Qëlloi me automatik në mes të autostradës, identifikohet dasmori nga Laçi

241
Sigal

Policia e Kurbinit ka shpallur në kërkim një të ri, i cili një ditë më parë qëlloi me automatik gjatë një ceremonie dasme.

Videoja u bë publike në rrjetet sociale, ndërsa policia bëri të ditur se ka identifikuar të riun, shtetasin Klajdi Tafaj dhe e ka shpallur atë në kërkim.

Sipas policisë, i riu ka nxjerrë kallashin nga xhami i një makine dhe ka qëlluar në ajër në autostradën Laç-Mamurras.

Gjithashtu, procedohet penalisht dhe kushëriri i tij, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në cilësinë e provës materiale, Policia i gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet të jetë qëlluar.

“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqej një shtetas duke qëlluar me armë zjarri nga një automjet në ecje, në aksin rrugor Laç-Mamurras, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, falë veprimeve të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar, shtetasit Klajdi Tafaj, 21 vjeç, banues në fshatin Gjormë, Kurbin.

Nga veprimet hetimore rezultoi së shtetasi Klajdi Tafaj ka qëlluar me armë zjarri nga automjeti, në ceremoninë e dasmës së kushëririt të tij, shtetasit M. T., më datën 15.08.2021 dhe pas disa ditësh e ka postuar videon në rrjetet sociale”, sqaron policia.

Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasi M. T., 30 vjeç, banues në Fushë Gjormë, Kurbin, kushëriri i autorit të dyshuar, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

“Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Klajdi Tafaj, kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov me krehër me fishekë, me të cilën dyshohet të jetë qëlluar”, thuhet në njoftim.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Moskallëzimi i krimit”.