Prokurorët e SPAK-ut kanë nisur hetimet për tri dosje. E para, inceneratori i Elbasanit, një investim 22 milionë euro, më pas Fieri me 28 milionë euro, sipas investimeve fillestare, këto vlera janë pa TVSH, gjithmonë dhe Tirana, e cila është një kontratë koncensionare ku shteti do të paguajë për 30 vjet gati 300 milionë euro për përpunimin e mbetjeve pas evadimit të tyre në kryeqytet, pa Durrësin etj.
Sipas të dhënave zyrtare, SPAK-u ka filluar hetimet. Ka marrë një grup të pandehurish në Elbasan, Stela Gugallen dhe bashkëjetuesin e saj, Mirel Mërtirin, së bashku me Klodian Zoton.
Ka shpallur në kërkim Giuseppe Ciaffaglione-n, një nga personat që është aksioner dhe administrator i inceneratorit të Tiranës, kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, Ajola Kodrën, ish-administratoren, pasi akuzat janë për korrupsion, babai i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, i cili më pas u bë deputet i PS-së, ishte punësuar me një pagë prej 6 mijë eurosh në muaj në inceneratorin e Tiranës.
Dosjet voluminoze në SPAK
Nga ana tjetër, mësohet se dosjet janë shumë voluminoze. SPAK-u ka tërhequr nga tatimet dhe bankat, pagesat e bëra nga inceneratori i Tiranës, por tentakulat tregojnë se kemi të bëjmë me një oktapod korrupsioni që SPAK-u duhet ta hetojë si një grup të strukturuar kriminal, jo një grup në bashkëpunim.
SPAK-u ka çuar më vete dosjen e Elbasanit, më vete çon dosjen e Fierit dhe tani po përgatitet të shkojë dosja e Tiranës.
Në fakt, personat janë Stela, Klodiani, Mireli, Giussepe Ciaffaglione që shfaqen sa në Fier, sa në Elbasan dhe sa në Tiranë, apo në Vlorë.

Nënkontraktorë, bashkëpunëtorë, këshilltarë, pagesa, kompani të themeluara në Holandë me bashkëpunëtorë të tjerë, më pas shitje aksionesh, kalim në emra të tjerë e kështu me radhë.
Ky është një grup, një grup i strukturuar kriminal, sepse janë të njëjtët emra që vërtiten nga Elbasani në Fier e nga Fieri më pas shkojnë në Tiranë.
Është Mirel Mërtiri, është Stela Gugallja, është Klodian Zotoja, janë dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët marrin, menaxhojnë, administrojnë paratë e takspaguesve të varfër shqiptarë, të cilët përfundojnë në një aferë korruptive, ku janë arrestuar zyrtarë, ministër, kërkohet koka e një ministri tjetër, por kanë dhe shumë bashkëpunëtorë, kanë dhe mediat me qindrat e milionave të eurove.
Inceneratori i Tiranës, sipas të dhënave zyrtare dhe statistikave të dorëzuara, rezulton të ketë marrë afërsisht 100 milionë dollarë në pak më shumë se 5 vite nga të cilat rezulton që të ketë një fitim rreth 30%, rreth 30 milionë dollarë.
Pretendohet se e njëjta shumë gati është investuar. Në fakt, sipas të dhënave dy-tri vitet e fundit kanë qenë spektakolare për kompaninë e inceneratorit të Tiranës, sepse vitet e para kanë qenë vitet e fillimit sa për t’u futur kompania në themel të menaxhimit të landfillit të Tiranës.
Por SPAK-u tashmë i ka të gjitha. Ka jo vetëm bashkëpunëtorët politikë, korrupsionin në shtet, por edhe korrupsionin në media. Shantazhin që përdoret nga mediat ndaj prokurorëve, ndaj SPAK-ut, por dhe ndaj gazetarëve dhe të gjithë atyre që kanë nxjerrë dokumentet e inceneratorit të Tiranës, Elbasanit dhe Fierit dhe kanë denoncuar sistematikisht këtë aferë korruptive prej më shumë se 7 apo 8 vitesh.
Këto dokumente tashmë janë të provuara. Mjafton të shikohen kronikat e “Top Channel”, Bolinos, etj. emisionet speciale, për inceneratorin e Tiranës, për mbetjet e Durrësit e kështu me radhë, sepse në finale të gjitha shkuan te Tirana dhe mbetjet e Durrësit duke iu shtuar kontratës së parë prej 430 milionë dollarësh në 30 vite.
Një grup i strukturuar kriminal ka organizatorë, ekzekutorë dhe bashkëpunëtorët (manipulatorët që fsheshin gjurmët e krimit dhe gjejnë alibitë. Ndihmojnë në realizimin e krimit etj).
Tek çështja e inceneratorëve I kemi të treja, qeverinë si organizatore, kompanitë si ekzekutore dhe mediat bashkëpunëtore.
Nuk flet askush për landfillin e Vlorës, i cili në fakt është marrë nga kompania, “ITS” e Klodian Zotos, i cili ka pasur koncensionin e ndërtimit të inceneratorit të Fierit, por ka pasur NIPT sekondar në ndërtimin edhe të inceneratorit të Elbasanit dhe është bashkëthemeluese e kompanisë në Holandë e kompanisë “Integrated Eneregy” që sot mban emrin “Geogenix”, pikërisht kompania e Klodian Zotos, “ITS”.

Pra kemi të bëjmë me individët e një grupi, të cilët krijojnë një grup, shkojnë në Elbasan, në Fier, në Tiranë, në landfillin e Vlorës, marrin tendera në institucionet publike, ndajnë para, bëjnë korrupsion dhe ky mund të quhet një grup në bashkëpunim sipas SPAK-ut.
Pasi ky është termi që ka përdorur Prokuroria që po i heton. Në fakt dosja e Tiranës është voluminoze dhe pritet edhe më shumë, por SPAK-u nuk mund dhe nuk duhet t’i hetojë thjesht si një grup në bashkëpunim, por duhet t’i hetojë si një grup i strukturuar kriminal.
Thjesht dhe vetëm kështu SPAK-u do të na zbardhte, do të na tregonte se e ka pasur seriozisht hetimin për inceneratorët duke hetuar një grup të strukturuar kriminal që ka abuzuar me taksat e shqiptarëve, me miliona euro të provuara nga prokurorët nëpërmjet pagesash fiktive të kryera nëpërmjet punësimesh, nëpërmjet abuzimesh.

Prandaj dhe SPAK-u është përballë faktit të na tregojë se po heton vërtetë aferën e inceneratorëve si një grup të strukturuar kriminal, ku bashkëpërfshihen ministra, kompani, sekretarë, deputetë, e kështu me radhë apo thjesht dhe vetëm këta kanë bashkëpunuar për korrupsion.
Ata që kërkojnë të vërtetën për miliona euro të taksave të shqiptarëve të varfër, të cilët janë kthyer në fitime marramendëse për disa individë, të cilët kanë qenë një grup, duhet ta çojnë deri në fund hetimin duke u vërtetuar shqiptarëve se, afera e inceneratorëve nuk ishte thjesht dhe vetëm një veprim korruptiv për të fituar një grusht me para në Elbasan apo në Fier e për të shkuar më pas në Tiranë, por ishte një grup i strukturuar kriminal, të cilin SPAK-u duhet ta zbardhë deri në fund./ CNA.al