Qeveria i ka bërë një dhuratë të çmuar me vlerë 250 mijë euro, Klodian Zotos, pikërisht në ditën e të dashuruarve.Të dhënat e Thesarit të Shtetit tregojnë se kanë paguar mbi 300 milionë lekë të vjetra në 14 shkurt 2023, në favor të kompanisë koncesionare “Integrated Energy BV”, për depozitimin dhe incenerimin e mbetjeve urbane në landfillin e Sharrës. Por, siç ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe siç provoi edhe një investigim i kryer nga Partia e Lirisë, kompania koncesionare nuk kryen procesin e incenerimit të mbetjeve urbane, duke rritur në mënyrë të ndjeshme kostot për institucionet publike, të cilat nuk marrin shërbimin e paguar. U paguan më 14 shkurt fatura prej rreth 220 milionë lekë të vjetra në llogaritë e koncesionarit IEBV. Ndërsa u lëvruan në favor të kompanisë së Zotos rreth 80 milionë lekë të vjetra. Shoqëria koncesionare e landfillit të Sharrës është krijuar në vitin 2016 dhe rol kryesor kishte Klodian Zoto. Ky i fundit është në kërkim prej më shumë se një viti, i konsideruar si një prej organizatorëve kryesorë të skemës mashtruese të inceneratorëve. Së fundmi, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, e dërgoi Zoton për gjykim, së bashku me shumë persona të tjerë, me akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave në procedurat tenderuese dhe zbatimin e kontratave koncesionare për inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit. Ndërkohë, SPAK nuk ka dhënë asnjë sinjal publik për hetimin e procedurave të inceneratorit të Tiranës.






















