Aksioni fasadë ndaj basteve i trumbetuar me sloganin si “Fundi i Marrëzisë” nga qeveria në 2015, duket se i erdhi fundi. Qindra persona u arrestuan, mijëra të punësuar u hodhën në rrugë dhe qindra pajisje u sekuestruan me pretekstin se po shkatërrohet ekonomia e familjeve dhe bastexhinjtë mbetën nëpër kafene. Sot “Rilindja” vendos rikthimin e basteve, jo më në lokale por ua çon familjarëve brenda në shtëpi nëpërmjet sistemit online, cka tregon se qëllimi nuk ishte ekonomia familjare, por ai nepotik dhe mbushja e arkës së shtetit
Ja si do shtohet rreziku për marrjen e overdrafteve prej bixhozit dhe peshqeshi i qeverisë për të shtuar faturën e dështimeve sociale
Rikthimi i basteve ka risjellë dhe situatën me shqetësime të shtuara në familjet shqiprtare, sidomos te gratë. Egziston frika se bashkë me bastet qytetarët do zhyten akoma më shumë në varfëri, do të rritet numri i ndarjeve nga zënkat dhe përkeqësohet dhuna në familje. Panorama e trishtë, ku një pjesë e mirë falë dixhitalizimit dhe pagesave në banka do bashatisin kartën, madje rritet dhe rreziku për të marrë overdraft për bizhoz, që vjen si peshqesh i Ramës, në një kohë kur çmimet janë rritur në stratosferë dhe burgu pret ato qytetarë që nuk paguajnë dritat, kur në vend që t’i subvencionojë, përdor fuqinë njësoj si në 2014 futi njerëz në burg për 2 mijë lekë fatura të papaguara. Qytetarët përballen më rroga dhe pensione më të ulëta në rajon. Të gjithë këto faktorë demostrojnë varfërinë e madhe në të cilën ndodhen shqiptarët e janë në paradoks me hapjen e basteve. Më herët kur ndaloi lojërat e fatit, citoi Biblën, Kuranin, Toran, dhe sot kërkon t’i legalizojë sërish, sepse mesa duket sa më shumë që i afrohet koha për t’u larguar, aq më shumë ka harruar se si u premtoi grave se tashmë duhet të ishin të qeta, se bastet janë e shkuara. Atëherë në fund të 2018-ës nuk i erdhi keq për 5 mijë të punësuar dhe 2 mijë qendra që jepeshin me qira, ku përmes tyre ushqeheshin rreth 100 mijë familje. Por tani mbase i dhimbset vetja dhe arka e boshatisur nga PPP, tendera dhe abuzime për të që flitet edhe në faqen e raporteve ndërkombëtare.
Rreziqet alarmante me hapjen e basteve
Rikthimi i basteve sportive, pa shpjeguar se cilët janë përfituesit më të mëdhenj të industrisë, e pa ndonjë strategji të re sociale, e bën akoma dhe më të paqartë përfitimin public, që u arrit nga ndalimi i tyre.Aktorët e sportit, duke përfshi KOKSH-in dhe drejtuesit e disa federatave, kanë rënë dakord që këto të hapen dhe një pjesë nga taksimi i tyre të kalojnë për zhvillimin e sportit në vendin tonë. Por nuk dalin të thonë se sa nevojë për financa kanë në çdo vit. Pikëpyetja tjetër ka të bëjë me ministrinë që përfaqëson sportin. Kjo ministri, apo vetë qeveria, duhet të kishte ngritur ndonjë grup pune dhe t’u kishte kërkuar të gjithë aktorëve, që kërkojnë rihapjen e basteve dhe rimbursim nga ky aktivitet, të kishte kërkuar llogari dhe të bënte një pyetësor se sa të ardhura grumbullojnë. Të bëhet edhe shpërndarja e grantit që do të përfitojë sporti në vendin tona nga pjesa e taksimit të basteve sportive. Thuhet se me rihapjen e basteve, aktiviteti do të funksionojë vetëm online, duke evituar sallonet e prekshme. Pse vallë luajtja e basteve online i mbron njerëzit nga vesi? Ngërçi në këtë pikë është se aktiviteti online është më i vështirë për t’u gjurmuar dhe taksuar, pa i hyrë pjesës legale dhe ilegale. Nëse do të luheshin në pika fizike, pa dyshim skedina e luajtur do të shoqërohej me faturë dhe kupon tatimor, si dhe do të punësoheshin edhe njerëz. Thuhet se çdo lojtar do të vërë baste duke përdorur mjetin e tij të identifikimit. Duke jetuar në Shqipëri, në një vend ku privatësia mungon dhe të dhënat e çdo personi kanë dalë sheshit, i bie se kjo metodë është edhe më e rrezikshme. Me të dhënat personale që janë publike në internet, mund të ndodhë që personat të përdorin identitete të rreme për të zhvilluar këtë aktivitet që kthehet në kriminal.
Ministrja e Arsimit mes bosëve të bixhozit, pro basteve para hapjes së vitit të ri shkollor
Takimi i kryeministrit Rama me bosët e federatave sportive, kreun e Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli dhe bosët e bixhozit, kishte dhe një paradoks. Mes bosëve të bixhozit, ishte dhe ministresha e Arsimit, Evis Kushi, si pjesë e grupit qeveritar përveçse pranoi që është një nga nismëtaret bashkë me Fidel Yllin dhe bosët e bixhozit, tha:– Jam shumë e lumtur, që sot po flasim për ri-hapjen basteve e llotove, mbasi ato do t’i japin një hov të ri zhvillimi të sporteve në Shqipëri. Para 4 vitesh ishte shumë e drejtë mbyllja e tyre, ndërsa tani është domosdoshmëri hapja, mbasi janë pjesë e edukimit sportiv. Është skandal përfshirja e saj në këtë skenar, mbasi Ministria e Arsimit, megjithëse ka në vartësi dhe sportet, ka program vetëm edukimin e nxënësve me sporte dhe jo me vesin e bixhozit.Është paradoks dhe shkelje e ligjit “Për Arsimin”, që ministresha e Arsimit, po merret me ri-hapjen e basteve, mbasi këto nuk janë përfshirë në ligj e programe mësimore si lëndë sportive. Madje në Rregulloren e Arsimit Parauniversitar, bastet dhe llotot janë kategorikisht të ndaluara, duke u klasifikuar si vese me burim kriminalitetin në shkollë e jashtë saj, njësoj si mbajta e armëve, shitja e përdorimi i lëndëve narkotike, pornografia, prostitucioni etj. Ato vërtetë quhen “baste sportive”, po nuk janë “program mësimor dhe edukim e zhvillim sportiv”, siç tha ministresha Kushi.. Madje ajo e quajti “prioritet e domosdoshmëri” hapjen e basteve, ndërkohë që nuk shqetësohet, pse ky vit shkollor do fillojë me 30% sasi librash më pak, ndërsa nxënësit në zonat periferike, deri në dhjetor do mësojnë me shënime si në vitet 1945-’50.