Qeveria merr revansh! Tani, me ligj të ri, cakton edhe pagën minimale në shkallë vendi!?

158
Sigal

“Negocimi i pagës minimale në shkallë vendi, i mbështetur edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), do të jetë pjesë e vendimarrjes politike dhe, nuk ka të bëjë me praktikën ndërkombëtare të shumicës së shteteve të BE, që, këtë të drejtë, ua lenë partnerëve socialë!”

Qeveria aktuale nuk ndalet! Duke mos njohur asnjë nga ligjet, që ka firmosur e vulosur vetë dhe, i ka çuar t’i miratojnë ligjvënësit! Tani së fundmi, një tjetër propozim i ekzekutivit, i heq mundësinë partnerëve sociale të negociojnë pagën minimale në shkallë vendi! Projektligji i ri “Për përcaktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, i miratuar në qeveri dhe i dërguar në kuvend, i heq çdo mundësi punëmarrësve dhe punëdhënësve, që të negociojnë mes tyre pagën minimale dhe, të vendosin se cili është kufiri, që përballohet nga të dy palët! Këtë të drejtë e merr kryeministri! Akti i fundit ligjor, i dërguar për miratim, nuk merr për bazë, as edhe ligjin ekzistues, mbi të cilin funksionon Këshilli Kombëtar i Punës, një institucion kushtetues, ku arrihej dakortësia mes partnerëve socialë, pra punëmarrësve, punëdhënësve dhe qeverisë! Ky “ansambël” prej 27 njerëzish, kur 10 janë sindikata, 10 janë shoqata biznesi dhe 7 janë ministra të qeverisë, tashmë nuk do të ekzistojë më, edhe pse në letër mbetet i tillë. Nuk do të ekzistojë, sepse një nga funksionet e tij ligjore, pra negocimi i pagës minimale në shkallë vendi, i mbështetur edhe nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), do të jetë pjesë e vendimarrjes politike dhe, nuk ka të bëjë me praktikën ndërkombëtare të shumicës së shteteve të BE që, këtë të drejtë, ua lenë partnerëve socialë! Qeveria, e cila e ka rritur vetëm pak ditë më parë me 17,6 për qind pagën minimale, pa asnjë konsultim dhe pa e diskutuar me asnjë nga aktorët në treg, nëpërmjet këtij ndryshimi ligjor, tashmë e ka vendosur që, vitin e ardhshëm paga minimale do të shkojë 45 mijë lekë dhe ca muaj më vonë plot 60 mijë lekë!?

Askush nuk e ka kuptuar se si i kanë dalë kështu këto llogari qeverisë! Pra pse 40 mijë dhe jo 80 mijë që në këtë vit, meqë jemi edhe në fushatë zgjedhore! Ose pse 60 mijë pas dy vitesh dhe jo 100 mijë, se është më e pranueshme si pagë minimale, meqë janë edhe zgjedhjet e përgjithshme, që zgjedhin edhe Kuvendin e, pas saj, edhe qeverinë! Nuk ka asnjë tefter ku bëhet kjo llogari e qeverisë dhe e ministrisë së saj të Financave dhe Ekonomisë, që është përgjegjëse, jo vetëm për pagën minimale, por edhe për produktivitetin, edhe për inovacionin, që rrit produktivitetin dhe mbështet edhe rritjen ekonomike, edhe për shumë gjëra të tjera! Jo! Tashmë “u tha, u bë”! Paga minimale është “atribut” i qeverisë dhe VETËM i saj! Nuk ka ndaluar këtu! Sepse brenda 2023-2025 shqiptarët e punësuar në shtet do të marrin, as më shumë e as më pak. por mesatarisht 102 mijë lekë, apo sa thotë qeveria: 900 Euro! Hallall! Po kjo është punë e qeverisë dhe e “xhepit” të saj! Ka para? Rrit pagat! Nuk ka para? I ul ato! Tjetër mesele është kjo e pagës minimale, që ekspertët e quajnë edhe si “gjoba” e qeverisë” për efekt të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore! Këtu fle “lepuri”! Nga rritja e pagës së tanishme minimale, pra ajo 17, 6 për qind, “shteti” arkëton rreth 15 milionë euro në buxhetin e varfër të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore! Janë hiçgjë! Nëse numëron se sa miliardë lekë në vit paguan buxheti për të mbajtur në këmbë skemën e pensioneve, që mbeti e tillë dhe nuk ka asnjë zgjidhje, përsa kohë nuk ka një model të ri ekonomik, që rrit ekonominë, shton punësimin dhe përmirëson raportin kontribues-përfitues për skemën e pensioneve, këto janë HIÇGJË! Në këtë skemë ne mbetemi “bisht qeni” edhe për shumë kohë, aq sa Banka Botërore (por jo vetëm) ka filluar të na qajë hallin, duke na treguar edhe nja tetë masa, që duhet t’i marrim sot që, të mos lemë pa pension nesër (në vitin 2030) pensionistët që shtohen me shifër dy shifrore çdo vit! Mbase ia del që, duke rritur pagën minimale, të gjejë ca para pensioni! Por ekspertët e ekonomisë “nuk e hanë këtë”! Sepse nuk ka ndodhur askund që, me rritjen e pagës minimale (sado të rritet ajo), të kompensohet skema deficitare e pensioneve të pleqërisë! Tani mbetet që ne të bëjmë analiza dhe qeveria të ndryshojë vendimet! Tani mbetet që qeverinë të mos e pengojë asnjë! Të mos reagojë asnjë! As bizneset! As sindikatat! As opozita! As… Vazhdo qeveri! Eshtë qari yt që këtu nuk ka asnjë shënjë që mund të të pengojë të “shkelësh ligjin”!