, familja Hasanbelliu qëlloi për vdekje një mik të Kasanderit në një kafene në Antwerp.

Të shtënat në vendin e famshëm Place De Brouckère, në qendër të Brukselit, ndodhën të shtunën në mbrëmje rreth orës 20:20, pak jashtë hyrjes së hotelit NH Collection. Janë qëlluar gjashtë plumba, viktima është goditur në gjoks dhe në këmbë dhe jeta e tij është në rrezik. “7 sur 7 “ shkruan, se sipas dëshmitarëve okularë kanë bërë të qartë se ishte një zgjidhje e hesapeve.

Viktima është Erion Hasanbelliu. Familja e tij prej dekadash ka pasur probleme me kriminelin shqiptar Noga Kasander. Ky vrasës me pagesë 44-vjeçare është dënuar me burgim të përjetshëm në Shqipëri. Ai njihet për “vrasjen në reanimacion”. Në vitin 2000, Kasander Noga hyri në dhomën e reanimacionit të një spitali shqiptar ku ishte shtruar Aqif Hasanbelliu (babai i Erion Hasanbelliut). Ai hoqi tubat ushqyes nga krahu dhe qëlloi burrin dhe një shokun e tij.

Një vit më vonë, familja Hasanbelliu u kundërpërgjigj. Djemtë Erioni dhe Geroni bastisën një kafene në Antëerp ku sapo kishin mbërritur Kasander Noga dhe shoku i tij Julian Xhela. Xhela ka ndërruar jetë menjëherë, Kasandër Noga ka mbetur i plagosur rëndë, por i ka shpëtuar sulmit. Drejtësia belge arrestoi Erion Hasanbelliun dhe e dorëzoi në Shqipëri në vitin 2013.

Liruar nga Gjykata e Krimeve të Rënda të Antwerpen

Autori i dyshuar i të shtënave në Bruksel, Kasander Noga është i njohur edhe prej instancave gjyqësore belge. Ai doli në Gjykatën e  Krimeve të Rënda në vitin 2005 për vrasjen e shqiptarit Astrit Shpërdheja (37 vjeç). Burri u qëllua për vdekje në mes të ditës në Antwerp nga një agresor që udhëtonte me një biçikletë BMX. Ky ishte gjithashtu një larje hesapesh midis shqiptareve. Dëshmitarët okularë më të rëndësishëm ishin dy djem dymbëdhjetë vjeçarë që qëndronin në trotuar. Juria popullore nuk u bind nga provat dhe Kasander Noga u shpall i pafajshëm.

Sipas mediave shqiptare, policia belge kishte lëshuar tashmë një urdhër kërkimi ndërkombëtar për Kasander Noga këtë fundjavë. Sipas prokurorit publik të Brukselit nuk është vërtetuar nëse ai është në të vërtetë ai që ka qëlluar. Policia gjyqësore federale po analizon aktualisht pamjet nga kamerat e shumta të instaluara në Place De Brouckère.