Rezervimet për udhëtime, vetëm drejt Turqisë

253
Sigal

Për shkak të mbylljes së kufijve, agjencitë turistike njohën këtë fund Nëntori një nga rëniet më të mëdha të punës së tyre. Kërkesat e pakta janë vetëm për udhëtime drejt Turqisë, vend ku deri tani mund të udhëtohet më lehtësisht. Fundi i Nëntorit konsiderohet një moment i artë për agjencitë turistike në Shqipëri, por shumë prej tyre i pritën festat kombëtare me qepenë të mbyllur. Rezervimet e këtij viti janë vetëm drejt Turqisë për shkak të lëvizjes pa kufizime, edhe pse një numër i vogël krahasuar me një vit më parë.

“Turqia është destinacion që tërheq turistët shqiptarë. Vitin e kaluar mund të kemi lëvizur vetëm ne, 4000 turistë shqiptarë që kanë shkuar jashtë vendit, ndërsa këtë vit nuk bëhen më shumë sesa 40 veta. Është viti i parë në 26 vite që nuk mendojmë se do të kemi organizime as për fundin e vitit”.

Shqipëria është 1 nga 6 vendet në botë që lejon lëvizjen e shtetasve pa tampon dhe pa karantinë. Kjo sipas tur operatorëve ngjall interes tek turistët e huaj, por për shkak të pandemisë rezervimet janë të pakta.

“Po, ka pas një farë interesi, por ky interes ka qenë vetëm në rang rajonal. Ka pasur nga Kosova, Maqedonia, Serbia veçanërisht. Jep një farë shprese që do të ketë më shumë turistë”

Sipas shoqatës së tur operatorëve rreth 50% e agjencive e kanë pezulluar ose ndërprerë përfundimisht aktivitetin e tyre, që ka sjelle një largim prej 70% të punonjësve të tyre. Varkën e fundit të shpëtimit shohin një pakete rimëkëmbje, e cila do të krijonte mundësi për të mbijetuar.