Rekord historik i shqiptarëve, 200 mijë aplikime për lotarinë amerikane

319
Rekord historik. Kështu konsiderohet numri i aplikimeve të qytetarëve shqiptarë për lotarinë amerikane në këtë sezon, që nisi më 1 tetor dhe përfundoi më 3 nëntor. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia BIRN, e cila i referoehet shifrave të publikuara nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sipas të dhënave të publikuara 198,625 aplikantë kanë plotësuar 200 mijë aplikime, personalisht ose si familje, për t’u zhvendosur në vendin e ëndrrave.
Ky është një rekord historik. Departamenti Amerikan i Shtetit publikon të dhënat mbi numrin e aplikantëve që nga viti 2007 dhe asnjëherë gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur kaq shumë aplikantë. Në 2015 pati mbi 27 mijë aplikime më shumë se në 2014 dhe 76 mijë aplikime më shumë se në 2013.
Përgjatë kësaj periudhe, numri më i vogël i aplikimeve shënohet në vitin 2011 me 87 mijë ëndërrimtarë. Viti 2011 qe edhe viti i parë i heqjes së vizave nga zona Shengen për Shqipërinë, viti kur një numër i stërmadh shqiptarësh vizituan për herë të parë Europën.
“Kam aplikuar për lotarinë amerikane rregullisht prej 10 dhjetë vjetësh dhe për mua është bërë si një rit të cilin e provoj pavarësisht gjasave të pakta për të fituar”, tha për BIRN, Ervini, një 38-vjeçar nga Tirana i cili punon si operator marketingu, pavarësisht se ka dy diploma bachelor në drejtësi dhe ekonomi dhe një master në financë. “Dua të emigroj jashtë shtetit sepse nuk e shoh Shqipërinë si një vend të sigurt, pasi këtu nuk ka vazhdimësi ligjore, gjithçka ndryshon me ndërrimin e partive,” shton ai. Por këtë vit Ervini nuk do të jetë vetëm. I sapomartuar me një të diplomuar arti, Anxhelën, ata shpresojnë se ndërrimi i statusit nga beqarë në të martuar do t’i sjellë fat. “Kam aplikuar edhe një herë përpara se të njihesha me Ervinin, por uroj që martesa të jetë një ogur i mirë për ne,” thotë për BIRN Anxhela, një studente 24-vjeçare që është diplomuar në regji filmi, e cila ka humbur së fundmi punën pas falimentit të një televizioni. “Për mua Shqipëria është vendi ku të jesh artist do të thotë të mos marrësh dot frymë, vendet e punës paguhen keq dhe duhen gjetur me mik,” shton ajo.
Sigal