Rajna Kovaçi: 8 Marsi një klishe e zbrazur nga kuptimi?,…Nuk është ditë feste

187
Sigal

A e dini se kur është dita Ndërkombëtare e burrave? Jo? Madje as e dimë se egziston një ditë e tillë? Thonë se është 19 nëntori, në përgjithësi është një datë anonime në kalendar. Por të gjithë e dimë se 8 marsi është –Dita e gruas, apo jo?

Dhe madje shumica prej nesh janë të vetëdijshme se kur u shfaq më shumë se një shekull më parë, kjo ditë simbolizonte luftën për të drejtat e grave punëtore – fillimisht në fabrikat e veshjeve të Amerikës, dhe më pas – në përgjithësi, në të gjithë botën.

Dhe fillimisht u shpall nga Internacionalja Socialiste si një festë e grave punonëtore dhe e luftës së tyre për barazi me burrat.

Përse e festojmë akoma? Për mua nuk është ditë për t’u festuar…

Megjithatë, barazia gjinore ende nuk është arritur për dekada. Egziston hendeku i pagave, i cili është mesatarisht më i lartë për burrat në Bashkimin Evropian (BE) në tërësi. Por në përgjithësi, ky është një nga problemet që ka Shqipëria. Dhe një nga gjërat që nuk bëjmë  luftën e duhur. Po, ne gratë shqiptare kemi shumë probleme! Një problem i madh është dhuna në familje, që ka marrë përmasa të frikshme, vrasjet makabre që ndodhën para pak ditësh. Por zgjidhja e saj shkon përtej sigurimit të të drejtave dhe mundësive të barabarta për të votuar, për të punuar dhe arsimuar në nivel normativ dhe shoqëror. Ne jemi të pambrojtura, nuk kemi siguri për jetën tonë dhe të vajzave tona.

Ministre, deputete dhe kryetare e parlamentit, që nuk ia kanë idenë e çmimeve ushqimore, që nuk dinë sa kushton një bukë apo një kg.djath. Duket sikur janë njerëz që vijnë nga ndonjë planet tjetër. Askush nuk merr përgjegjësitë e duhura. Shteti është jashtë orbite. Populli dhe gratë në veçanti janë në një gjendje shumë të vështirë.

Po, ngadalë dhe për shumë vite, 8 Marsi është shndërruar në një festë thjesht për gratë dhe një rast për t’u kushtuar vëmendje, për të dhuruar lule, për të shkuar në darkë ose drekë, sipas zakonit të vjetër të kohës së socializmit, ende organizohen festime dhe argëtime, të cilat shpesh përfundojnë në gjëra që disa gra më të ndjeshme do t’i përshkruanin si poshtëruese për seksin femëror.

Ky festim më duket shumë i panevojshëm dhe më qesharak si festimi masiv, duke ditur se sa shumë probleme kanë gratë e sotme shqiptare duke filluar nga dhuna në familje, gjendja e rëndë ekonomike, papunësia që është shumë e lartë, situata e vështirë që kaloi gjatë pandemisë si dhe pas saj. Mungesa e rimbursimit për përballimin e kësaj situate shumë të vështirë. Ndryshe nga shtetet e tjera europjane këtu tek ne shteti nuk mori asnjë përgjegjësi për t’u gjendur sado pak familjeve dhe grave në veçanti. Situata e rëndë ekonomike, çmimet e larta të shportës së ushqimeve që rriten çdo ditë. Pra mua më duket se është thjesht një takim i zbrazët.

Askush nuk e di se çfarë saktësisht festojmë ne. A nuk janë gratë dhe vajzat në datën shtatë apo në datën nëntë mars? Për çfarë saktësisht duhet t’u jepen lule në një ditë të caktuar? A nuk është seksi më i bukur i veçantë edhe në 364 ditët e tjera të vitit? Çfarë saktësisht festojmë tek gratë në 8 Mars?

Ashtu si burrat janë këta që marrin të gjitha rolet që ata duan çdo ditë – dhe këto nuk kanë ndonjë datë të caktuar për të festuar. Nënat, bashkëshortet, koleget, amvisat, punëtoret, eprorët, vartësit janë po aq të veçanta , edhe pse në një mënyrë tjetër. Dhe të festosh ekzistencën e një grupi njerëzish që përbëjnë gjysmën e planetit – pikërisht kështu – është e panevojshme dhe e parëndësishme.

Për mendimin tim, theksimi i festimit  vetëm i një gjinie është në fakt një festë përçarëse dhe kundërshtimi, e cila në vetvete është një formë pabarazie gjinore, por për shkak se, edhe pse boshe në përmbajtje, është një festë masive, që ne e festojmë për inerci, 8 Marsi është shpesh një festë, për përgatitje, burim tensioni dhe madje ethesh.

