Rita Gjeka: “Martesa me mblesëri është dhuna e parë që ushtrohet ndaj femrës”

1767
Sigal

INTERVISTA/ Flet aktorja e Teatrit të Shkodrës, Rita Gjeka: “Femra është poema e jetës”

Tek Rita kanë diferencë prej 20 vjetësh dëshira për aktrim me ngjitjen në skenë. Shumë e vogël recitonte dhe vjersha e saj e parë ka qenë një Uratë (si i thonë shkodranët) “Ati i ynë”, të cilën ja kishte mësuar gjyshja. Është sigurisht materiali më i rëndësishëm i jetës së saj sepse e thotë çdo natë : “Jam shumë besimtare dhe çdo gjë ja dedikoj së pari zotit”. Roli i parë i vërtetë ka qenë në vitin 1985 kur ka mbrojtur diplomën me “Shtëpia e Bernarda Albes”  të Garsia Lorkes, aty ka patur rolin e Poncias, rol i mrekullueshëm dhe shumëplanësh. Regjisor ishte pedagogu i asaj kohe Gëzim Kame për të cilin ruan respektin më të thellë. Në po të njëjtin vit ka luajtur edhe Bernarda Alben por tashmë e emëruar në teatrin Migjeni si profesioniste me regjisor Elez Kadrija. E veçanta në Shkodër ishte se ishte Bernarda dhe të gjitha vajzat e saja ën role ishin më të mëdha se ajo me moshë (në fakt).

 Kush ishte mbështetësi juaj më i madh në këtë rrugë të artit?

 Mbështetësi im më i madh që unë të merrja rrugën e artit ka qenë babai im, dritë pastë. Se të themi të drejtën në ato vite nuk shihej me sy fort të mirë një vajzë që dëshironte të bëhej aktore. Unë duhet të falënderoj shumë familjen time të origjinës për mbështetjen absolute.

 Kur konkurruat?  

Unë kam konkurruar për herë të parë tre vjet mbasi kisha marrë maturën sepse isha me biografi të “keqe” kisha patur babain në burg politik dhe sigurisht nuk mund të më dilte shkolla, por falë disa njerëzve të përgjegjshëm të asaj kohe unë më në fund arrita të marr pjesë në konkurs. Dëshiroj të përmend emrat e atyre që më kanë ndihmuar dhe që i kanë dhënë drejtim jetës sime. Sul Bushati, Adem Tukja, Fejzi Spahija dhe Valdet Kraja. Në komisionin e atëhershëm ishin Dhimitër Anagnosti, Birçe Hasko, Skënder Plasari, Tinka Kurti etj.. Në momentin e konkurrimit tim Tinka nuk ishte në sallë. Jam paraqitur me “Brezhnjevjadën” se ishte në modë në atë kohë, me poezinë e Kadaresë “Nëna” dhe një monolog dramatik që e kishte shkruar një miku im nga Shkodra, Remziu. Para se të dilja më pyeten se a dija të këndoja dhe unë imitova Fatime Sokolin me këngën “Jam një çikë nga Dragobija”. Të them të drejtën u shqyen duke qeshur. Kur dola tek dera ishte e madhja Margarita Xhepa e cila ishte dezhurn tek Teatri Kombëtar, e cila më tha: “Të lumtë Shkodra, ja bëre fora”. Nuk do të harroj kurrë ato fjalë sepse që nga ai moment unë fluturova.

Si ka qenë teatri në regjimin komunist?

Kishte shumë ideologjizma, por kërkesa ishte e lartë. Në atë periudhë unë kam qenë me shumë fat se kam patur regjisor të pazëvendësueshmin Serafin Fankon. Kam qenë shumë shpesh në skenë me ikonat e teatrit shqiptar si Bep Shiroka e Viktor Bruceti, etj.. Nuk po përmend emra se ne si teatër nuk vuajmë për emra, kemi plot.

 Në tërë këto shfaqje ke pas ndonjë takim me ish- udhëheqësit?

 Nga udhëheqësit e asaj kohe kam takuar vetëm Ramiz Alinë dhe nuk më pëlqen të flas fare për atë kohë se më ngrihen nervat (qesh)

 Thuhet se sot ka rënë interesi për teatrin, a është e vërtetë?

Për teatrin është humbur interesi, jo për shkak të spektatorit, por për shkak të të gjitha qeverive post komuniste sepse asnjëherë nuk u doli koha të merren seriozisht me ne. Ende nuk kemi një status. Qeveritë dhe qeveritarët ndërrohen shpesh, por ne artistët mbesim po ato. Dëshiroj t’u kujtoj atyre se jemi ne më të rëndësishëm.

 I keni numëruar rolet?

Nuk kam mbajt ndonjë arkiv, por mund të them se në vitet e komunizmit, nga arkivat më kanë humbur shumë role, pasi janë shkatërruar arkivat. Por nga ana tjetër di të them që skam qëndruar kurrë pa skenën përveç  7 vjet e 9 muaj dhe 21ditë që kam kaluar në Itali.

 Monodrama e fundit  e Dario Fo, “Seks!…” çfarë përbën për ju?

 Monodrama është një ndër rolet e mija më të dashura sepse siç e patë edhe ju vetë ka një tekst të mrekullueshëm dhe më përshtatet shumë, pavarësisht se kam punuar shumë për të arritur deri aty, se sigurisht nuk është e thjeshtë të flasësh 1orë e një çerek dhe të bësh spektatorin të qajë e të qeshi.

 Mund të themi se në këtë rol theve një tabu të femrës shqiptare?

