Pse fundi i muajit na gjen me xhepat bosh?

204
Sigal

More rrogën dhe ndihesh si njeriu më i fuqishëm në botë. E ke ndarë mendjen që këtë muaj do kursesh, do blesh vetëm gjërat që të duhen dhe të tjerat në arkë. Ditët kalojnë, ti bën një jetë mëse normale dhe sërish fundi i muajit është një tmerr. Je kaq afër për të marrë borxh.  Xhepat janë sërish bosh!  Nëse s’po hamë në restorante me pesë yje çdo natë dhe nëse s’po ikim në Paris fundjavave, ku fluturojnë lekët?

I përgjigjemi pak disa pyetjeve?

Sa paguani për të prerë apo qethur flokët? A i lyeni apo trajtoni tek një profesionist? A blini kafe rrugës? Ujë, apo çdo lloj ushqimi të paketuar? A hani jashtë shpesh? A merrni taksi për të shkuar gjëkundi kur kollaj fare mund të ecni? Kur ratë dakort për pagesën e internetit, celularit apo televizorit, a patë për çmimet e tjera në treg?

Këto shpenzimet e vogla, nuk janë dhe aq të vogla. Për të kursyer apo për të shpenzuar në gjëra më të rëndësishme duhet të hiqni dorë nga këto blerjet e pakuptimta. Jo tërësisht, ajo do të ishte e pamundur.

E mira e të mirave është të ndani gjërat që ju nevojiten nga gjërat që ju dëshironi. Më pas caktoni nga një buxhet për secilën. Për shembull, 50% e të ardhurave shkojnë për shpenzime fikse, 30% shkojnë për gjëra të nevojshme dhe pjesa tjetër kursehet ose përdoret për të shlyer huatë.

Një tjetër metodë është të kursesh 20% dhe gjithë pjesën tjetër të të ardhurave ta shpenzosh, qoftë për hall apo për qejf.