Pse Çabej nuk ka pasur të drejtë që e rrëzoi tezën pellazge

702
Muharrem Abazaj 
Gjuhëtar
GJUHA SHQIPE DHE IDENTITETI KOMBËTAR
Në fillim Çabeji nuk ka patur besim tek teza pellazgjike dhe e ka paragjykuar atë. “ Në shekullin e kaluar u përhap shumëkund hipoteza se shqiptarët ishin stërnipët e pellazgëve. Kjo hipotezë a teori, e themeluar në tryezë të dijetarëve të huaj, pati jehonë të gjerë në lagjen e poetëve e shkrimtarëve shqiptarë të Shqipërisë e të Italisë”7 Nuk është aspak e vërtetë se ideja e prejardhjes pellazgjike të gjuhës shqipe lindi në tavolina të studiuesve të huaj. Janë vetë shqiptarët, kuptohet shumë më të interesuar se të huajt, ata që shqetësoheshin për kombin e tyre, sepse po shkonte drejt shuarjes, nga që po u harrohej dhe mohohej historia, që i dhanë jetë kësaj ideje. Është arbëreshi N. Keta që e artikuloi i pari këtë ide që prej vitit të largët 1777, pas tij Zh. Krispi, i cili dalloi qartë përqasjen e shqipes me greqishten e vjetër dhe latinishten si dhe konstatoi se kjo e fundit paraqitej më e lashtë se këto dy gjuhë, gjë që e shpuri në përfundimin se ajo lidhej drejtpërdrejt me gjuhën shumë të lashtë, me pellazgjishten. Mbas tij qenë arbëreshet Kamarda, De Rada, rilindasit e tjerë H. Tasimi, Sami e Naim Frashëri, P. Vasa, N. Veqilharxhi etj, që e mbështetën fuqishëm atë. Dhe kuptohet se këta nuk përbënin “lagjen e poetëve e të shkrimtarëve” por ishin ajka e inteligjencës shqipare të kohës. Hahni, ky studjues i madh austriak, kreu një studim shumë të gjerë për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke mbrojtur fuqishëm tezën e prejardhjes së shqipes nga pellazgjishtja, por, për një zakon të keq tonin që vlerësojmë më shumë të huajt se veten tonë, kjo tezë, prejardhja pellazgjike e shqipes, mori emrin e tij.

