“Kjo kolanë librash është një manual i historisë sonë të re, ku gjenden fatet e gjithë shqiptarëve, me shpresat dhe zhgënjimet, ku parakalojnë portretet e gjithë njerëzve që kanë qeverisur këtë vend në këto tre dekada e kusur postkomunizëm”
Akademia e Shkencave si një institucion i ngritur mbi parimet e njerëzve të shkencës, mbetet vlerë e shtuar për promovimin e vlerave kombëtare. Qoftë ato socialo-ekonomike, ku akademikët shfaqin vlerat e tyre studimore. Ishte rasti i Akademikut Prof. Dr. Anastas Angjeli, i cili nëpërmjet kolazhit akademik, me 8 vëllime “Ditari i tranzicionit”, në bashkëpunim edhe me Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, solli përmbledhjen e ngjarjeve ekonomike në Shqipëri, për 30 vjet, një risi kjo për të gjithë studiuesit, njerëzit e ekonomisë dhe biznesit, por edhe studentët. Në këtë aktivitet nuk mungoi prania e akademikëve, përfaqësuesve të bankave, Ministrisë të Arsimit, intelektualëve, profesorëve dhe përfaqësues së botës së medias.
Aktiviteti u moderua me profesionalizëm nga Sekretari i Përgjithshëm në Akademinë e Shkencave Vaso Tole , i cili ftoi Kryetarin e Akademisë së Shkencave Prof. Dr. Skënder Gjinushin për të dhënë vlerësimin lidhur me kolanën.
Gjinushi u shpreh se “Është e para herë që një përmbledhje studimesh e analizash kaq voluminoze në ekonomi, të promovohet në këto mjedise të Akademisë së Shkencave.Kolana, apo ditari rrok një periudhë të papersëritshme të ekonomisë e historisë shqiptare, atë të tranzicionit. Në këto zhvillime, autori ka qenë protagonist e oponent, sipas rastit, i reformave të thella a të veçanta, që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe. Ai ka njohur nga afër si arsyet ekonomike, ashtu dhe konjokturat politike e deri interesat e veçanta që kanë ndikuar në zgjidhjet, zgjedhjet, reformat a masat e ndërmarra ndër vite ”, theksoi ndër të tjera Kreu i Akademisë së Shkencave.
Të pranishmit në ceremoni vlerësuan këtë libër si një input të rëndësishëm me përgjigje për sfidat me të cilat është përballuar ekonomia shqiptare përgjatë tranzicionit .
Me një devocion të veçantë autori Prof. Dr. Anastas Angjeli foli për rrugëtimin e 8 vëllimeve të “ Ditari i tranzicionit”. Ai u shpreh se se kjo kolanë erdhi si pasojë e dy detyrimeve personale, së pari për të lënë një gjurmë në në historinë e tranzicionit. “Besoj që me këtë kolanë kam dhënë një kontribut modest për këtë pjesë. Së dyti isha përballë presionit të fëmijëve miqve dhe bashkëpunëtorëve të mi, që këto botime t’i përmblidhja në një kolanë për t’ju lënë brezave të rinj, studiuesve, studentëve disa informacione për disa reforma e procese që janë zhvilluar në vendin tonë. Të përmbeldhura në disa vite punë, sjellin sot këtë kolanë, tha Angjeli.
Atribut të veçantë i kushtoi dhe Zv. Kryetarja e Akademisë së Shkencave të Kosovës, Justina Pulaj Shiroka. Ajo theksoi se në botimet e tij, Akademik Angjeli ka pasqyruar një begati diturish,në lidhje me reformat, zhvillimin ekonomik dhe social të Shqipërisë.
Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë , Adrian Civici theksoi në fjalën e tij se në kolanën që përmbledh ngjarjet ekonomike të këtyre 30 viteve, ndihet qartë pulsi i gjithë vendimarrjes ekonomike shqiptare dhe gjithë sfidave që kaloi Shqipëria për të arritur deri këtu ku është. Kjo kolanë ka brenda dinamikën e këtyre sfidave që kërkonin zgjidhje në funksion të bërjes më mirë të gjithë gjërave, tha Civici.
Në cilësinë e redaktorit të librit, studiuesi dhe gazetari, Lorenc Vangjeli, shprehu gjithashtu vlerësimet e tij. “Kjo është një nga dëshmitë e kolanës me tetë libra dhe fjalën “tranzicion”, si fjalë kyçe, e akadamikut Anastas Angjeli, ku parakalojnë portretet e gjithë njerëzve që kanë qeverisur këtë vend në këto tre dekada e kusur postkomunizëm. Kjo kolanë librash është një manual i historisë sonë të re, ku gjenden fatet e gjithë shqiptarëve, me shpresat dhe zhgënjimet, me ëndrrat dhe makthet, me vendosmëritë e thyera dhe rrugët me fraktura, me plagët e hapura nga marrëzia dhe me marrëzinë që sillet si plagë pa shërim”.
Evenimenti u shoqërua me një varg diskutimesh të mirëpritura me të pranishmit, duke zgjeruar kështu që në fillimet e kolanës me tetë libra, impaktin rreth portretizimit të ekonomisë shqiptare.