Qeveria i trajton ca të nënës dhe ca të njerkës, jep 100 milion euro në një ditë për oligarkët dhe lëmoshë 8 mijë lekë për pensionistët

Të dhënat nga pagesat e thesarit tregojnë se pjesa më e madhe e tyre mbi 90 për qind po shkon për kompanitë e ndërtimit, që kishin kontrata me qeverinë. Qytetarët janë ato që e pësojnë në fund pasi të tilla pagesa jo të zakonta të përqendruara krijojnë kushte artificiale për rritjen e çmimeve.

NOA

Ndërsa pjesa më  e madhe e shqiptarëve po e mbyllin këtë vit mes borxheve dhe varfërisë, qeveria u kujtua të zgjidh thesin në fundvit. Por, në fakt ky thes mban erë. Me datë 29 dhjetor Kryeministri Rama, përmes një postimi publik, njoftoi se për fundvit qeveria do të shpërndajë 8 miliardë lekë si ndihmë për disa kategori të caktuara. 8.000 lekë përsecilin nga individët e përfshirë. Epo thesi i kryeministrit mban erë propagandë. Këtë e tregojnë dhe disa fakte të tjera. Sipas kërkimeve të vendimeve të qeverisë ndër vite rezulton se një shpërblim i tillë jepet për herë të parë nga qeveria Rama. Në çdo vit për pensionistët janë dhënë vetëm 3 mijë apo 5 mijë lekë si bonus për fundvit. Bonus që kësaj kategorie nuk iu del as për të blerë gjelin e detit për darkën e ndërrimit të viteve. Varfëria përveç organizmave ndërkombëtare si FMN që i konsideron shqiptarët të varfër e se jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë, u pa dhe në atmosferën e zymtë, ku pjesa më e madhe ku banojnë familjet e varfëra, nuk pati zbukurime dhe as drita shumëngjyrëshe të Vitit të Ri. Madje vullnetarë të shoqatave, që u ofrojnë ngrohtësi dhe pako me ushqime për natën e Vitit të Ri familjeve të varfëra.

1-Karamele elektorale

Fondi për t’u kompensuar qytetarëve duket qesharak ndaj miliona që shpërndau në një ditë për oligarkët, pasi 8 mijë lekë nuk do i lehtësojnë qytetarëve dëmin që iu shkaktua nga rritja e çmimeve. Ky vendim duket si një veprim propagande për fushatë elektorale, duke marrë parasysh faktin, ku flitet se qeveria fitoi rreth 700.mln euro nga rritja e çmimeve. Pra, 8 miliardë lekë nuk mbulojnë dot taksat e jo më çmimet e rritura. Kështu që praktikisht ky shpërblim do të jetë një karamele elektorale për shkak të zgjedhjeve vendore që po afrojnë. Prandaj mund të jetë kjo një arsye që do të fillojë në janar. Dhe pse jo ka shanse të zgjatet deri në mars, si shpërndarje me dy këste, në prag të zgjedhjeve.

2-Thesi për oligarkët

Fluksi i pagesave buxhetore është rritur ndjeshëm përgjatë muajit dhjetor në mbyllje të vitit. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se pagesat ditore, që çelen nga thesari arritën në rreth 12 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro më datë 27 dhjetor 2022. Kjo shumë ishte 8-10 herë më e lartë se pagesat ditore në ditët e fund muajit përgjatë gusht-nëntor 2022. Të dhënat të detajuara nga pagesat thesarit tregojnë se pjesa më e madhe e tyre mbi 90 për qind po shkon për kompanitë e ndërtimit që kishin kontrata me qeverinë. Kompanitë e ndërtimit po marrin fondet e garancive që ngurtësohen në buxhet kur nis zbatimi i kontratave. Gjithashtu kompanitë po marrin edhe pagesat për situacionin e punimeve. Një fond prej 2 miliardë lekësh, që zuri 18 për qind të pagesave ditore të thesarit me 27 dhjetor shkuan për Autoritetin e Aviacionit Civil. Pagesat më të zakonshme që po bëhen këto ditë janë honorarët për udhëtime të brendshme të aparatit shtetëror. Pagesat buxhetore nga thesari i shtetit variojnë nga 1-2- 3 miliardë lekë në ditë, para muajit dhjetor, por këto ditë ato janë shumëfishuar. Përqendrimi i pagesave buxhetore në muajin dhjetor lidhet jo vetëm më keqadministrimin e tyre, por edhe me një efekt negativ në ekonomi. Pagesa jo të zakonta të përqendruara krijojnë kushte artificiale për rritjen e çmimeve në këto ku inflacioni ka kapur majat.