Ku e kishte bazën mosbesimi i Çabejt për tezën pellazge? Të dhënat e autorëve të lashtësisë si dhe informacioni i cunguar i kohës, nuk e lejonin atë të sqaronte plotësisht disa dyshime të arsyeshme prej shkencëtari. Ai nuk ishte i bindur tek ekzistenca e pellazgëve ose më saktë tek lidhja e tyre me ilirët. “Pellazgët në burimet greke e romake përmenden si një shtresë etnike paragreke, jo më ekzistuese në periodën antike. Autorë si Herodoti e Straboni flasin për ta për një kohë më të lashtë dhe i paraqesin si një popullsi barbare, d.m.th. jogreke, e me një gjuhë të ndryshme nga greqishtja. i lokalizojnë në zonën e Detit Egje, kryesisht në Tesali, me përhapje; më një anë nga Epiri, më anë tjetër nga Azia e Vogël, nga Kreta e nga ishuj të tjerë të zonës egjeane. Ata paraqiten ndërkaq gjithkund si një popull legjendar, i mbuluar me mjegullën e një miti, popull pa konsistencë historike konkrete “.8 Të dhënat e autorëve të antikitetit vërtet janë të pakta, por ato mjftojnë për të provuar se pellazgët nuk “ janë një popull legjendar i mbuluar me mjegullën e një miti, popull pa konsistencë historike”. por një popull real, i cili ka patur kulturën e tij, gjuhën e tij dhe nuk është “shuar “ kurrë si popull, por nuk ka ruajtur etnonimin e tij të mëparshëm. Herodoti, historiani më madh i antikitetit, i cili jetoi në shek.V p. e. s. shkruan se pellazgët ishin prezent në ditët e tij “ Çfarë gjuhe flisnin atëhere pellazgët është një çështje, për të cilën nuk mund të them asgjë. Vetëm në qoftë se mund të mësojmë, ndoshta ndonjë mendim nga pellazgët e ditëve tona, nga ata që janë akoma sot në Kreston sipër tyrsenëve …del se pellazgët kanë pasë gjuhë barbare”.9 Për mos përfshirjen e territorit ilir në territorin pellazgjik Çabeji është i justifikushëm. Asnjë nga autorët e antikitetit nuk e përfshin Ilirinë në territorin pellazg. Dhe kjo e ka shtyrë atë të mos pranojë lidhjen, vazhdimësinë gjuhësore pellazgo – ilire. “Ndonëse në kohë të reja janë pohuar disa lidhje të tyre me ilirët e me trakasit, duhet thënë se ai element etnik e gjuhësor, që mund të quhej me shumë rezervë pellazg, për shumë arsye, edhe të karakterit gjeografik, nuk mjafton kurrsesi për të pohuar me një farë baze vërtetësie shkencore të një birësie pellazge të popullit shqiptar “10.Mirpo duke mos pranuar këtë lidhje gjuhësore të ilirishtes me pellazgjishten, Çabejit i duhet të gjente burimin e atij elementi të lashtë që ka zënë vend në gjuhën shqipe, element që shkon përtej ilirishtes. “ Përveç lëndës indoevropiane, që përbën bazën, vihet re dhe një komponente, sado e pakët, jo indoevroiane. Në gjuhën shqipe kjo ështe mbeturina e një substrati etnik e gjuhesor që gjetën të parët e shqiptareve në viset ku zunë vend…. Shqipja ka ardhur si rezultat i evolucionit të parashqipes në rrugën e fiseve indoevropiane parailire nga Evropa Veriore drejt trojeve të sotme shqipfolëse, ku u formua etnosi ilir, diku nga epoka e bronzit “11 Këtë “ komponente” joindoevropiane” Çabej, edhe pse nuk e pranon plotësisht se ajo i përket gjuhës pellazge, nuk arrin të sqarojë plotësisht lidhjet e saj me shqipen. “Në truall të shqipes elementi paraindoevropian është vecanërisht vështirë të rroket. Kjo rrjedh kryesisht nga puna e dokumentimit të vonë të kësaj gjuhe” 12 Të gjitha këto arsyetime e shpien atë të dalë në përfundimin se “ Teza që epirotët e makedonët përbënin thelbin e fisit tireno – pellazgjik e që ilirishtja është pellazgjisht në një kuptim më të gjerë, në këtë vështrim të përgjithësuar, nuk mund të mbahet, sepse pas gjithë gjasave ilirishtja e pellazgjishtja janë gjuhë të ndryshme…Teoria e Hahnit si tërësi, me gjëndjen e sotme të kërkimeve arkeologjike e gjuhësore, në disa anë del e drejtë, në disa përgjithësime që bën nuk mund të qëndrojë”13.Duhet thënë këtu se përfundimi i Çabejt se “ ilirishtja dhe pellazgjishtja janë gjuhë të ndyshme ” është krejt i pa bazuar, sepse ai vetë pohon se nuk njeh as njerën nga këto dy gjuhë. Ku e shohim ne arsyen e “devijimit” të Çabejit për mospranimin e vazhdimësisë gjuhësore pellazgo – ilire? Ai nuk gjente dot një mbështetje shkencore për ta pranuar këtë vazhdimësi, sepse edhe historianët dhe studjuesit e fushave të tjera, nuk kishin arritur të jepnin fakte reale për këto lidhje. Ndryshe qëndron problemi sot. Falë mundësisë së pakufizuar të marrjes së një informacini shumë të gjerë dhe në një kohë të shkurtër përmes internetit, sot studiuesit kanë arritur të sqarojnë mirë lidhjet etnike pellazgo – ilire. Studjuesi i mirënjohur me origjinë shqiptare, Aref Mathieu, para një viti mbrojti në Universitetin prestigjioz të Sorbonës tezën: “Vazhdimësia etno -gjuhësore pellazgo -iliro – shqiptare. Ilirët, ashtu si shumë popuj të tjerë të lashtë, si hititët, frigasit, helenët, thrakët, epirotët, makedonasit, etruskët etj. kanë qenë fise me prejardhje pellazge. Kjo duhet kuptuar drejt: “ato fise indoevropiane parailire që kanë zbritur nga Evropa Veriore drejt trojeve të sotme shqipfolëse “ që përmen Çabej, nuk kanë qenë gjë tjetër veçse fiset e lashta pellazge, të cilët u shpërndanë në një kohë shumë të lashtë nga një qendër e përbashkët (e cila sipas shumë studjuesëve mund të ketë qenë Lindja e Mesme, por ende e pa përcaktur përfundimisht) drejt territoreve të ndryshme, ku ata zbulonin terrene të përshtatëshme banimi. Gjuha e të gjithë këtyre fiseve, përfshirë dhe ato ilirë, ka qenë një gjuhë e vetme, e përbashkët, ajo pellazge. Pikërisht këtu gjendet pika e lidhjes, vazhdimësia gjuhësore pellazgo – iliro – shqipe. Pikërisht këtu e gjen shpjegimin edhe ajo “lidhje (korkodancë) leksikore e shqipes me gjuhët e tjera, që përmend Çabej “lidhjet leksikale të shqipes me gjuhët balte, kelte, gjermanike dhe sllave nga njera anë, dhe konkordancat me greqishten dhe armenishten nga ana tjetër ”14, sepse të gjitha këto gjuhë kanë dalë nga një rrënjë e përbashkët, nga trungu pellazgjik. A mund të quhet si një “ anashkalim apo mohim” i Çabejit ndërmarrja e studimeve të mëtejshme për prejardhjen e shqipes?Unë mendoj se jo. Si shkenncëtar Çabeji nuk ia lejonte vetes të dilte në përfundime pa fakte konkrete shencore. Dhe ato në atë kohë ai nuk arriti t’i gjente. A duhet gjykuar për këtë? A mos duhet gjykuar edhe Mendelejevi pse nuk arriti t’i zbulojë edhe dy – tre elemente të tjera që plotësutan tabelën e së elementeve kimike? Si mund ta gjykojmë Çabejin, kur vetë ai dëshironte dhe po përpiqej për ta shpënë deri në fund këtë çështje? “Nga këto rrethana pyetja nëse ekzistojnë mundësi të një sqarimi në të ardhmen, lidhet me mundësinë e pasurimit te materialit”15. Të njëjtim qëndrim me Çabejin mbajti edhe akademiku Shaban Demiraj. “Hulumtimi dhe shpjegimi i elementëve ‘pellasgjike’ (më saktë, para ilire), që shqipja i ka trashëguar nëpërmjet ‘nënës’ së saj, mbeten një nga detyrat e rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe”16