Shumë gra këmbëngulin ta festojnë dhe presin të marrin lule ose ndonjë dhuratë, në përputhje me rrethanat. Shumë burra, për të patur “paqe” ofrojnë lule si detyrë për të rritur numrin, ja ashtu formalisht. Dhe kështu miliona çifte përgatisin një festë hipokrizie…

Në anën tjetër janë feministet më militante, që thjesht presin që dikush t’i përgëzojë, ose t’u dhurojnë një lule, në mënyrë që ata të mund të shajnë për Klara Cetkin dhe se si bota përdor 8 Marsin si një justifikim për të shkelur të drejtat e tyre. Të gjitha ditët e mbetura dhe gjëja më e logjikshme do të ishte thjesht të ishim indiferente ndaj kësaj date për shkak të mungesës së përmbajtjes që ka. Ashtu si jemi indiferentë ndaj 19 Nëntorit.

Sivjet nuk më bëhet të festoj mbas gjithë atyre vrasjeve dhe keqtrajtimeve që u kanë bërë grave dhe vajzave shqiptare krimi i organizuar. Duhet të vazhdojmë luftën tonë të gjitha gratë dhe vajzat të bashkuara. Çfarë reagimi kanë gratë ministre, duke filluar që nga Kryetarja e Parlamentit shqiptar që është grua? Po Deputetet a e dëgjojnë zërin tonë? A kanë ndopak përgjegjësi të gjitha këto gra që gjoja janë në pushtet? Asgjë nuk ka ndryshur, janë shtuar më shumë krimet, më shumë papunësi, më shumë prostitucion, më shumë varfëri, më shumë jetë të shtrenjtë. Pra unë si Rajna nuk kam nevojë për klishe pa kuptim…

Sipas Shtypit Gjerman:” 8 Marsi nuk Është Ditë për tu Festuar

Ndonëse sot në disa vende të botës Dita Ndërkombëtare e Gruas është festë zyrtare, në disa vende, ndërsa në disa vende të tjera jo, mendoj se nuk ka asgjë për të festuar, shkruan një editorial në “Schëebishe Zeitung”, Dita Ndërkombëtare e Gruas nuk është ditë për festime. Nuk ka asgjë për të festuar. Ndërsa gratë vazhdojnë të shtypen dhe shfrytëzohen, ndërsa ne gratë fitojmë më pak për të njëjtën punë, ndërsa gratë në poste të larta janë përjashtim, ndërsa ne duhet të luftojmë dy herë më fort për të njëjtën punë, ndërkohë që debatohet retorika korrekte gjinore, deri në marrëdhënie seksuale. Ngacmimi tolerohet, deri atëherë kjo ditë duhet të ekzistojë për të tërhequr vëmendjen ndaj këtyre veprimeve.

Për të pasur barazi në punë, duhet mbi të gjitha një ndryshim në mentalitetin e njerëzve. Lule për ditën e gruas, siç është zakon? Ju lutem mos! Do të ishte më mirë për burrat të na ndihmojnë ne gratë shumë më tepër nëse e shfrytëzojnë këtë ditë për të na pyetur se cilat janë padrejtësitë që na bëjnë? Çfarë na zemëron, ku mungon barazia. Çfarë mund të bëjmë sëbashku për të parandaluar dhunën e tmerrshme që po ushtrohet ndaj grave dhe vajzave? Kur ne gratë të arrijmë barazinë në shoqëri, mos të ketë më dhunë në familje, Dita Ndërkombëtare e Gruas mund të jetë festë…

Shovinizmi Mashkullor –Problem, të cilin duhet ta Zgjidhim Bashkë

Burrat dhe gratë seksistë formojnë dhe mbajnë gjallë një shoqëri të prapambetur dhe joadekuate. Ky qëndrim bazohet në një autoritarizëm sa të ndryshkur dhe të vjetër aq edhe të dëmshëm. Adresimi dhe largimi i tij nga institucionet dhe mentaliteti i popullit është përgjegjësi e të gjithëve.

Dy shekuj më parë, Viktor Hygo tha se barazia e parë është barazi. Shkrimtarë dhe mendimtarë të tjerë si Mary Ëollstonecraft, Virginia Ëoolf, Simone de Beauvoir, Elena Gjika apo Emilia Pardo Bazan ndanë gjithashtu dëshmitë e tyre për të na zgjuar. Idetë dhe mendimet e tyre patën potencialin dhe na ndihmuan të zgjohemi e të bënim njëfarë progresi lidhur me barazinë dhe lirinë. Megjithatë, shpesh duket se mezi e kemi kaluar vijën e fillimit me arritjet tona për barazinë gjinore. Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka pikëpamje shumë të qarta primitive për seksin femëror. Ai argumenton se “gratë janë në thelb edhe objekte të këndshme estetikisht”.

Ne jetojmë në një botë ku gratë janë të seksualizuara dhe inferiore në pothuajse çdo kontekst. Në një botë ku vetë ligjet erë shovinizmi, autoritarizmi dhe patriarkalizmi. Sistemi ynë është plot zbrazëtira dhe paragjykime. Këtë e dimë të gjithë. Rregullimi i bazave psikologjike, sociale dhe politike nuk është diçka, që mund ta bëjmë nga dita në ditë. Të ndryshosh sistemin do të thotë të ndryshosh mënyrën se si njerëzit mendojnë, pra mentalitetin e tyre. E vetmja mënyrë për ta arritur është vendosmëria dhe bashkëpunimi. Nëse nuk mund t’i përfshijmë të gjithë, të paktën na duhet një shumicë e konsiderueshme.

