QKB i bashkohet portalit të regjistrave të biznesit të Ballkanit Perëndimor

580
Sigal

U mbajt sot mbledhja e bordit drejtues të Portalit Rajonal të Regjistrave të Biznesit (BIFIDEX),  ku u nënshkrua dokumenti që mundëson pjesëmarrjen e regjistrit tregtar që administrohet nga QKB.

Në këtë takim rajonal mori pjesë drejtoresha e Qendrës Kombëtare znj.Pranvera Fagu Behushi, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, z. Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri, z. Jason Ivory, Zëvendës Shefi i Misionit, Ambasada Britanike në Shqipëri, si dhe z. Milan Milan Lučić, Presidenti i Bordit Drejtues të Portalit Rajonal të Regjistrave të Biznesit – BIFIDEX.

Me pranimin e regjistrit tregtar shqiptar, të administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, zgjerohet numri i regjistrave të përfshirë në këtë portal, duke e çuar në pesë anëtarë aktivë: Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina (Republika e Srpska). Ndërkohë, pritet që Kosova dhe Bosnja dhe Hercegovina (Federata e Bosnje dhe Hercegovinës) do t’i  bashkohen BIFIDEX gjatë vitit 2020.

Gjatë fjalës së saj znj.Behushi shprehu një falënderim të veçantë për Fondin për Mirëqeverisje të Mbretërisë së Bashkuar (GGF UK) dhe bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për mbështetjen financiare të dhënë për realizimin e këtij projekti, si dhe për Bordin Drejtues të Portalit, si përfaqësues i të gjitha regjistrave rajonalë të biznesit nga vendet e  Ballkanit Perëndimor.

Gjithashtu ajo theksoi se QKB vijon të mbetet e angazhuar për lehtësimin e mëtejshëm të procesit rë regjistrimit të biznesit, si dhe për rritjen e transparencës.

“Falë këtij projekti mundësohet komunikimi në korë reale i të dhënave të besueshme, të përditësuara për të gjitha subjektet tregtare të regjistruara në regjistrat tregtare të vendeve pjesëmarrëse, si dhe mundësohet baza për krijimin e shërbimeve globale për të gjitha subjektet në shtetet palë.  Gjithashtu portali do të mundësoje ndërlidhjen e bizneseve shqiptare me ato të rajonit, duke bërë të mundur rritjen e bashkëpunimin ekonomik dhe tregtarë të vendeve të rajonit”, tha zj.Behushi.

Drejtuesi i BERZH për Shqipërinë z. Matteo Colangeli tha se është është i lumtur që Shqipëria iu bashkua këtij regjistri, një iniciativë kjo e mbështetur nga BERZH që nga viti 2015. “ Ne shprehim gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin ne QKB-në për të rritur cilësinë dhe aksesin në të dhënat e biznesit në Shqipëri, gjë e cila është shumë e rëndësishme për tërheqjen e investimeve dhe politikëbërjen në fushën ekonomike”, tha z.Colangeli.

Ndërsa Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, gjatë fjalës së tij theksoi se qeveria shqiptare po ndërmerr një sërë reformash për të përmirësuar klimën e biznesit, si dhe për të nxitur bashkëpunimin rajonal në fusha të ndryshme të ekonomisë.

BIFIDEX ka ofruar mbështetje për më shumë se 700,000 ndërmarrje dhe subjekte tregtare dhe më shumë se 2,000,000 përfaqësues dhe pronarë të kompanive.