Pse Ilir Xhaka ka sfiduar shtetin, policinë dhe drejtësinë?!

1488
Sigal

SHIJAK / “I forti i Shijakut” akuzohet për një sërë vrasjesh. Kryekomisari shpallet “Dëshmor i Atdheut”

I akuzuar për më shumë se dy vrasje, i dënuar me 21 vjet burg, në mungesë, për një vrasje të ndodhur në 1998, për këtë vepër të rëndë penale, Ilir Xhaka, ka sfiduar drejtësinë dhe policinë shqiptare duke qëlluar me 5 plumba drejt shefit të komisariatit të Shijakut. Vetëm pas 12 orësh nga ngjarja, e cili tronditi nga themelet shtetin shqiptar, kur krimi ngriti dorë mbi shtetin, është zbardhur shkaku i vrasjes makabre të shefit të policisë së Shijakut, Adem Tahiraj, i cili është përcjellë në banesën e fundit me lot e dhimbje nga të gjithë. Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme autori u vetëdorëzua në polici, pasi dhjetëra forca të RENEA-s e kanë rrethuar, së bashku me forcat e rendit, të cilat e kanë ndjekur këmba këmbës për gati 6 orë, në zonën rurale të Fshatit Rinia. Por pse Xhakja ka sfiduar shtetin, ka sfiduar policinë dhe drejtësinë? Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për akuzën e vrasjes dhe çështjen e ka dërguar sërish për gjykim në Gjykatën e Durrësit, kjo e fundit i ka dhënë lirinë, Ilir Xhakës duke i dhënë pafajësinë, për ngjarjen e  vitit 1998, ku mbeti i vrarë në Sukth, Qerim Maloku. Xhakaj i “forti i Shijakut” akuzohet për një sërë vrasjesh, por në gjykatë nuk janë provuar, për shkak se dosjet e këtyre vrasjeve janë mbyllur dhe këto vepra penale kanë mbetur pa autor.

Arrestimi

Policia e Durrësit ka bërë të ditur se Kryekomisar, Adem Haxhi Tahiraj, me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Shijak, është vrarë në krye të detyrës, i cili po drejtonte strukturat vendore të policisë në kuadër të planit të masave të hartuar për parandalimin e veprave të mundshme penale, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për kontrollet për armëmbajtje pa leje. Në saj të masave të menjëhershme, ndjekjes së vazhdueshme nga strukturat e policisë bazuar në informacionet e sakta të grumbulluara mbi lëvizjen e autorëve të dyshuar, si dhe bllokimit e rrethimit të të gjithë zonës me forca të shumta policore, u bë i mundur arrestimi i shtetasit: Ilir Azem Xhakja, 38 vjeç  banues në fshatin Katund Sukth, Durrës, person me precedentë të theksuar kriminal, i akuzuar për një sërë veprash penale të rënda, kryesisht vrasje. I dënuar me 21 vite burg në mungesë për vrasje nga Gjykata e Shkallës së Parë për krime të rënda, i arrestuar nga strukturat e policisë në vitin 2007 dhe i liruar nga burgu në vitin 2011. Ndaj këtij shtetasi u mor masa e arrestit nën akuzën e kryerjes së veprave penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 79 germa “c”, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal. Këtij shtetasi ju sekuestrua me cilësinë e provës materiale dhe arma e krimit.