“Qiriri mbetet i ndezur çdo ditë”, italiania që jeton në Durrës flet për humbjen e të atit nga koronavirusi: Hirin e tij e kemi në shtëpi

293
Sigal

Roberta Zaninoni është një prej qindra italianëve që periudhën e pandemisë së koronavirusit, e kalon në Durrës, qytetin që ju bë si një shtëpi e dytë.

Roberta, nënë e një vogëlusheje nuk do ta kish marrë kurrë me mend se takimi me prindërit në Bergamo, vendlindja e saj do ishte edhe takimi i fundit me babain e saj 71-vjeçar.

Pandemia i mori babain në 13 mars dhe Roberta e pati krejtësisht të pamundur që të ishte fizikisht pranë familjes së saj. Por nga matanë Adriatikut, nga Durrësi ku jeton me bashkëshortin, vajzën dhe familjen e tij, ajo i ndez një qiri babait, i cili në 1 maj kishte ditëlindjen.

Në një intervistë për News24 Roberta thotë se “prej 2 muajsh është karantinuar në Durrës dhe thotë se kryeministri shqiptar Edi Rama e kapi në kohë situatën dhe mori masat e duhura.

“Ne dalim vetëm për emergjencat dhe për shpenzimet nga shtëpia. Qëndrimi në shtëpi me vajzën nuk është i lehtë. Por vajza po merr mësimet online. Këtë kohë ne si prindër po ja kushtojmë familjes sonë.”, tha ajo.

Roberta kujton humbjen e të atit në spitalin Alzano të Bergamos.

“Babai im ka vdekur në 13 mars dhe gjithçka ishte e mbyllur e nuk mund të shkonim në Itali. Kur na erdhi lajmi nuk mund të bënim as funeral dhe asgjë tjetër se nuk mund të lëviznim. Nuk e di kur do shkoj në Itali për t’i dhënë lamtumirën e fundit.

Ajo që shihni në foto janë hiri i tij. Ende e kemi në shtëpi sepse ende nuk kemi arritur ta bëjmë një varrim siç e meriton. Qiriri mbetet i ndezur çdo ditë dhe çdo mbrëmje dhe bëjmë një lutje për të dhe për të gjithë të vdekurit.”, pohoi ajo.

Roberta dhe bashkëshorti i saj italian prej 6 vjetësh jetojnë në Durrës. Në Durrës i kanë mirëpritur dhe ai është kthyer në shtëpinë e saj të dytë. Familja e bashkëshortit gjithashtu jeton në Durrës.

“Edhe vjehrra, madje edhe stërgjyshja nga bashkëshorti janë dashuruar me qytetin e Durrësit. Ato më ndihmojnë me vajzën dhe jetojmë së bashku. Bashkëshorti është i pari biznesmen që solli pemën e Paulanies dhe merret kryesisht me agrikulturë.”, tha ajo.

Roberta ka hapur një qendër estetike dhe ajo thotë se shqiptaret na kanë përkrahur. “Ndjehemi qetë e jemi mirë në këtë qytet.”, përfundoi ajo.