Prokuroria: Zgjedhjet në Dibër u blenë, por nuk i dënojmë dot

320
Sigal

Pasi e solloratën 3 vjet rresht, SPAK-u mbyll me shpejtësi ‘Dosjen 184’, që përmban autopërgjimet e blerjes dhe vjedhjes së votave në zgjedhjet bashkiake të Peshkopisë në 2016, pasi ‘Rilindja’ dhe një pjesë e ambasadorëve në Tiranë, po bëjnë gjithçka që ky skandal të mbyllet në sirtar, edhe pse çështja e manipulimit të zgjedhjeve la jashtë për herë të tretë Shqipërinë nga Bashkimi Europian

Prokuroria: Zgjedhjet në Dibër u blenë, por u dogjën afatet

Zgjedhjet e Dibrës mbyllen me shpejtësi nga ana e SPAK, kjo konsiston më shumë në një zgjidhje të çështjes si detyrim ndaj “Rilindjes”, pasi ‘rilindja’ dhe një pjesë e ambasadorëve po bëjnë gjithçka që të mbyllin sa më shpejtë çështjen e dosjes së Dibrës, duke qenë se kjo çështje është dhe një kusht absolut i vendosur  nga 15 kriteret e Bundestagut gjerman, por edhe  BE-së, si një nga pikat që nuk do të lejohet integrimi i vendit pa u dhënë zgjidhje, pikërisht çështjes së ‘dosjes 184’ dhe shumë të tjerave. Nga ana tjetër, ambasadorët po nxitojnë që të kërkojnë zgjidhjen e kësaj çështje duke u grumbulluar kohët e fundit, siç e kemi parë  edhe gjoja me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe duke vendosur emra dhe figura në kundërshtim të plotë me ligjin, për t’i dhënë hapësirën dhe një lloj certifikate  Edi Ramës dhe “Rilindjes” për hapjen e negociatave meqenëse afati është deri në fund të dhjetorit.

Dështimi i hetimeve dhe djegia e afateve për dërgimin e njërës prej dosjeve më të bujshme për vjedhjen e zgjedhjeve i atribuohet kryesisht ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda që mbajti për gati tre vjet “në sirtarë” dosjen.

Prokuroria e Dibrës njoftoi se hetimet kishin “provuar tërësisht” blerjen e votave në Dibër në zgjedhjet e pjeshme të vitit 2016, por për shkak të kohës së kaluar, krimi është parashkruar. Në gjykatë u dërguan vetëm 4 zyrtarë lokalë të akuzuar për kërcënim të zgjedhësve dhe shpërdorim detyre.

Prokuroria e Dibrës njoftoi të premten se hetimet e saj për të ashtuquajtur “Dosja 184”, kishin “provuar tërësisht” blerjen e votave në Dibër në zgjedhjet e pjeshme të vitit 2016, por për shkak të kohës që kishte kaluar, krimi ishte parashkruar dhe dosja për 11 të akuzuarit nuk mund të dërgohej në gjyq.

“Pavarësisht se nga hetimi është provuar tërësisht fakti i konsumimit të veprës penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve”, kryer në bashkëpunim…, ndjekja penale nuk mund të vazhdojë për personat nën hetim dhe nuk mund të fillojë për personat me statusin e të kallëzuarit, pasi kundërvajtja penale e parashikuar nga neni 328/1 i Kodit Penal, (në fuqi në vitin 2016), është parashkruar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Të akuzuarit, që sipas prokurorisë u provua se kishin kryer këtë vepër penale në mënyrë të organizuar, janë: Korab Lala, (i njohur ndryshe edhe si Imer Lala), Robert Aga, Afrim Mikli, Drini Gjeci, Arben Keshi, Hasan Hoti, Bekim Krashi, Nuri Meda, Fatbardh Lala, Ylli Mikli, Dik Spata.

Kryebashkiaku aktual i Dibrës, Dionis Imeraj, i cili përmendet nga prokuroria vetëm në listën e të hetuarve, mohoi akuzat. “Nuk e kam pranuar asnjëherë”, tha ai për akuzën, ndërsa tha që ishte thirrur nga prokuroria vetëm për t’iu njoftuar pushimi i çështjes. “Drejtësia e verifikon vetë atë pjesë”, tha Imeraj.

