Zgjedhjet lokale, Meta pas takimit me Begajn: E rëndësishme që data të vendoset sa më parë

110
Sigal

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur për mediat pas takimit me Presidentin e Shtetit Bajram Begaj. Meta tha se data duhet të shpallet sa më shpejt, pasi “një orë e më parë qytetarët e Shqipërisë duhet të shpëtojnë nga kjo zgjedhë moniste në pushtetin vendor”.

“Ishte një kënaqësi që të takohesha më Presidentin me kërkesën e tij sot për të diskutuar për zgjedhjet e ardhshme vendore. Qëndrimi im shumë i qartë sa më parë të shpallet kjo datë në respekt të gjithë afateve kushtetuese e ligjore.

E besoj se kështu do të ndodhë sepse një orë e më parë qytetarët e Shqipërisë duhet të shpëtojnë nga kjo zgjedhë moniste në pushtetin vendor nga ky shpërdorim i taksave të tyre, hapësirave, e gjithçka që ka ardhur nga degradimi i një pushteti monist vendor.

Rikthimi i opozitës dhe pluralizmit politik në këshilla bashkiakë do të japë kontribut për forcimin e llogaridhënies.

Data konkrete i takon vetë Presidentit dhe nuk besoj se një javë më parë apo një javë më shumë është e rëndësishme. Ai që duhet të gjykojë pasi ka dëgjuar aktorët. Data të dihet sa më parë e KQZ të ndërmarrë veprimet e saj”, tha Meta.