Përmes një postimi në facebook, kryeministri Edi Rama ka publikuar mënyrën se si do të merret leja për të shkuar në punë me makinë duke nisur nga dita e hënë.
Sipas Ramës, rruga e re është më e shpejtë dhe më efikase, ndërsa kujton edhe një herë pasojat ligjore e penale për shkelësit e rregullave.
Shefi i qeverisë poston edhe një video ku tregohet rruga që duhet ndjekur.
Postimi i plotë i Ramës:
Leje-dalja me automjet përmes e-albania i jep fund e-maileve dhe pritjeve të deritanishme për përgjigje.
Ju lutem atyre që duan autorizim për të shkuar në punë javën tjetër të ndjekin me vëmendje video-udhëzimin dhe të testojnë sistemin e ri që përmes e-albania i jep fund pritjeve për aprovimin e autorizimit.
Lexoni me vëmendje në hyrje të portalit e-albania lajmërimin që ju shfaqet, ku do të gjeni qoftë kategoritë e lejuara këtë javë për punë, qoftë protokollin sanitar të sigurisë.
E përsëris, sistemi po testohet që deri nesër të jetë plotësisht funksional, prandaj mos u mërzisni nëse do të hasni ndonjë vonesë në aprovim, sepse pjesëmarrja juaj në testim ndihmon në kolaudimin e sistemit.
Lexoni po ashtu me vëmendje pasojat ligjore e penale për shkelësit e kufizimeve të posaçme anti-covid të qarkullimit në këmbë apo me automjet.






















