Fitim Çaushi: Grahmat e fundit të “Akademikut” Vasil S. Tole

508
Sigal

Në protestën e akademikut Tole, ndaj dokumentarit “Gjurmë Shqiptare”, dhe Simpoziumit të Shoqatës së Labërisë, ”Nderi i Kombit”, lexojmë: “Synimi i dosjes ishte që të regjistrohej në UNESCO trashëgimia me shumë zëra e Shqipërisë, që përfshin Toskërinë dhe Labërinë”. Synimi duket i mirë, por mjerisht Tole nuk ka regjistruar në UNESCO trashëgiminë me shumë zëra të Shqipërisë, ka regjistruar “isopolifoninë” e sirenave greke. Kjo konfirmohet edhe në videon e titulluar “The Albanian Iso-Polyphony”, e përfshirë në faqen zyrtare të UNESCO-s, me titra në gjuhën angleze, e lëshuar, në emër të Republikës së Shqipërisë, Radio-Televizioni Shqiptar dhe Këshilli i Muzikës Shqiptare, ku e ashtuquajtura “Iso-Polifoni” kushtëzohet nga mitologjia e sirenave.

Këtë video e konfirmon edhe Enciklopedia e Iso-polifonisë: “Dosja e përgatitur nga pala shqiptare përfshin:

  1. Kërkesën zyrtare të Komisionit Kombëtar Shqiptar të UNESCO-s.
  2. Bibliografinë e punimeve të autorëve të huaj për isopolifoninë.
  3. Bibliografinë e punimeve të autorëve shqiptar për isopolifoninë.
  4. Të dhëna dhe botime zyrtare ku këndohet në iso-polifoni.
  5. Pesë format e tjera të propozuara siç kërkohet në formularin e aplikimit.
  6. Studimin e plotë shkencor për iso-polifoninë nga Vasil S. Tole.
  7. Studimin Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve isopolifonike të Epirit, 2005 nga Vasil S. Tole.
  8. Harta të ndryshme të Shqipërisë.
  9. Një video profesionale e tipit korsive e titulluar Albanian Iso-polyphoni, 10 minuta, e cila pasqyron elementët më të rëndësishëm të dukurisë muzikore të Iso-polifonisë.
  10. Autorizime dhe dokumente që provojnë të drejtën e autorit për materialet e mëposhtme. (Enciklopedia e Isopolifoinisë Shqiptare, Uegen, 2007, f. 128-129)

Sikundër shihet, vidioja profesionale është futur në UNESCO nga Vasil S. Tole, i cili ka botuar edhe autorizimet për të siguruar të drejtën e autorit. Madje gjithë materiali letrar është përpiluar nga Vasil S. Tole, duke paraqitur lista të falsifikuara të etnomuzikologëve dhe studiuesve shqiptarë dhe botërorë me botime për “isopolifoninë”, ndërkohë që asnjë nga studiuesit shqiptarë dhe të huaj nuk ka shkruar për “isopolifoninë”. Midis këtyre listave është depozituar edhe libri i Toles “Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit.” Në këtë libër, të katër elementët e kopertinës, Odisea, Sirenat, Isopolifonia dhe Epiri, konsiderohen prej Toles me origjinë etnike greke. Po sjellim dy detaje të etnitetit grek të këtyre elementëve prej akademikut Tole: “Iliada” dhe “Odisea”, përbëjnë burimin e parë historik, monumentin e parë të shkruar, i cili përshkon aktet e trimërisë së parahelenëve në këtë epokë”. (S. Tole, Odiseja dhe Sirenat, vep. e cit. f. 65) Sikundër shihet polifonia shqiptare studiohet mbi një libër – “Odisea”, që flet për parahelenët. Këtu qartësohet problemi dhe të katër elementët bazë që dominojnë librin e Toles janë etnitete greke, jehonë e parahelenëve dhe jo e parailirëve, ndonëse Homeri i konsideron trojanët Dardani.

Argumenti i dytë. Tole shkruan: Në mitologjinë e lashtë greke sirenat paraqiteshin si qënie gjysmë zogj dhe gjysmë gra.( Vasil S. Tole, Odiseja dhe Sirenat…vep e cit. f. 10) Tole pohon se sirenat kanë prejardhje nga mitologjia greke, çfarë lidhje ka polifonia e popullit shqiptar me mitologjinë e sirenave greke?

