Prokuroria kërkon riekspertim mjeko-ligjorë për Majat, avokat Cakrani: Duhen 3 mjekë, 1 mund të korruptohet

34
Sigal

I ftuar në një emision avokati Kujtim Cakrani. Për gazetaren Rovena Neziri, avokati foli për vendimin e Prokurorisë së Tiranës që e cilëson dhunën ndaj Jashar dhe Bilbil Majës si palgosje e lehtë.

2 muaj më parë dy pjestarët e familjes Maja u dhunuan me sende të forta nga pjesëtarë të fisit Rraja në një lokal në Fushë-Krujë.

Ndërsa sot Prokuroria ka kërkuar një riekspertim mjeko-ligjorë për dy të dhunuarit.

Kujtim Cakrani: “Kjo është nga ato ngjarje që opinioni publik u njoh me anë të një videoje që u bë virale në rrjetet sociale dhe pamë se si ishin dhunuar në mënyrë barabare dy qytetarë. Pamë që ishin gjakosur, kishin dëmtime të rënda, kishin çarje, deformime fizike. Kjo mori përmasat e një çështjeje kombëtare sepse ishte dhunë që u anashkalua nga policia. Për këtë u morën masa sepse u shkri komisariati i policisë së Lezhës, dha dorëheqjen një deputet, familjar i autorëve të ngjarjes dhe është larguar ministri i brendshëm.

Nuk e di nëse eksperti mjeko-ligjor ka shkuar është kontaktuar me personat, me viktimat, a i ka ekzaminuar ata ashtu siç duhet apo jo. Rezulton që eksperti ka dalë me një raport përfundimtar që ja ka paraqitur prokurorisë që kjo vepër penale hyn tek ato që klasifikohen si plagosje e lehtë me dashje për shkak se sipas raportit janë dëmtime që nuk kanë lënë shenja, gjurmë në jetën e qytetarëve nuk kanë dëmtime të rënda fizike”, u shpreh Cakrani.

Cakrani u ndal edhe te vendimi i sotëm i Prokurorisë, e cila kërkon riekspertim mjeko-ligjorë ndaj të dhunuarve Jashar dhe Bilbil Maja. Për avokatin kjo është një gjë e mirë, por më e mira do të ishte të kishte 3 mjekë që ta kryenin riekspertimin dhe jo 1, pasi 1 mund të korruptohet.

Kujtim Cakrani: “Prokuroria e paska parë që ky akt ekspertimi nuk përputhet me realitetin, nga ngjarja që ka ndodhur dhe dëmtimet që kanë pësuar viktimat. Kjo është gjëja e duhur që bën organi i procedurës, Prokuroria në rastin konkret. Kështu duhet të kishte vepruar më parë.

Jam dakord që Prokuroria nuk ka marrë parasysh aktin mjeko ligjor, por do doja nëse Prokuroia do caktonte 3 mjekë ligjorë të bënin akt-ekspertimin. Sepse 1 mjek mund të korruptohet, mund të lajthitë, mund të ketë presion. Kur janë 3 mjekë dalin në përfundime më të sakta se sa 1 mjek. Në raste të tilla ku ka kompleksitet, ngjarje publike si kjo duhet që Prokuroia të caktojë 3 mjekë ligjorë”, tha Cakrani.