Rëndohet bilanci nga tërmeti, shkon në 7 numri i viktimave

569
Sigal

Deri më tani, sipas raportimeve nga terreni, janë 7 viktima që kanë humbur jetën nga tërmeti që ka shkundur Shqipërinë. Në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët. Në prehërin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorrën gjallë nipin e vogël. Edhe në Durrës ku dëmët janë të shumta, një i pajetë u nxorr nga rrënojat e një pallati të shembur në lagjen numër 18.

Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i përfshirë nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.

Pas lëkundjes të fortë 6.4 ballë thuajse të gjithë qytetarët dolën në rrugë, shumica u larguan me automjete në zona të parrethuara nga ndërtesa, duke krijuar një situatë kaosi edhe në rrugë. Qytetet si rrallë herë u zgjuan jo nga lindja e diellit, por nga goditjet e forta sizmike të orës 03:53. Fatkeqësisht, një grua e moshuar u zu e gjallë nën rrënoja, teksa me siguri ajo ka qenë në gjumë. Policia vijon kërkimet në rrënojat e hotel Mia Mare në Durrës.