 Nuk di ç’të them nëse është tabu ose jo sepse në fund të fundit është kaq natyrale ajo çka thuhet në monodramë sa më duket sikur vetëm titulli është më i guximshëm se duhet, por për mendimin tim titulli është thjesht atraktiv.

 Ke pas vështirësi në interpretim?

 Të them të drejtën sot për sot unë nuk kam asnjë vështirësi për ta interpretuar sepse e dashuroj atë tekst marrëzisht dhe e përjetoj çdo herë ndryshe. Jam e gatshme ta bëj në çdo moment. Monodrama është shumë aktuale sot dhe çdo ditë sepse ka të bëjë me të gjithë problemet që prekin shoqërinë tonë. Çdo spektator e gjen veten në këtë shfaqje, sepse kur mbaron shfaqja më ndalojnë edhe nja dy orë të tjera mbas.

 A keni ndonjë peng artistik?

Pengu im artistik është ne realizim e sipër sepse jam duke punuar një Hemofrodit në një shfaqje të Stefan Capalikut që do shfaqet nga fundi i tetorit. Nga ana tjetër unë quaj peng çdo gjë që më pëlqen sepse faleminderit zotit në jetën time artistike më janë paraqitur shumë mundësi dhe kam bërë shumë karaktere ….kjo falë edhe natyrës sime artistike dhe jo vetëm artistike. Do t’ju tregoj për një ëndërr, e cila jam e sigurt që nuk do të realizohet: E para se regjisori im i kësaj ëndrre është në qiell (e kam fjalën për Serafin Fankon)  dhe e dyta do më pëlqente si partner Massimo Ranieri  (qesh) është fjala për Filumena Marturano e Edoardo de Filipi. Kjo sigurisht është e pa realizueshme, por unë vjet sapo realizova një të “vockël” se ne si teatër vumë në skenë “7 shalianët” e shkruar nga i madhi Ndrek Luca dhe e vënë në skenë nga regjisori i sotëm i teatrit “Migjeni” miku im i talentuar Fatbardh Smaja. Aty regjisori më besoi rolin e Tringës, një figurë shumë komplekse dhe shumë dramatike por të cilën unë e desha shume . Tani do përpiqem të shpjegoj “pengun ” artistik të të gjithë aktorëve të mirëfilltë. Ato i nderuar Albert duan së pari më shumë vëmendje, së dyti më shumë kushte dhe së treti të mos merren nëpër këmbë. Gabimi më i madh që është bërë ndonjë herë me teatrin është kalimi i teatrit nën kujdesin e Bashkisë. Ky është rrënimi i teatrit sepse është gjithmonë në dorën e kryetarit…. Po sikur kryetarit të mos i pëlqejë teatri…?  Pastaj të themi të drejtën bashkitë kanë njëmijë probleme të tjera dhe për to teatri është një angari e pafund. Teatri Migjeni është një teatër 65- vjeçar, ka nxjerrë dhe vazhdon të nxjerrë figura madhore .Qyteti i Shkodrës është i vetmi qytet që ka teatër dhe nuk ka asnjë Festival?! Është shumë ofenduese, por nuk kemi forcë për asgjë edhe pse e kemi ngritur shpesh zërin. Më falni, por harrova t’ju tregoj rrogën time, është 36 mijë lekë në muaj.

  Cila është arma më e fortë e femrës në jetë?  

Ne kemi shumë armatime të rënda dhe të lehta, por më i rëndësishmi është se jemi FEMRA pra vetë Zoti na ka bërë një dhuratë të madhe, ne jemi riprodhuese, çdo gjë sillet rreth nesh pa ne nuk ka asgjë. E mira, e bukura, e përsosura krahasohet me ne. Ne jemi POEMA e jetës.

 Cilat janë problemet e femrës sot?

 Të flasësh për problemet e femrës shqiptare me të vërtetë është një pus pa fund. Femra sot mendoj se në Shqipëri nuk është e emancipuar, nuk flas për vendet urbane se këtu diçka lëviz por sidomos për vendet rurale. Të pranosh sot faktin e një martese me mblesëri është dhuna e parë që ushtrohet mbi femrën. Dhunimet e tjera vijnë të gjitha pas.

  A mendoni se keni zgjedhur profesionin e duhur?

Tek kjo pyetje dëshiroj të ndalem pak…sepse sa herë e mendoj më vinë në mendje njëmijë ide, të cilat përfundojnë të gjitha në teatër. Më fal, por profesioni im nuk është thjesht profesion, është një dashuri më vete. Unë do ju tregoj me pak fjalë jetën time kur nuk isha në teatër. Unë kam jetuar në Itali 7 vjet 9 muaj dhe 21 ditë, i kam numëruar si ushtarët ditët e qëndrimit në repart. Sigurisht e dimë të gjithë se në Itali jetohet më mirë ose të paktën jetohej më mirë. Unë shkova atje bashkë me bashkëshortin tim sepse duheshin disa kura specifike për t’u bërë prindër. Shumë shpejt, por sigurisht mbas një kalvari ia arritëm dhe sot kemi një vajzë që quhet Silvia. Ne femrat duam gjithmonë e më shumë dhe sapo u bëra nënë fillova të mendoj tani edhe për “djalin”e braktisur, për teatrin tim. Unë nuk mund të jetoja pa teatrin dhe ja ku jam. Teatrin jo më kot e krahasoj me një fëmijë sepse për mua është pikërisht ashtu. Ai të jep pa fund sodisfaksione dhe shpesh të ngop. Megjithatë, ne aktorët jemi të pangopshëm.