E falëndojmë akademikun Tole përkonfirmimin, se Dosjen për UNESCO, e kryeson kërkesa zyrtare e Komisionit Kombëtar Shqiptar të UNESCO-s. Për këtë komision, Tole sqaron: “Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore”, është organi më i lartë në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore. Ligji “Për trashëgiminë kulturore” i vitit 2003, neni 5, pika 3, konfirmohet se Komiteti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore kryesohet nga Ministri i Turizmit, Kulturës, dhe Rinisë dhe përbëhet nga drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e TKRS, drejtori i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, drejtori i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Folklorike, drejtori i Institutit të Kulturës Popullore, Sekretari i Komitetit Kombëtar të UNESCO-s pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, përgjegjësi i Sektorit të Trashëgimisë Shpirtërore në Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e TKRS”.(Enciklopedia e isopolifonisë , vep e cit. f.162).

Sipas radhës kanë qenë: Ministri, drejtori i Trashëgimisë Kombëtare Vasil Tole, drejtori i inventarizimit Koço Gjipali, drejtori i Veprimtarive Folklorike Ermir Dizdari, drejtori i Institutit të Kulturës Popullore prof. Afërdita Onuzi, Sekretari i Komitetit Kombëtar të UNESCO-s pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme…?  dhe specialisti Arian Avrazi.

Tre drejtorët nuk kanë patur dijeni për dërgimin e kësaj dosjeje: Mjeshtri i Madh Ermir Dizdari, i cili më 31 tetor 1997, me shkresën Nr. 254, Ministria e Kulturës Arta Dade, e emëron me detyrën e specialistit në Drejtorinë e Arteve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve, ndërsa në shkurt të vitit 1998, emërohet drejtor i Qendrës Kombëtare të Veprimtarive Kulturore Artistike. Më 9 shkurt të vitit 1999, me Urdhërin Nr. 49, Ministri Edi Rama e ndryshon emërtesën në “Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike” dhe me urdhërin e datës 20 prill 2000, me Nr. 142 Prot. Ministri shpall Komitetin Organizator të Festivalit Folklorik Gjirokastër 2000, kryetar të të cilit emëron drejtorin e Qendrës së Veprimtarive Folklorike Kombëtare, Ermir Dizdarin.

  1. Edi Rama emërohet President i Festivalit.
  2. Ermir Dizdari emërohet Kryetar i Komitetit Organizativ të Festivalit.

Me këtë status, Drejtori i Qendrës së Veprimtarisë Kombëtare Folklorike, Ermir Dizdari, ka qenë automatikisht anëtar i Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore. Por Tole e ka shmangur Ermir Dizdarin, sikundër pohoi ai në dokumentarin “Gjurmë shqiptare”. Vasil Tole ka shmangur edhe Drejtoreshën e Institutit të Kulturës Popullore, prof. Afërdita Onuzin dhe drejtorin e Inventarizimit të Monumenteve të Kulturës, Koço Gjipalin, të cilët kanë pohuar, se nuk kanë asnjë dijeni për këtë dosje të UNESCO-s. Mbetet enigmë, a ka patur dijeni vetë Ministri dhe Sekretari i Komitetit të UNESCO-s në Ministrinë e Punëve të Jashtme?

Tole ka shkruar tek “Enciklopeda e isopolifonisë”, se Dosja u përgatit për në UNESCO nga shteti shqiptar. Përderisa aplikimin e ka bërë Shteti Shqiptar, përse i janë dashur Vasil Toles autorizimet dhe dokumentet për të vërtetuar autorësinë e tij në UNESCO?! Si mundet ta ketë bërë aplikimin në UNESCO shteti shqiptar, kur Tole shkruan: “Si ekspert i etnomuzikologjisë në vitin 2005, Vasil Tole përgatiti dosjen e isopolifonisë popullore shqiptare, e cila u shpall nga UNESCO “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” (Enciklopedia, vep e cit. f. 320). E ka dokumentuar vetë Vasil Tole, se dosjen e ka përgatitur vetëm Vasil Tole, jo grupi i punës. Përse dosjen ta përgatiste një fillestar i etnomuzikologjisë, që nuk kishte botuar asnjë studim shkencor deri në vitin 2003 dhe jo kolegjialisht me specialistë të vërtetë të Institutit të Kulturës Popullore?

Tole pohon, se dosja është shkruar nga Qeveria Shqiptare! Cila qeveri, se rezulton që nga grupi i punës ka mbetur vetëm Ministri, Vasil Tole dhe vartësi i tij, inspektori Arjan Avrazi, i cili ka mbaruar për kompozicion në Konservator, por që doli krejtësisht i paaftë dhe hëngri bukë nga babai, Artisti i Popullit Gaqo Avrazi, një nga intelektualët dhe muzikantët e shquar, që ka vënë gurin e themelit në Fondin e Artë të Kulturës Kombëtare. A ishte Arjan Avrazi anëtar i Komisonit Kombëtar të UNESCO-s në vitin 2003? Vallë ky Këshill Kombëtar e ka urdhëruar Vasil Tolen të përgatiti dosjen për “isopolifoninë” greke, ndërkohë që harta e saj shtrihet deri në Shkumbin! Po të ishte kështu, s’kishte pse ta mbronte vetëm Vasil Tole këtë pjellë të nëmur! E mbronin edhe anëtarët e tjerë të Këshillit Kombëtar.

