Reshjet rritën nivelin e Fierzës në kuotën 267.4 metra, rezerva energjetike e ulët, vendi sërish përpara një situate të vështirë

151
Sigal

Reshjet e shiut të javës së shkuar kanë dhënë efekte pozitive, duke rritur nivelin e hidrocentralit më të madh në kaskadën e Drinit, Fierzën, nga pika kritike nën 259 metra në 267.46 metra.

Të dhënat e fundit të përditësuara këtë të martë nga Korporata Elektroenegjetike Shqiptare tregojnë se nivelet e liqeneve të hidrocentraleve në kaskadë janë konkretisht 173.38 metra për Komanin dhe 74.71 për Vaun e Dejës.

Prurjet natyrore në kaskadë kanë rënë ndjeshëm në raport me pak ditë më parë dhe në Fierzë ato janë 405 m3/s, HEC Koman 180 m3/s, HEC Vau i Dejës 20 m3/s.

KESH bëri të ditur se prodhimi ditor në të tre HEC-et është: 9663 MWh (ditor). Me konsumin që luhatet mes 20-23 mijë MWh, kjo do të thotë se më pak se gjysma e energjisë që konsumohet po prodhohet në vend, ndërsa pjesa kryesore po importohet.

Rezerva Energjetike në kaskadë është 437.98 GWh.

Kaskada e Drinit menaxhohet në bazë të një rregulloreje të hartuar në vitin 1988. Rregullorja parashikon edhe nivelet në të cilat duhet të mbahen liqenet e kaskadës gjatë dy kohëve. Për Fierzën, për shembull, niveli i liqenit në periudhën 1 prill – 1 tetor në rregullore është në kuotën 295 absolute, 296 relative. Për periudhën 1 tetor – 1 mars, niveli është në kuotën 289 metra absolute dhe 290 metra relative.

Nëse u referohemi niveleve aktuale që ka kaskada sipas rregullores mund të themi se jemi sërish përpara një situate të vështirë, ku vendi po hyn në sezonin e verës me nivele dukshëm të ulëta, çka do ta kufizojë atë ndjeshëm për prodhimin e energjisë dhe importet pritet të jenë pjesa kryesore ku do të bazohet konsumi.