Roli i dy ministreve, ja si u zhduk Baza Ushtarake në Sarandë

281
Sigal

Gijotina/ Shefqet Kastrati është kthyer në rrezik për sigurinë kombëtare duke zhdukur bazën ushtarake detare të Sarandës. Bëhet fjalë për bazën e Forcës Detare në Sarandë, e cila pothuajse nuk ekziston, pasi Kastrati i ka vjedhur truallin. Dy vjet pas dhënies me koncesion 1 euro të Portit Limioni Sarandë nuk është ndërtuar bankina e premtuar për Forcën detare në Sarandë, ndërsa “Kastrati” vazhdon të shfrytëzojë të gjithë territorin dhe portin për furnizmin e jahteve të huaja me naftë. Po flasim edhe për sipërfaqen prej 39 mijë metra katrorë, që i mori koncesioni Dulaku-Kastrati Bazës së Forcave Detare.

Kujtojmë se, në vendimin numër 514 të Këshillit të Ministrave, është përcaktuar kontrata e qirasë me tarifë 1 euro /kontrata ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe bashkimit të shoqërive “Concord Investment” sh.p.k. dhe “Kastrati Group” sh.a., përfaqësuar nga shoqëria “Marina Bay Saranda” shpk, si qiramarrës, për pasurinë shtetërore me sipërfaqe të përgjithshme rreth 265 mijë metër katror.

Brenda këtij territori ndodhet dhe një pronë me sipërfaqe rreth 39 mijë metra katror me numër 696,  që bën pjesë në planin e vendosjes dhe të përhapjes së Forcës Detare, për dhënien me qira të së cilës, duhet marrë më parë miratimi i Presidentit të Republikës.

Mashtrimi ndaj ushtarakëve me ndihmën e Olta Xhaçkës

Në projekt-kontratën e firmosur nga vetë kryeministri Edi Rama, përveç ushtrimit të veprimtarisë në fushën e turizmit për 35 vjet, parashikohet dhe ndërtimi nga shoqëria qiramarrëse, e një bankine për forcat detare në gjirin e Limionit në Sarandë. Sipas dëshmitarëve, Ministrja Olta Xhaçka i thirri ushtarakët drejtues të Forcës Detare dhe i bindi duke u premtuar se “koncesionari” do t’u ndërtonte një bankinë të re për anijet e Forcës Detare.

Ndërkohë del nga skena Olta Xhaçka dhe futet në lojë Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në kontratën e publikuar më vonë në QKB, të koncesionarit me ministren nuk përfshihet konkretisht detyrimi për ndërtimin e një bankine të re për bazën e Forcës Detare Limioni. Kështu, në sipërfaqen e portit të jahteve merret edhe territori prej 39 mijë m2 i Bazës së Forcës Detare Sarandë pa shpërblim.

Roli i Ballukut në nxjerrjen jashtë loje të ushtarakëve

Në fakt abuzimi dhe nxjerrja jashtë loje e Bazës së Forcës Detare në Sarandë ka filluar që në 2019 me garën tenderuese që hapi Ministria e Infrastrukturë me temë “Për dhënien me koncesion/partneritet publik privat të portit turistik dhe të shërbimeve “Marina Limion”, propozim i kërkuar”. Në dokumentet e tenderit “harrohet” Baza e Forcës Detare Limioni, që ndodhet në territorin e dhënë për kontratën e koncesionit. Pasi në këtë kontratë specifikohet se vendndodhja e parashikuar e objektit është në veri të qytetit të Sarandës dhe aktualisht është pronë nën administrim të “Porti Detar” sh.a Sarandë. Pra pikërisht në vendin që ndodhej Baza e Forcës Detare. Pasi në pikën një të këtij njoftimit të ministrisë përcaktohen koordinatat ku do të kryhen punimet, madje edhe një foto, ku duket qartë se vendndodhja e objektit të koncesionit është në bazën e Forcës Detare.

Dhe në asnjë pikë të dokumentit nuk përmendet pronësia e territorit, përkundrazi me vendimin e Këshillit të Ministrave në 2020, Kastrati mori edhe këtë truall me koordinatat siç e donte, me vlerë 1 euro.

Në kontratën me koncesionarin, MIE si autoriteti kontraktor, theksohet në nenin 2.4 se, Kastrati mund të gëzojë të gjithë sipërfaqen e Portit dhe çdo gjë, që lidhet me to. Pra, përfshirë këtu edhe sipërfaqen e bazës.

Më qartë, në pikën 1.4.1 të kontratës, Autoriteti Kontraktor (Balluku) shprehet se i njeh përmes kësaj kontrate koncesionarit, në këtë rast “Kastratit” dhe ortakut të tij, të drejtën të hyjë, të marrë në dorëzim dhe të përdorë sipërfaqen e portit, siç përcaktohet hartografikisht në aneksin 3. Koordinatat e aneksit 3 janë ato që paraqitëm më lart, ku përfshinin dhënien me koncesion të të gjithë portit në duart e Çet Kastratit dhe oligarkut tjetër. Edhe në këtë pikë sërish nuk ka asnjë sqarim se çfarë do bëhej me Bazën Detare të forcave ushtarake.

Ekzistenca e bazës detare kalohet me një rresht

Pasi në kontratë MIE renditet si pika kryesore garancia që koncesionari do të gëzojë pa asnjë ndërhyrje të gjithë portin e Limion, diku nga fundi Balluku është kujtuar të flasë edhe për Bazën Detare të Flotës Ushtarake. Por, sikur shihet në dokumentin e mëposhtëm vetëm një fjali flitet për këtë pjesë. Aty thuhet se koncesionari duhet të ketë parasysh që të mos cënojë sigurinë e Forcave Detare. Por, asnjë sqarim nëse territori ku kryen aktivitet baza ushtarake do të jetë pjesë e koncesionarit apo e Forcës Detare.

Kështu, pasi sqaroi mirë në çdo pikë se porti do të jetë në duart e “Kastratit” për 35 vjet, pasi zhduku pronësinë e sipërfaqes 39 mijë metra katrorë të Bazës dhe nuk dëgjoi asnjë kërkesë të ushtarakëve, qeveria me firmë e dorëzoi portin në dorën e Kastratit. Madje në kontratë urdhërohej që dorëzimi të bëhej brenda 30 ditëve nga nënshkrimi i kontratës dhe ashtu ka ndodhur. Pra, pikat që janë në favor të koncesionarit janë përmbushur të gjitha, ndërsa vetëm pika për ndërtimin e një banakine për Forcat Detar nuk është realizuar.