Prova të reja për një karrierë të paligjshme dhe favorizimet e Ina Ramës kur ishte kryeprokurore. Ja si “kapërceu” prokurori në Vetting nga anëtarja e KPA

128
Sigal

Disa fakte dhe rrethana të reja e vizatojnë ish kryeprokuroren Ina Rama si një dado e Ols Dados, noterit që u katapultua prokuror në mënyrë të paligjshme. Vetëm 10 muaj pasi e propozoi prokuror në Pogradec, Ina Rama e solli Ols Dadon prokuror pranë saj në Tiranë, gjithnjë në shkelje flagrante të ligjit. Në një kohë kur Ina Rama ishte anëtare e Komisionit të Posaçëm të Apelimit, Ols Dado kaloi Vetingun pa u ndierë, edhe pse nuk justifikonte plotësisht pasuritë e deklaruara me të ardhura të ligjshme, kishte gënjyer me formularin e dekriminalizimit duke deklaruar se ishte trajnuar si filozof në Athinë si dhe nuk kishte deklaruar një kontratë pallati në 2016.

Dokumente dhe veprime, emërimi i paligjshëm

Në 4 nëntor 2008, zonja Ina Rama, në atë kohë në funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm, në shkelje flagrante të ligjit, i propozon Bamir Topit, asokohe President, emërimin e Ols Dados prokuror në Progradec.

Propozimin e saj, zonja Rama e mbështet në nenin 149 pika 3 të Kushtetutës dhe në nenin 8, pika 2, germa ‘b’ të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë (i pa ndryshuar deri ditën e firmosjes së këtij propozimi). Mbështetur në të njëjtën bazë ligjore, Presidenti Bamir Topi, në 17 nëntor 2008, miraton propozimin e Ina Ramës, duke dekretuar emërimin e Ols Dados prokuror në Pogradec.

Neni 17 i ligjit, përpos të tjerave, parashikonte që mund të emërohet prokuror shtetasi që ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës. Neni 18 parashikon që mund të emërohet prokuror edhe personi që nuk e ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës, por që ka punuar jo më pak se tre vjet pedagog në Shkollën e Magjistraturës, në Fakultetin Juridik, këshilltar ligjor, drejtues ose specialist në strukturat juridiko-profesionale në Kuvend, Presidencë, qeveri, Gjykatën e Lartë, Ministrinë e Drejtësisë, Avokatin e Popullit, deputet me arsim juridik dhe oficer i policisë gjyqësore.

Ols Dado nuk plotësonte as kriteret e parashikuar në nenin 17 dhe as në nenin 18 të ligjit nr. 8737 datë 12. 02. 2001 për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë. Dado kishte vetëm arsimin juridik dhe nuk kishte punuar 3 vite në një nga funksionet e parashikuara nga neni 18 i ligjit. Dado është emëruar në kundërshtim flagrant me ligjin në funksionin e prokurorit.

Ina Rama e sjell nga Pogradeci në Tiranë

Dhjetë muaj pas emërimit si prokuror në Pogradec, në skenë shfaqet sërisht Ina Rama. Në shtator të vitit 2009, Ina Rama, asokohe kryeprokurore, e transferon Ols Dadon nga Pogradeci në Tiranë.

Ina Rama, duke shfrytëzyar funksionin e kryeprokurores dhe kompetencat, zhvendos Ols Dadon nga Pogradeci në Tiranë, në bashkëpunim me Bamir Topin, asokohe President.

U diplomua me pesa, jep mësim si pedagog

Krahas vijimit të karrierës në drejtësi, gjithnjë në shkelje të ligjit, Ols Dado shfaqet si ekspert në Shkollën e Magjistraturës, që në vitin 2019, aty ku formohen prokurorët dhe gjyqtarët e rinj.

Me mesataren e arsimit të lartë, Ols Dado nuk do të pranohej as si student në Shkollën e Magjistraturës, ndërkohë që u jep mësim studentëve. Dado u diplomua si jurist në vitin 1995 me rezultate të dobëta. Notën më të lartë e ka në fiskulturë.

U emërua në SPAK para vendimit të KLP

Ols Dado deklaron se është paguar si prokuror i komanduar në SPAK që në 1 janar të vitit 2023, me kërkesë të kreut të SPAK-ut, Altin Dumani.

Teksa Ols Dado kishte vijuar punë në SPAK, KLP mblidhet në 6 mars të vitit 2023 dhe miraton përfundimin e afatit të komandimit të Ols Dadod në Prokurorinë e Përgjithshme, me qëllim për t’i hapur rrugë komandimit të tij në SPAK, pas kërkesës së kreut të SPAK Altin Dumani dhe miratimit të kryeprokurorit Olsian Çela.

Olsian Çela, Altin Dumani dhe Ols Dado kanë anashkaluar KLP si një organ mbi SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Një burim pranë KLP tha se edhe në rastin e dhënies së opinionit pro nga KLP është shkeluar ligji, pasi nuk është kryer verifikimi i ligjshmërisë së mandatit të Ols Dados si prokuror si dhe janë injoruar disa informacione sekrete rreth figurës së tij.

Mashtron me formularin e dekriminalizimit

Ols Dado dyshohet se ka gënjyer në formularin e dekriminalizimin teksa deklaron se në vitin 1993 ka shkuar në Athinë për të ndjekur një kurs tremujor për filozofi.

Në çfarë gjuhe paskërka qenë ky kurs filozofie, shqip apo greqisht? Nëse ka qenë në greqish, a dinte greqisht Dado në vitin 1993, madje greqishte të avancuar për të kuptuar konceptet filozofike? Po ndonjë certifikatë apo dokument tjetër ka Ols Dado për të provuar deklarimin e tij?/Prapaskena