 “ I pari burrë që, krahasoi gruan me lule, ishte poet. I dyti, ishte idiot” –Volter-

Gratë dhe burrat shovinistë janë kudo rreth nesh, janë problem. Ato i kemi nëpër familjet tona, nëpër zyra, si dhe mes miqve dhe shokëve tanë. Ndoshta jemi mes njerëzve, të cilët e praktikojnë dhe e përjetësojnë shovinizmin, madje pa e kuptuar.

Veprimet, komentet ose reagimet tuaja mund të jenë shoviniste në themel. Kjo nuk do të thotë se je njeri i keq. Përkundrazi, ky është një reflektim i edukimit tuaj. Ai gjithashtu pasqyron se si kultura ndikon mbi të gjithë në mënyrë të heshtur dhe këmbëngulëse. Ju madje mund të jeni dikush që dënon hapur pabarazinë dhe dhunën ndaj grave. Megjithatë, shumica prej nesh mund të bien në grackën e shovinizmit kur nuk e presim.

Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të kuptohet se burrat dhe gratë shoviniste nuk lindin të tillë. Kjo nuk është një karakteristikë e lindur. As nuk është rezultat i ndonjë lidhjeje të trurit që na bën të veprojmë në një mënyrë të caktuar. Ashtu si ju mësoni të lexoni, t’i jepni biçikletës ose të mësoni përmendësh folje të parregullta në një gjuhë tjetër, njerëzit gjithashtu “mësojnë” të jenë seksistë. Ne ndjekim shembullin e të tjerëve dhe i lejojmë ata të hyjnë në ne.

Burrat dhe gratë seksiste dhe shoviniste janë produkt i një mjedisi që i trajton burrat si superiorë. Siç ndodh edhe në shoqërinë tonë ata përvetësojnë  dhe thithin këtë ide gjatë gjithë fëmijërisë dhe adoleshencës së tyre. Jemi të vetëdijshëm se stereotipet gjinore fitohen që në moshë të re. Revista Science botoi kohët e fundit një artikull, që tregon se vajzat fillojnë të ndihen “më pak të zgjuara” se djemtë në moshën 6-vjeçare, për shkak të mënyrës se si ne i rrisim fëmijët tanë, sipas edukatës që i japim ne.

Dhe e gjithë kjo është rezultat i asaj që ata shohin në jetën e tyre të përditshme, ideve që ne u komunikojmë si dhe edukatën që u japim atyre. Për shembull, ne nënat shqiptare kur rrisim djem, vazhdimisht ne përforcojmë individualitetin e tyre. Ky është tipari kryesor i shovinizmit ku sundon pushteti dhe epërsia. Kjo është fasada që burrat duhet ta ruajnë me çdo kusht. Në këtë klub maço, të vetmet emocione të lejuara janë autoriteti dhe dëshira seksuale.

Flakeni  tej shovinizmin Nuk është aspak e lehtë. Megjithatë, lëvizjet si #MeToo ose lëvizja spanjolle #Cuentalo po i nxjerrin në pah këto çështje. Ato ofrojnë mbështetje sociale për gratë dhe i inkurajojnë ato të flasin. Ata i fuqizojnë dhe u tregojnë se nuk janë vetëm. Gjëja e dytë që arrijnë këto fushata është ndërgjegjësimi dhe thirrja për të parë padrejtësitë, që kanë ekzistuar gjithmonë. Ato hedhin dritë mbi diskriminimin, dhunën ndaj grave, seksualizimin e grave dhe ligjet seksiste.

Nëse mund të çlirohemi nga kufizimet që na krijon shovinizmi, duhet të fitojmë. Të gjithë do të marrim frymë thellë, më lehtë dhe do të jemi më të lirë. Ka njerëz që mendojnë se gratë kanë “mjaftueshëm” barazi. Megjithatë, gjithçka që duhet të bëjmë është të shikojmë përreth dhe të kemi pak ndjeshmëri për të kuptuar se nuk është kështu. Qëndrimet shoviniste janë kudo. Mënyra se si një burrë flet me bashkëshorten, mënyra se si një nënë e rrit djalin e saj. E shohim në reklamat, në këngët me të cilat kërcejmë, por nuk u kushtojmë shumë rëndësi fjalëve… Mos harroni, ndryshimi është i mundur vetëm nëse të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë themel që duhet ta ndërtojmë.

Për më tepër, nuk mjafton të shohësh dhe të ndjesh. Ndërgjegjësimi është i pavlefshëm nëse nuk marrim masa. Nuk ka kuptim të dimë për këtë nëse nuk jemi të aftë të krijojmë një shoqëri të bazuar në barazi, respekt, liri dhe drejtësi të vërtetë.