Pse u hoq nga puna studiuesi Halil Shabani?

666
Sigal

Tani në Drejtorinë Rajonale të Ruajtjes së Monumenteve në Sarandë nuk mbeti më asnjë specialist i mirëfilltë i arkeologjisë

Nuk doja ta besoja një lajm të tillë, që studiuesi, historiani, shkrimtari, poeti, arkeologu dhe intelektuali, Halil Shabani, u pushua nga puna. Kjo çudi e imja nuk erdhi se largimi i tij u bë për shkak të rotacionit. Jo! Atë nuk e largoi partia e ardhur në pushtet. Atë e larguan ata që e luftuan dy vjet rresht. Halil Shabani, autor i 10 librave shkencorë e artistikë, qindra studimeve për arkeologjinë, tani është i papunë pas një urdhri të drejtorit të drejtorisë rajonale të ruajtjes së vlerave dhe traditave, në Sarandë. Halili thotë se, ka mbetur i befasuar nga urdhri, por i detyruar ta zbatoj. I vetmi specialist i arkeologjisë në Drejtorinë Rajonale të Sarandës, për dy vjet ka ndjekur pikiatën e deri të sotshme. Dhe tek dëgjoja rrëfimin melankolik dhe dëshpërues të Halilit, më erdhën ndër mend vargjet “fluturoi dhe shtegu i fundit…”. Po vërtet fluturoi! Se tani në drejtorinë rajonale të ruajtjes së monumenteve të Sarandës, nuk mbeti më asnjë specialist i mirëfilltë i arkeologjisë. Po Halili ka shumë për të folur dhe do flas vet, së shpejti në gazetën “Telegraf” për të gjitha peripecitë dhe presionet që i janë bërë në detyrën e tij…presim që Halili të flasë!

Kush është studiuesi Halil Shabani

Halil Shabani ka mbaruar Universitetin e Tiranës në degën Histori-Gjeografi dhe është diplomuar në vitin 1973. Ka punuar si mësues historie dhe që nga viti 1976, është marrë me studime dhe gërmime arkeologjike në krahinën e Konispolit dhe në rajonin e Delvinës e Sarandës. Punimet e tij, i ka pasqyruar edhe në botimet e revistës periodike e shkencore “Iliria” dhe organe të tjera të shtypit të përditshëm. Është zbuluesi i dhjetëra sajteve arkeologjike me rëndësi kombëtare, si vendbanimi shpellor i Konispolit, Kalaja e Dishatit, vendbanimi i antikitetit i Vastroit, sajti i nëndheshëm i gdhendur në gur në Manet (Konispol), sajti i Bregut të Seterrës, skulptura e Perëndisë së Panit e derdhur në bronz etj.. Ndërkaq, ka kryer disa gërmime arkeologjike me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, si ekspedita e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan me Universitetin e Teksasit – SHBA në vitet 1992-’94, si dhe bashkëpunimi me arkeologë grekë në vitet 1995-96, ekspedita e vitit 1982 në Butrint etj. Për këtë aktivitet të dendur shkencor, nga Qendra e Kërkimeve Arkeologjike Tiranë është shndërruar në bashkëpunëtor të jashtëm shkencor. Halil Shabani është autor i disa studimeve e librave, ndër të cilat do të veçonim: “Muharrem Rushit”, “Shalësi ynë në jug”, “Trashëgimia Kulturore e Konispolit”, “Prasajbët e periferisë”, “Vendbanimi shpellor i Konispolit”, “Haki Rushiti me derte”, “Konispoli – guidë turistike”, “Arhondi i fundit i Butrintit” dhe “Foinike – guidë turistike”.