Shefja e Misionit të Vëzhguesve Audrey Glover vijon takimet në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Kësaj radhe, Glover është ndalur në një takim me sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Damian Gjiknurin.
Takimi u zhvillua në selinë e Partisë Socialiste dhe padyshim që fokusi kryesor ishte gara elektorale. Ka qenë vetë Gjiknuri, i cili pas takimit që zgjati rreth një orë, zbardhi për gazetarët diskutimet me Glover. Gjiknuri tha se kanë folur se si po zhvillohet fushata, për financimet e partive, si edhe për listat zgjedhore. Ai tha se deri më tani nga konstatimi i OSBE-ODHIR nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar pasi fushata ka qenë e qetë.”Ata nuk japin mesazhe, por dëgjojnë pikëpamjet e të gjitha partive politike për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Nuk paraqitën ndonjë shqetësim. Konstatimi i tyre duket se nuk ka ndonjë shqetësim. Fushata ka qenë e qetë, nuk ka pasur probleme. Kishim pyetje në lidhje me listën e zgjedhësve. Gjëra teknike, administrative dhe nuk vënë në pikëpyetje mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri,”- tha Gjiknuri. Gjiknuri komentoi dhe vrasjen në Shëngjin, për të cilën tha se vrasja nuk ka qenë e motivuar politikisht dhe se fushata elektorale ka qenë e qetë.
“Nuk e di që këto vrasje të jenë të motivuara politikisht, por nuk i bën ata as viktimën dhe as porositësit e vrasjes të lidhur me politikën, do të ishte spekulim që t’i vinte etiketime politike këtyre ngjarjeve kriminale,”- tha Gjiknuri
Po ashtu Gjiknuri u shpreh se nuk i intereson fare takimi i Berishës me Glover.
“Nuk, nuk më intereson. Ata janë këtu për të biseduar me të gjitha palët që garojnë. Berisha dhe Meta garojnë bashkë, martesë e re me personazhe të vjetra”- tha ai.
Koalicionin mes Berishës dhe Metës e quajti martesë e re mes personazheve të vjetër.
“Berisha dhe Meta garojnë së bashku, martesa e tyre është e re, por me personazhe të vjetra. Ata duhet të krenohen me emrin e Ilir Metës, nuk kanë pse mërziten. Tani nëse nuk të pëlqen partneri me të cilin u martove politikisht, këtë nuk e them dot,”- tha Gjiknuri.
Shefja e Misionit të Vëzhguesve të ODIHR në Shqipëri, Audrey Glover ka bërë disa takime politike në ditët e fundit në vend. Fillimisht Glover është takuar me kreun e PD-së Sali Berisha.