Protesta në Tiranë / Avokati i Popullit: Kemi monitoruar gjithçka, Policia e Shtetit të vetëpërmbahet

432
Sigal

Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me protestën e mbajtur ditën e sotme në Tiranë, ku përmes një komunikate publike, deklaron se ekipet e institucionit që ai përfaqëson në terren kanë monitoruar gjithçka, për ta referuar më pas me paanësi.

Në njoftim i kërkohet Policisë së Shtetit të vetëpërmbahet dhe të garantojë të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Gjithashtu maturi u kërkohet dhe qytetarëve pjesëmarrës në protesta.

Reagimi i plotë i Avokatit të Popullit: Institucioni i Avokatit të Popullit po ndjek me shqetësim ngjarjet e ditës së djeshme dhe sotme ku janë shënuar përplasje midis një numri të madh qytetarësh që protestojnë për vrasjen e të riut Klodian Rasha dhe forcave të rendit.

Ekipe të Avokatit të Popullit kanë qënë dhe ndodhen në terren për të inspektuar nga afër gjithçka që po ndodh e për ta referuar atë më pas me paanësi.

Në këtë situatë, institucioni kushtetues i Avokatit të Popullit, bën thirrje për vetëpërmbajtje, maturi nga ana e qytarëve por sidomos nga ana e Policisë së Shtetit të garantohet e drejta e qytetarëve pēr të protestuar.

Indinjata e qytetarëve për vrasjen e të riut 25 vjeçar është e përligjur megjithatë, brutaliteti, por dhe shkatërrimi nuk duhet të lejohen pa marrë parasysh se nga cila anë vjen.

Avokati i Popullit bën thirrje për qetësi dhe të gjenden rrugët alternative në mënyrë që të mënjanohet konfliktet.

I urojmë shërim të shpejtë policëve të plagosur në krye të detyrës dhe bëjmë thirrje për të shmangur ekspozimin dhe pjesëmarrjen e fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj situatave të rrezikshme.

Gjithashtu, Institucioni i Avokatit të Popullit u bën thirrje autoriteteve të tjera vendase dhe ndërkombëtare që të ndërhyjnë sa më parë për qetësimin e situatës.