Prokuroria tha se do të dërgonte për gjykim ish-Shefin e Komisariatit të Dibrës Robert Aga, për “shpërdorim detyre”, dhe tre ish-zyrtarë të tjerë lokalë, Drini Gjeçi, ish-drejtor i Drejtorisë Arsimore, Hasan Hoti, ish-Administrator i Lurës dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohen për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre.

Ish-drejtori i Drejtorisë Arsimore Drini Gjeci, i cili shkon në gjykatë për kanosje të zgjedhësve dhe shpërdorim detyre, tha se nuk kishte koment. Ndërkohë të tjerë të akuzuar dhe të hetuar nuk qe e mundur të arriheshin, para publikimit të shkrimit.

Dështimi i hetimeve dhe djegia e afateve për dërgimin e njërës prej dosjeve më të bujshme për vjedhjen e zgjedhjeve i atribuohet kryesisht ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda që mbajti për gati tre vjet “në sirtarë” dosjen, për të cilën më pas shpalli moskompetencën duke ia dërguar Prokurorisë së Dibrës. Ping-pongu me dosjen vijoi edhe pas kësaj, pasi prokuroria e Dibrës refuzoi fillimisht ta pranonte, duke cituar mungesë stafi dhe njohje e lidhje me të pandehurit.

Në qëndrimin e saj, Prokuroria e Dibrës thotë se kishte kaluar periudha 3 vjeçare nga fillimi i hetimeve dhe se kundravajtja penale, që në këtë rast është blerja e votës dhe dhënia e premtimeve, ishte parashkruar.

‘Dosja 184’ sëbashku me dosjen tjetër me ‘nr.339’, që i përket hetimeve të një organizate kriminale në Durrës, të përfshirë po ashtu, sipas prokurorisë, në blerje votash dhe shantazh zgjedhësish, u bënë shkak për bojkotin e parlamentit dhe më pas edhe të zgjedhjeve lokale nga opozita, duke futur vendin në një nga krizat më të thella politike.

Përgjatë tre viteve, dosja ndërroi disa duar prokurorësh dhe Krimet e Rënda u përballën me kritika publike për zvarritje hetimesh për shkak ‘të zyrtarëve të lartë të shtetit të kapur në përgjime’. Një pjesë e këtyre përgjimeve që iu publikuan në tabloidin gjerman ‘BILD’, përfshinë kryeministrin Edi Rama, deputetin e Partisë Socialiste dhe ish-ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri dhe ish-deputetin, tani kryebashkiakun e Lezhës Pjerin Ndreu dhe ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Por ndërsa për zyrtarët lokalë ka vendime për dërgim të dosjes në gjyq, për bashkëbiseduesit e tyre nuk duket se ka pasoja, pavarëisht se në biseda del që i kanë inkurajuar dhe përshëndetur veprimet.

Më i qartë ndër to është rasti i ish-drejtorit të Drejtorisë Arsimore, i cili akuzohet për “Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, edhe pse një nga telefonatat e përgjuara dhe publikuara tregon se të paktën në një rast ai kishte marrë porositë nga tani kryebashkiaku i Lezhës Pjerin Ndreu, për t’i thënë një drejtori shkolle të shpallte publikisht votën për Partinë Socialiste. “Deklaro votën hapur atje, që e kë për PS-në, ndryshe ditën e hënë tregoja ku fluturon”, dëgjohet Ndreu në bisedë. Ndreu u mbrojt duke pretenduar se i kërcënuari rrezikonte vetëm vendin si kryetar i Partisë Socialiste, edhe pse mesazhi po i përcillej përmes shefit të tij në zyrën arsimore.

Zgjedhjet e vitit 2016 në Dibër u fituan nga Partia Socialiste dhe koalicioni i saj i atëhershëm me PDIU (më pas një fraksion i kësaj partie që iu bashkangjit socialistëve), me rezultat më të thellë se zgjedhjet e mëparshme, ndërsa demokratët  u ankuan për presione dhe blerje të votës. Mënyra se si rrodhën ngjarjet prodhuan një qeverisje lokale me probleme, ndërsa anëtarët e koalicionit fitues u rrahën me njëri-tjetrin në zyrat e bashkisë në përplasjet  për të ndarë vendet e punës.

Tre vjet pas regjistrimit, ‘dosja 184’ po shkon drejt Dibrës pa asnjë akuzë të ngritur

 

Si u sorollat dosja  më e përfolur nga transferimi në Dibër  e deri kur “ngec” tek përgjimet

Hetimi i ‘dosjes 184’ të nisur nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda për një rreth zyrtarësh të Partisë Socialiste të dyshuar për krime zgjedhore në Dibër, vazhdon të mbetet në vendnumëro, ndërkohë që fashikujt shkojnë dhe vijnë nga Tirana në Dibër që prej korrikut të 2019-ës.

