Djegia e mbeturinave në Vlorë, vijon të mbetet një problem, që nuk po merr zgjidhje. Në mes të ditës e natës, në qiell të hapur, vijohet me grumbullimin dhe djegien e mbeturinave pa asnjë shqetësim. Pavarësisht rrezikut të vazhdueshëm, që i kanoset mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, zjarrvënia e mbeturinave nuk ka të ndalur. Janë të shumta dhe denoncimet e qytetarëve, që ankohen për këtë problem.
Nga kjo situatë, të prekurit janë qytetarët, të cilët vuajnë pasojat që vinë nga vendgrumbullimi i hapur i mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës, teksa Bashkia nuk po përdor metodën e dekompozimit të mbyllur.
E ndërsa pasojat rëndojnë mbi qytetarët, ku janë fondet e vëna në dispozicion për plehrat dhe përse nuk riciklohen apo vihet në funksion një incenerator?
Denoncimet e banorëve në qytetin bregdetar, tregojnë se prej 1 muaji, vendi mbulohet nga tymi që çlirohet nga djegia e mbeturinave duke u kthyer në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve, i madh dhe i vogël.
Disa banorë tregojnë: “Punojmë këtu për t’u ushqyer, dhe çdo ditë ka tym dhe zjarr, asnjëherë nuk është shuar zjarri. Dita e punës për një banor që mbledh kanaçe dhe plastika shkon deri në 20 mijë lekë të vjetra. Dhe në këtë zonë çdo ditë punojnë me dhjetëra banorë”,- tha një banor.
Fusha e mbetjeve urbane të qytetit të Vlorës prej shumë kohësh vijon të çlirojë tym toksik, edhe pse punohet për të minimizuar flakët dhe tymin ajo sërish krijon probleme serioze për banorët dhe punëtorët.