Publikimi i INSTAT “Burrat dhe Gratë në Shqipëri, 2018” / Mesi: “Publikimi, mbështetje ndaj kërkuesve dhe akademikëve për të analizuar arritjet dhe sfidat në drejtim të barazisë gjinore”

1126
Sigal

Gjatë ditës së sotme, u lançua Publikimi i Institutit të Statistikave (INSTAT) “Burrat dhe Gratë në Shqipëri, 2018”, botim i cili vjen edhe me mbështetjen teknike e financiare të “UN Women” dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADC), dhe që përbën një bazë të rëndësishme për pasqyrimin e situatës së grave & burrave në shoqërinë shqiptare.

Në këtë aktivitet morën pjesë ZëvendësKryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT Znj. Delina Ibrahimaj, Përfaqësuesi i Agjencisë Austriake për Zhvillim Z. Heinz Habertheuer, Koordinatori i Përhershëm i OKB-së dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së Z. Brian J. Williams, përfaqësues nga media, shoqëria civile, bota akademike etj.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ZëvendësKryeministrja Mesi duke nënvizuar rëndësinë e statistikave dhe treguesve në këtë publikim, theksoi faktin se ato jo vetëm që do t’u shërbejnë politikë-bërësve në hartimin dhe monitorimin e politikave sektoriale e ndër-sektoriale që hartohen për arritjen e barazisë gjinore, por do t’u vijë në ndihmë gjithashtu medias, shoqërisë civile dhe sidomos kërkuesve dhe akademikëve për të analizuar në një kontekst më të gjerë arritjet dhe sfidat në drejtim të barazisë gjinore në fusha si arsimi, shëndetësia, pjesëmarrja në tregun e punës, pjesëmarrja në vendimmarrje etj.

Në rolin e Koordinatores Kombëtare të Barazisë Gjinore, nisur edhe nga rëndësia e këtij publikimi, Znj. Mesi u shpreh: “Unë besoj se çështja e barazisë gjinore – pra fuqizimi i statusit të gruas në shoqëri, familje, ekonomi, politikë e çdo fushë të jetës – është dimension themelor për zhvillimin e një shoqërie të hapur, demokratike e të lirë. Nëse duam një familje apo një shoqëri më të mirë – atëherë padyshim që na duhet një grua e fortë, e lirë, e pavarur, e realizuar dhe e zonja për vendimarrje. Padyshim që gruaja është një fuqi ekonomike, sociale, kulturore, artistike e shkencore – pra një aset në çdo fushë të jetës. Ndaj, fuqizimi dhe përmirësimi i statusit të gruas në fakt është fuqizimi dhe përmirësimi i jetesës së të gjithë shoqërisë shqiptare”.

Kapitujt e përfshirë në botimin “Burra dhe Gra në Shqipëri, 2018”, pasqyrojnë fusha të ndryshme të të dhënave me bazë gjinore, të mbledhura si nga anketat e zhvilluara nga INSTAT, ashtu edhe nga informacioni që disponojnë institucionet e tjera shtetërore në vend. Ky botim shoqërohet në faqen e INSTAT me një infografikë dinamike, i cili është i lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë përdoruesit e statistikave gjinore dhe synon të krahasojë shifrat e burrave dhe grave në jetën e përditshme nëpërmjet kombinimit të tekstit, grafikëve dhe tabelave.