Qeveria “shet” Korporatën e Investimeve. Pasi i dha 38 milionë euro, nuk realizoi asnjë projekt

130

Aktualisht, superkompania publike administron pa asnjë projekt 38 milionë euro, por, megjithatë, shpenzoi 350 mijë euro për pagat dhe honorarët e 5 punonjësve, që raporton në organigramë

Sigal

 Qeveria po i jep duart Korporatës Shqiptare të Investimeve, pasi hapi thesin për dy vite rresht. Ministria e Financave kërkon të heqë dorë edhe mbi pronësinë, pasi e konsideron një institucion me humbje dhe pa produktivitet. Aktualisht, superkompania publike administron pa asnjë projekt 38 milionë euro, por, megjithatë, shpenzoi 350 mijë euro për pagat dhe honorarët e 5 punonjësve, që raporton në organigramë raporton Angjelo Haruni.
Katër vite pasi nuk paraqiti asnjë projekt, Ministria e Financave po kërkon “të shesë” Korporatën Shqiptare të Investimeve. Projektligji i publikuar më 20 mars në faqen e Ministrisë së Financave, e sheh si barrë këtë institucion, që ka rënduar buxhetin me paga të larta dhe kosto operative.

Në kushtet e reja, të krijuara Ministria e Financave kërkon të tërhiqet juridikisht dhe financiarisht nga Korporata Shqiptare e Investimeve dhe në relacionin, që shoqëron këtë projektligj, Ministria e Financave ia delegon pronësinë Këshillit të Ministrave.

“Togfjalëshi “Ministria përgjegjëse për ekonominë” të zëvendësohet me “përfaqësues i pronarit”. Kjo e drejtë i takon pronarit për të autorizuar një entitet publik vendas ose të huaj si përfaqësues të tij, në përshtatje me objektin e veprimtarisë që ushtron entiteti përkatës”, – citon relacioni që shoqëron këtë draft.

Katër vite pasi nuk paraqiti asnjë projekt, Ministria e Financave po kërkon “të shesë” Korporatën Shqiptare të Investimeve. Kapitali i kësaj shoqërie u rrit me 2.12 miliardë lekë të tjera. Rritja e buxhetit erdhi në një kohë kur kompania nuk kishte prezantuar asnjë projekt.

Ndryshimi duket disi surprizë, kur vetë Ministria e Financave iu përgjigj pak ditë më parë Investigative Network Albania-s se duhej më shumë besim te Korporata, pasi si institucion i ri kishte nevojë për mbështetje buxhetore dhe kohë.

“Projektet e para do të finalizohen në vitin 2023”, – tha Ministria e Financave, vetëm një javë përpara se të publikonte draftin e ri.

Korporata po ashtu do të jetë e detyruar të shkrijë edhe bordin e mbikëqyrjes, si dhe të kërkojë vetë fonde për të mbijetuar, pasi Ministria e Financave refuzon ta mbështesë me buxhet. Pasi ka analizuar bilancet financiare të kompanisë, Financat e konsiderojnë jorentabël.

Këto ndryshime vetëm brenda harkut kohor të një jave, ish-ministri i Ekonomisë, Zef Preçi, i sheh si një përpjekje për ta kaluar në heshtje dështimin e radhës.

“Ajo çka ndodh tani, kur qeveria kërkon të bëjë një dalje elegante nga situata që ka krijuar, është diçka e pritshme dhe aspak befasuese. Dhe jo vetëm të shkëputet nga Korporata, por të heqë dorë nga vetë nisma, për ta konsideruar një nga dështimet e shumta.”, – deklaron Preçi për INA MEDIA-n.

Korporata Shqiptare e Investimeve do të ishte “harruar” krejtësisht, nëse në fillim të këtij viti qeveria nuk do të kishte bërë dy pagesa të majme në llogari të saj. Edhe pse paralelisht Ministria e Financave po punonte për t’i prerë fondet, në fund të vitit të shkuar, përmes ndryshimeve në buxhetin e shtetit, kapitali i kësaj shoqërie u rrit me 2.12 miliardë lekë të tjera. Rritja e buxhetit erdhi në një kohë kur kompania nuk kishte prezantuar asnjë projekt.

Pagesat fizike u bënë përgjatë muajit janar 2023, duke e çuar në total buxhetin e Korporatës në 4.3 miliardë lekë ose 38 milionë euro.