Ku mund të sigurohej ky material? Çabeji sheh si burime gjuhësore: toponomastikën dhe mbishkrimet e lashta. Duke punuar për një kohë të gjatë me toponimet në trojet tona por edhe përtej tyre, kemi arritur të vërejmë një dukuri gjuhësore me shumë rëndësi. Vumë re se gati të gjithë këto emërtime, janë formuar nga përngjitja e dy ose më shumë fjalëve njërrokëshe, të cilat ose janë identike ose përqasen shumë me rrënjën e fjalëve të shqipes së sotme. Këto trajta të ngurta të këtyre fjalëve tregonin se gjuha e lashtë shqipe, ka qenë një gjuhë jo vetëm njërrokëshe, por edhe gjuhë izoluese, me një mungesë të plotë të mjeteve gjuhësore si parashtesat, prapashtesat, mbaresat, nyjet..

Mbishkrimet e lashta janë dokumente të shkruar, prandaj dhe roli i tyre është vendimtar për të provuar lashtësinë e një gjuhe.

“ Nga gjuhësia pritet më një anë zbërthimi i mbishkrimeve mesapike, e në tumbat e panumërta të Trakisë në Bullgari lindore mund te dalin mbishkrime trake te reja. Toponomastika historike, po të gërmohet sistematikiasht, behet një burim që mund të çojë përpara në këte lëmë studimesh. Në krahinën qendrore të Italisë, kanë banuar etruskët, gjuha e të cilëve u ka rezistuar gjer me sot përpjekjeve të gjuhëtarëve për ta interpretuar ”.17 Mesapishtja, si i vetmi dialekt i ilirishtes që dokumentohet me mbishkrime, mbase është caktuar të luajë rolin e një çelësi për të hyrë sadopak në errësirën e shkallës antike të shqipes. Ndërsjelltas edhe shqipja mund të bëhet një ditë çelësi kryesor në zbërthimin e mbishkrimeve mesapike.” 18