Cili shtet shqiptar e ka autorizuar Vasil Tolen ta tjetërsojë trashëgiminë shqirtërore të popullit shqiptar si “isopolifoni” dhe ta paraqesë si huazim nga krijimtaria e popullit grek me harta deri në Shkumbin? Tole ka futur në dosje studimet dhe librin e tij për sirenat, pse nuk futi edhe studimet e etnomuzikologëve Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, apo librin “Polifonia Labe” të Spiro Shitunit, për të marrë karakter institucional, jo individual?

Për të fshehur problemin kryesor, Tole sulmon: “Tendenca e kundërshtuesve është që të rrudhin e zvogëlojnë shtrirjen gjeografike, që përfshin kjo traditë e jashtëzakonshme vetëm në një zonë të caktuar, kurse qëllimi i aplikimit të shtetit shqiptar në UNESCO, ishte që e gjithë zona natyrale e këndimit me shumë zëra në Shqipërinë e Jugut, të ishte e përfshirë…”

Tole qëllimisht nuk e motivon karakterin e kundërshtimit nga studiues, muzikantë, intelektualë dhe shoqata “Labëria” ndaj diversionit të tij. Duke bërë “patriotin”, Tole akuzon kundërshuesit, sepse nuk pranojnë shtrirjen e “isopolifonisë” greke në territorin natyror shqiptar, e ca më pak deri në Shkumbin, ku Tole ka shtrirë hartën e “isopolifonisë”! Përse Tole e shtrin hapësirën e iso-polifonisë së sirenave greke deri në Shkumbin, kur Epiri është me origjinë arbërore? Përse kjo koincidencë e “isopolifonisë” së Toles me pretendimet e shovinizmit grek për territor deri në Shkumbin, ndërkohë që ende mbahet i ngrehur Ligji i Luftës?

Është ky diversion politik i Toles (formë provokacioni), që kundërshtohet prej vitesh dhe jo se Shoqata “Labëria”, kërkon ta rrudhi polifoninë popullore shqiptare, e cila shtrihet edhe më lart Shkumbinit, deri në Strugë e Kërçovë, madje edhe më lart, në Veri të Shqipërisë për të cilën studiuesi boshnjak Cvjetko-Rihtman në vitin 1954 ka shkruar: “Prania e polifonisë dyzërëshe në këto zona mund të shpjegohet si një trashëgim i huazuar nga fiset e lashta ilirë, ose e kanë ruajtur ilirët e sllavizuar në këto treva” (Cvjetko Rihtman, – “O ilirskom porjeklu polifionia oblika narodne muzike, Bosnje i Hercegovine. Rad Kongresa Folkoorista Jugoslavije”. Na Bjelalnici, 1955. I u Puli 1952. Zagreb. 1958, f. 99)

Nëse, për mungesë provash objektive, nuk mund të thuhet asgjë e sigurtë mbi kulturën etnike të Epirit dhe Ilirisë, përse Tole e emërton “isopolifoni te grekët e Epirit në Greqinë Veriore”, ndërkohë që termi Greqi Veriore sot, i përgjigjet një nocioni politik, jo etnik, për shkak të vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës në 1913. Çfarë intelektuali është ky matrapaz, kur për studime etnomuzikologjike antike, përdor harta politike të Shqipërisë së vjetër, pa Çamërinë dhe Kosovën brenda, sikurse harta e faqes 311 te Enciklopedia e isopolifonisë?

Në studimin monumental “Arbërit e Jonit”, Akademiku Pëllumb Xhufi, duke sjellë mijra dokumente veneciane dhe greke, e ka përjashtur përfundimisht Epirin si territor grek qysh përpara 1000 vjetëve.

I zënë në çark, se i është hequr peta lakrorit, Tole në reagimin e tij ndaj dokumentarit “Gjurmë Shqiptare” të datës 25 mars, shkruan: “Në asnjë rresht të dosjes nuk ka shprehje që polifonia jonë rrjedh nga muzika bizantine dhe të arrish në konkluzion të tillë, duke u nisur nga kjo, është qartazi abusive dhe keqdashëse…Për këtë mjafton të shihni sitin zyrtar të UNESCO-s: Albanian folk Iso-Polyphony – intagible heritage –Culture Sector UNESCO…”