Pse beteja për Tiranën është më e rëndësishmja në këto 3 dekada?

263
Sigal

Tirana ka pasur gjithmonë peshën më të rëndësishme në zgjedhjet politike në vend, jo vetëm për shkak të numrit të madh të deputetëve, por edhe për faktin se përfaqëson inteligjencën, lokomotivën kulturore dhe ekonomike të vendit. Me ndryshimet e fundit të miratuara sot në KQZ, Tirana si qark do të ketë një rritje të pahasur më parë për sfidën e ardhshme elektorale, plot 36 deputetë. Më shumë se 30 përqind të Parlamentit.

Po përtej numrave dhe peshës në ekonomi, çfarë e bën këtë përballje më të rëndësishmen e këtyre 30 viteve, është modeli që përfaqëson sot Tirana.

Në Tiranë gjendet e shtrirë tejendanë rilindja me gjithë tiparet e veta më të mbrapshta. Gjen në kryeqytet, mashtrimin, sundimin, arrogancën, abuzimin, korrupsionin, koncensionet, propagadën, dhe gjithë shartimin e pabukur të socialistëve.

Rilindja ka sendërtuar në Tiranë mashtrimin me ndërtimet dhe betonizimin, për të cilat premtoi as më pak e as më shumë, se nuk do të ketë. Ka vendosur në Tiranë rilindja sundimin dhe arrogancën, dhe kjo u pa me shembjen në errësirë të Teatrit Kombëtar me forca speciale, dhe me dhunimin e aktivistëve që ishin kundër. Sundim me gaz lotsjellës lëshuar ndaj protestuesve dhe banorëve të Astirit. Korrupsioni është simbol i qytetit, pasi këtu janë aferat dhe interesat më të mëdha të oligarkëve dhe koncensionet qindra milionë euroshe. Shtabin qendror, propaganda irrituese që tenton të prodhojë një realitet që nuk ekziston, e ka në Tiranë. Shtrembërimi i rregullave, abuzimi, dhe ndërtimi i karrierës me njohje personale, me nepotizëm dhe servilizëm, ka ndodhur pikërisht në Tiranë, ku Partia Socialiste është shndërruar në rilindjen e Veliajt, Spiropalit & Co, të cilët janë edhe drejtuesit politikë të Qarkut në këto zgjedhje.

Ky model fyes e fodull, ky stil qeverisës me gjoba e ndëshkime për njerëzit dhe me ndarje favoresh me miqtë, është alternativa në fuqi.

Ndaj, më shumë se sa për ngarkesën matematikore që ka, Tirana duhet fituar nga Opozita pikërisht për çka aktualisht përfaqëson.

Nëse PD dhe aleatët, nuk do të jenë në gjendje të ofrojnë një shans tjetër, një mundësi tjetër, një model tjetër, do të jetë e pakuptimtë edhe fitimi i zgjedhjeve në gjithë vendin, pa një ngadhënjim demonstrativ në kryeqytet.

Sepse në Tiranë duhet dhënë një leksion për politikën dhe për ditët që do vijnë. Do të ishte fatale për vendin, sikur kjo mënyrë, këta tipa, këta arrivistë e përfitues të pafre që rrenën e kanë krenari dhe e trajtojnë qytetin si pronë personale, që buxhetin e shohin si kutinë e tyre të kursimit, që Sahatin e shekullor e trajtojnë si orë dore, që mediat i shohin si zyra vartësie, të mos marrin ndëshkimin e merituar me votë.