Sigal

Qeveria ka vendosur që të bëjë disa ndërhyrje në ligjin “Për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë” duke përcaktuar një ndarje të re për disa kategori të veçanta. Ministria e Financave dhe Ekonomisë duket se është ende duke finalizuar draftin që do të bëhet publik por ka bërë me dije paraprakisht se qëllimi i ndryshimeve lidhet me mundësimin e të drejtës ligjore që gëzojnë ish të përndjekurit e regjimit komunist, të cilët janë ende në jetë dhe bëjnë pjesë në kategorinë parësore, të përfitojnë gjithë shumën e miratuar të dëmshpërblimit financiar, sipas parashikimeve të kuadrit ligjor në fuqi. “Gjithashtu, nëpërmjet këtij projekt akti, synohet edhe përshpejtimi i procesit të dëmshpërblimit financiar për familjarët e viktimave të burgosura, ekzekutuara dhe të internuara. Ashtu sikurse ligjet e mëparshme amenduese të ligjit nr. 9831/2007, të ndryshuar, edhe ky projektligj synon përmbylljen e procesit të dëmshpërblimit për ata ish-të dënuar që kanë vuajtur vetë dënimin gjatë regjimit komunist, si dhe familjarëve të tyre, nëpërmjet gjetjes së mekanizmave eficientë” vlerëson Ministria e Financave dhe Ekonomisë. I njëjti institucion bën me dije se objektiv i ndryshimeve është përmbyllja përfundimtare e procesit të dëmshpërblimit për ata ish-të dënuar që kanë vuajtur vetë dënimin gjatë regjimit komunist, ende në jetë. Së dyti heqja e raportit të përcaktuar të fondit të miratuar, ku 70% i vihej në dispozicion kategorisë parësore dhe pjesa tjetër i shpërndahej kategorisë së trashëgimtarëve. Po kështu do të bëhet dëmshpërblimi i plotë, për të gjithë ata ish të dënuar, të cilët janë ende në jetë, por që për shkak të kufizimeve aktuale të kuadrit ligjor në fuqi, ku përcaktohet ndarja e shumës së dëmshpërblimit në 8 këste, me vlerë maksimale 1 000 000 lekë, nuk kanë marrë gjithë shumën e miratuar të dëmshpërblimit. Ndërkohë që, ekzistojnë subjekte parësore, të cilat e superojnë këtë vlerë (8 x 1 000 000 lekë). Gjithashtu, ky projektligj synon të trajtojë ato subjekte përfituese, vlera totale e miratuar për të cilët është deri në 1.000.000 lekë, duke krijuar mundësinë që të likuidohen në një këst të vetëm, pavarësisht fazës në të cilën ndodhet shpërndarja e dëmshpërblimit.

Besim Ndregjoni: Nisma e qeverisë është  antikushtetuese, do ta dërgojmë në gjyq

Ish të dënuarit politik e konsiderojnë antikushtetuese nismën e ministrisë së Financave, e cila parashikon ndryshimin e ligjit dhe heqjen nga skema të përfituesve të brezit të tretë. Sipas ndryshimeve të propozuara parashikohet që në radhën e trashëgimtarëve do të mund të përfitojnë vetëm fëmijët e ish-të dënuarve dhe jo më nipërist dhe mbesat. Presidenti i Unionit mbarë kombëtar të ish të përndjekurve dhe ish të dënuarve, Besim Ndregjoni paralajmëron se do ta ankimojnë. Besim Ndregjoni: Në radhë të parë ministri duhet të njohë kushtetutën e vendit, e cila me Kodin Civil në Republikën e Shqipërisë, kodi civil përcakton trashëgiminë e qytetarit dhe nuk mund ta përcaktojë një VKM e qeverisë. Do ta dërgojmë në gjyq ministrin dhe qeverinë për shkelje të kushtetutës dhe pikërisht të kodit civil të Republikës së Shqiëprisë. Përfaqësuesi i ish-të përndjekurve dhe ish të dënuarve politik ngre si shqetësim edhe ecurinë e ndarjes së kësteve. Besim Ndregjoni: Problemi më madhor është se këtu nuk po punohet për dëmshpërblim. Më shumë është politizuar dëmshpërblimi, më shumë është bërë një fasadë e madhe sikur kjo qeveri ka dhënë 6-7 kaste. U ka dhënë 2 mijë vetëve 6 këste nuk i ka dhënë të tjerëve. Dmth këstin e tretë ka qe në vitin 2010 që nuk e marrin. Ndryshimet në ligj po bëhen për të shkurtuar kohën e dëmshpërblimit, pasi aktualisht trashëgimtarët kanë marrë vetëm dy këste dhe nëse bëhet një llogaritje atëhere do të duhen më shumë se 40 vjet për të përfunduar procesin.