Protestat në Himarë/ Greqia kërcënon me veto, Ministria e Jashtme thërret për sqarim ambasadorin grek

512
Sigal

Ne vijim të interesimit të medias mbi deklaratën e fundit të MPJ greke për Himarën, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Glevin Dervishi shprehet se tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave, nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme.

“Është rasti të themi se habia pason habinë kur bëhet fjalë për qëndrimet e MPJ greke. Tonet kërcënuese të deklaratës dhe njohja e cekët e situatës dhe rrethanave, nuk mund të mirëkuptohen në Europën e sotme, përveçse si një mesazh i destinuar për konsum të brendshëm.

Shqipëria nuk bën dallime në respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës.

Procedurat ligjore të ndjekura nga Bashkia Himarë, që kanë në fokus shndërrimin e qytetit të Himarës në një destinacion turistik evropian, janë transparente dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Deklaratat e përsëritura të MPJ greke dhe gjuha anakronike për Himarën janë të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës. Parime të cilat orientojnë veprimtarinë e institucioneve të shtetit shqiptar.

Bazuar në sa më sipër e në pajtim me praktikat diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme ka thirrur për sqarime Ambasadoren e Greqisë në Tiranë, duke shprehur qëndrimin e mësipërm”, tha Dervishi.