Në shumë vende të kulturuara të botës janë marrë në ruajtje shumë mbishkrime të lashta. Interneti krijon mundësi të plota për t’u njohur me këto mbishkrime në distancë. Për deshifrimin e tyre janë angazhuar shumë studjues shqiptarë dhe të huaj. Edhe unë për shumë vite me radhë jam përpjekur për të hyrë në misterin e këtyre mbishkrimeve të lashta. Shkrimi i tyre i pandërprerë, pa ndarje midis fjalëve, me fillim nga ana e djathtë, përbënin një vështirësi gati të pakalueshme. Fatmirësisht, nga që gjuhën shqipe e kam gjuhën e nënës, arrita të futem në kuptimin e këtyre mbishkrimeve. U pëpoqa në fillim të dalloja qartë alfabetin me të cilin ishin bërë këto mbishkrime. Krahasova shkronjat e këtyre mbishkrimeve me shkronjat e alfabetit të gjuhës sonë. Arrita të bëj një lloj njësimi të tyre, të bëj kështu transkriptimin. Në fillim vura re se tek këto mbishkrime kishte rreshtime shkronjash që ishin identike ose përqaseshin me rrënjën e fjalëve të shqipes. Gjeta aty po ato trajta fjalësh të ngurtësuara që kisha dalluar në analizën e shumë toponimeve etj. Ky qe çelësi suksesit. Arrita të deshifroj mbishkrime të ndyshme të gjetura në shume vende dhe të periudhave të ndryshme, duke shkuar deri në shek VII – VI p.e.s.19 Nisur nga fakti që këto mbishkrime ishin gjetur në ato territore ku historikisht kanë banuar pellazgët, si dhe faktin që të gjitha këto mbishkrime bëhen të kuptueshme vetëm me anën e gjuhës shqipe, s’kish dyshim se ato i përkisnin gjuhës pellazge. Mbishkrimet më me vlerë për njohjen e gjuhës pellazge ose të shqipes së lashtë, janë mbishkrimet që ruhen në Itali, mbishkrimet e ashtuquajtura etruske. Janë me shumë vlerë, pasi kanë tekste me disa qindra fjalë dhe përgjithësisht janë të dëmtuara fare pak. Tekstet e tyre, me shumë fjalë, japin mundësinë jo vetëm të njohjes së trajtave të shumë fjalëve, por për të njohur edhe strukturën gramatikore të saj. Në territorin shqiptar gjenden fare pak nga këto mbishkrime pellazge. Edhe ato që janë, kanë tekste fare të shkurtra dhe për pasojë ndihmojnë pak. Por edhe në trojet shqiptare gjenden mbishkrime me numër të knsiderueshëm fjalësh, por ato u takojnë një periudhe më të vonë, të shek. III – II p.e.s.dhe më pas.dhe nuk janë shkruar me alfabetin pellazg. Ato janë shkruar me alfabetin e greqishtes së vjetër, disa edhe me atë të latinishtes. Kjo ka ndodhur për disa arsye. Aty, rreth shek VI – V p.e.s.(jam i pasigurt për kohën e saktë) është formuar gjuha e vjetër greke. Kjo gjuhë mori alfabetin pellazg, por duke i bërë atij disa përmirësime grafike shkronjave të tij. Duke përdorur këtë afhabet të ri, greqishtja e vjetër filloi të mos përdorë më shkrimin e pandërprerë, por filloi të shkruajë me ndarje midis fjalëve si dhe ta fillonte shkrimin nga ana e majtë. Kjo bëri që shkrimi pellazgjik të mënjanohej deri sa më vonë të mos përdorej më fare. E njëjta gjë ndodhi edhe me shkrimin etrusk, por kjo ndodhi disa shekuj më vonë se në territoret greke. Me formimin e alfabetit latin, edhe ai me shkronjat pellazge të përmirësuara nga ana grafike, duke ndërruar edhe drejtimin e shkrimit, duke bërë ndarjen e fjalëve, arriti ta mënjanojë edhe ai alfabetin etrusk (pellazg) duke e shtyrë në harresë. Në territoret shqiptare, ku nuk u arrit të formohej ndonjë alfabet mbi bazën e atij pellazg si në territorin grek dhe atë Italian, për nevoja të ndyshme njerëzit kanë përdor në shkrim alfabetin e këtyre dy gjuhëve. Mund të shtrohet pyetja, pse të mos jetë përhapur në masë më të madhe edhe në trojet shqiptare shkrimi pellazg? Shkrimi gjithmonë nuk ka qenë pronë e të gjithëve. Veçanërisht në lashtësi ai zotërohej nga një masë e kufizuar njerëzish, nga banorët e qyteteve, e qendrave të kulturuara. Qendrat e kulturës në trojet shqiptare si Durrësi, Butrinti, Apollonia etj u ndërtuan mjaft vonë, atëhere kur kishte marrë përhapje të gjerë alfabeti i greqishtes së vjetër dhe i latinishtes.

Duke qenë se këto mbishkrime që kemi deshifruar u takojnë periudhave të ndyshme nga shek VII – VI p.e.s. deri në disa shekuj të erës sonë, na është dhënë mundësis të ndjekim zhvillimin, evolucionin e gjuhës shqipe, që nga ato periudha të herëshme deri tek shqipja e sotme.Të gjitha këto na kanë shpënë në përfundimin se kemi një vazhdimësi gjuhësore pellazgo – iliro –shqipe.

Referencat
E. ÇABEJ “ Hyrje në Historinë e Gjuhës Shqipe ” (2,3,4,5,8,10,11,12,13,14, 15, 17,18.).
16 ) Sh.Demiraj “ Gjuha shqipe dhe historia e saj”
(1, 7) M.Zeqo. Letërkëmbimi me Brikena Çabejin. Qershor 2017
9 ) Herodoti “Autorët e Antikitetit” botim shqip. I,57.1
6 ) R.Memushaj “Hyrje në Gjuhësi “
19) M. Abazaj “Pellazgët kanë folur dhe shkruar shqip”
Sigal