Ndarja nga jeta e Fuat Boçit/ Presidenti Meta: Dhimbje për humbjen e këtij artisti të madh

298

Sigal

Presidenti, Ilir Meta u ka shprehur ngushellimet familjes dhe te afermeve te aktorit te madh te humorit Fuat Boçi, qe u nda sot nga jeta.

“Me mbi 600 role në skenë, Fuat Boci u bë proverbial dhe shumë i dashur për publikun veçanërisht me monologun tek skeçi “Doni më për Belulin?”, si dhe falë intepretimeve mjeshtërore për të cilat meritoi respektin dhe duartrokitjet e shumë gjeneratave”- shkruan Meta, duke e shoqeruar shenimin e tij pikerisht me rolin e tij ne monologun “Doni me per Belulin”.

Mesazhi i Metës

Me hidhërim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të aktorit të spikatur të humorit shqiptar, njërit prej artistëve më të dashur të Fierit, Fuat Boci, i cili do të mbahet mend përherë për rolet gazmore, skeçet dhe paroditë, nëpërmjet të cilave stigmatizoi me mençuri e talent të rrallë plagët sociale të shoqërisë shqiptare.
Me mbi 600 role në skenë, Fuat Boci u bë proverbial dhe shumë i dashur për publikun veçanërisht me monologun tek skeçi “Doni më për Belulin?”, si dhe falë intepretimeve mjeshtërore për të cilat meritoi respektin dhe duartrokitjet e shumë gjeneratave.
Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë, veçanërisht qytetarëve të Fierit e të mbarë trevës së Myzeqesë që aq shumë e donte!