Pronat në Himarë: Deputeti i merr kompetencat Kadastrës. Zbardhet letra: Për legalizimet kaloni nga zyra ime !

144
Sigal

Fushata elektorale për zgjedhjet lokale po dhuron spektakël me paradokset që socialistët janë duke i normalizuar në shkelje të plotë të Kodit Zgjedhor, vetëm e vetëm që të maksimizojnë votat për kandidatët e tyre më 14 Maj.

Teksa në Tiranë shembullin për t’u ndjekur nga të vetët e dha vetë Kryeministri, duke lajmëruar rritje pagash në sektorin shtetëror dhe bonusin 5 mijë lekë të reja për pensionistët, 45 ditë para zgjedhjeve, në Vlorë e ndjek me bindje në shkelje të ligjit zgjedhor deputeti Vullnet Sinaj.

Në një rast të pazakontë, Sinaj lajmëron me letër banorët e fshatit Kudhës në Himarë nëpërmjet kryeplakut Agron Velço se nëse duan të legalizojnë shtëpitë e tyre, duhet t’i dorëzojnë aplikimet pranë zyrës së deputetit të PS-së.

Ligjet në fuqi për legalizimin e pasurive të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë e kërkojnë që aplikimet të bëhen, në këtë rast për fshatin Kudhës pranë zyrës së Kadastrës në bashkinë e Himarës, por Sinaj duket se ka vendosur t’i marrë vetë përsipër “kompetencat”.

Përmes një lajmërimi me shkrim dore të kryetarit të fshatit bëhet e ditur se zyra e deputetit socialist është e hapur dy ditë të javës, ndërsa për banorët, që nuk ndodhen në fshat aplikimet do të bëhen në një fazë tjetër.Kujtojmë se legalizimi i pronave ka qenë gangrenë prej dekadash në Shqipëri dhe Edi Rama premtoi se do ta mbyllte këtë proces brenda mandatit të parë qeverisë 2013-2017, por edhe pas 6 vitesh shumë pasuri ende nuk janë legalizuar, duke u përdorur si oferta elektorale në këmbim të votave.

Lajmërimi për banorët e Kudhësit:

Të gjithë banorët e fshatit që duan të legalizojnë shtëpitë e banimit të paraqiten pranë zyrës së deputetit të Partisë Socialiste në Himarë z.Vullnet Sinaj për të bërë aplikimet.

Ju njoftojmë se zyra është e hapur çdo ditë të hënë dhe të premte.

Për banorët që nuk ndodhen këtu aplikimet do të bëhen në një fazë të dytë.

Për sqarime të tjera kontaktoni në numrin e telefonit 0685038868.

Kryesia e fshatit Kudhës

Kryetari Agron Velço