Më 22 janar, Prokuroria e Dibrës e rikualifikoi veprën penale të kryer në kuadër të “grupit të strukturuar kriminal” dhe e dërgoi dosjen në drejtim të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Por SPAK, i ngritur për të luftuar korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar nuk e pranoi atë, duke e kthyer sërish drejt Dibrës vetëm 5 ditë më vonë.

Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja  tha se procedimi i nisur për manipulimin e votave në Dibër nuk ishte kompetencë e tyre.

“Nga shtatori deri në janar nuk është kryer asnjë veprim hetimor nga prokuroria e Dibrës. Është kualifikuar si ‘grup i strukturuar kriminal’ pa pasur asnjë element të ri,” tha Kraja për ‘BIRN’, duke kujtuar se zgjidhja e kompetencës ishte bërë më parë nga ish-kryeprokurorja Arta Marku.

“Asnjë prej personave të shënuar në procedim si të dyshuar, nuk janë subjekte që hetohen nga SPAK,” shtoi Kraja.

Prokuroria e Dibrës nuk komentoi arsyet se pse dosja ishte dërguar drejt SPAK-ut. Koordinatorja për mediat, Violeta Shahini tha se dosja kishte mbërritur nga Tirana, por nuk është regjistruar ende.

Në gusht të vitit 2019, përmes një njoftimi për mediet, Prokuroria e Përgjithshme sqaroi vendimin e ish-kreut të saj, Arta Marku për të përcaktuar Prokurorinë e Dibrës dhe jo atë të Krimeve të Rënda si kompetente për hetimin e ‘dosjes 184’.

Arsyeja kryesore lidhej me vendimin e prokurorit Klodian Braho për të ndryshuar kualifikimin e veprës penale nga “grupi i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”; që sipas Prokurorisë së Përgjithshme përcaktoi edhe juridiksionin e dosjes jashtë Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Vendimi për ndryshimin e veprës penale u mor më 12 korrik; gati tre vjet pas regjistrimit të procedimit penal 184/2016 të regjistruar pas kallëzimit të Partisë Demokratike të datës 1 shtator 2016.

Më 15 korrik 2019 dosja u nis drejt Dibrës me dy kategori personash në hetim; ku të parët akuzohen për “dhënie të shpërblimeve dhe premtimeve”, si dhe “kanosjes apo dhunimit ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, të kryera në bashkëpunim, ndërsa të dytët për “shpërdorim detyre”.

Prokuroria e Dibrës refuzoi disa ditë më vonë të marrë në dorëzim dosjen, duke pretenduar se prokurorët ishin në konflikt interesi me çështjen dhe se nuk kishin mjaftueshëm staf për ta përballuar atë. Ata kërkuan ndërhyrjen e ish-kryeprokurores Marku për ta kthyer çështjen te Krimet e Rënda, por pretendimet e tyre u konsideruan të pabazuara.

Një seri përgjimesh nga e ashtuquajtura “Dosja e Dibrës” u publikuan në qershor 2019 nga tabloidi gjerman ‘BILD’, duke ekspozuar një nivel të ri të asaj që është denoncuar si abuzim masiv me pushtetin, presion i paligjshëm mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore, duke përfshirë kësaj here, edhe nivelet më të larta të qeverisë dhe Partisë Socialiste.

Përgjimet treguan angazhimin e zyrtarëve të ndryshëm të policisë së shtetit me synimin e pengimit të mbështetësve të Partisë Demokratike në opozitë për të udhëtuar nga Kamza për në Dibër për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 shtatorit 2016.

Përgjimet treguan gjithashtu se si ish-ministri Damian Gjiknuri thoshte se kishte dërguar në Dibër në dispozicion të një ish-drejtuesi policie në atë kohë të quajtur Arben Keshi, ata që Gjiknuri i quan “çuna problematikë”, për t’u përdorur në rast nevoje.

Përgjimet e publikuara përmbanin edhe një bisedë të kryeministrit Edi Rama me Arben Keshin, funksionar i PS dhe më vonë drejtues i Policisë. Në bisedën e përgjuar, Rama e pyeste Keshin nëse e kishte arritur objektivin, ndërsa Arben Keshi i përgjigjej se “ishin në pritshmëri të mëdha”.