Prokuroria fut familjen në sherr, si e “bëri” kryefamiljarin me djalë tjetër. Kalvari për llogaritë bankare

564
Prokuroria fut familjen në sherr, kryefamiljarin e “bën” me djalë tjetër! 
Qytetarit iu mohua pasaporta për 10 vjet dhe ju sekuestrua llogaria bankare. Organi i akuzës: Ishte “lapsus”!
Në “Fiks Fare” u ankua Preng Gjikolaj nga Lezha, i cili ishte akuzuar për mashtrim dhe i ishin bllokuar si prova; pasaporta dhe llogaritë bankare të tij. Teksa Gjykata e Lartë e nxjerr të pafajshëm, prokuroria nuk ia zhbllokon llogaritë dhe nuk i jep mjetin e identifikimit, pasaportën. Përveç të tjerash, Prokuroria e Lezhës i hap një konflikt familjar, duke i shtuar z. Preng edhe një fëmijë tjetër. Në vitin 2008, Gjykata e Lezhës e dënoi Preng Gjikolaj me 1 milion lekë të vjetra gjobë për akuzën e mashtrimit. Çështja më pas shkoi dhe në Apel, ku u dënua me 4 milionë lekë të vjetra. Por qytetari nuk e la me kaq, ai iu drejtua Gjykatës së Lartë dhe kjo e fundit në 2012 e shpalli të pafajshëm, duke urdhëruar mosekzekutimin e vendimit penal, pra të pagesës së gjobës. Gjatë gjykimit qytetarit iu sekuestrua pasaporta dhe iu bllokuan llogaritë bankare. “Kam shkuar disa herë në prokurori dhe gjykatë, ku kam kërkuar që të zhbllokojë llogarinë bankare, por s’kam mundur. Në bankë rezultoj debitor me shumën prej 4 milionë e ca lekësh. Nuk bëja dot asnjë veprim, pasi më sekuestroheshin paratë, qoftë dhe të punës. Kam bërë ankesë tek Avokati i Popullit dhe ky i fundit i kërkoi informacion prokurorisë së Lezhës”, u shpreh Gjikolaj. Në përgjigje të Avokatit të Popullit, prokuroria, sipas Preng Gjikolaj, përveç vendimeve të gjykatave i kishte bashkangjitur edhe materiale të tjera që i përkisnin qytetarit Florian Gjinkolaj. Dosje e cila një kopje i shkon në shtëpi edhe Prengës. “Më thonë se këtij personi i kanë sekuestruar një motor dhe kanë menduar se është djali im. Dokumenti është firmosur nga prokurori Gjergj Rudi dhe drejtuesi i prokurorisë Simon Pashuku. Këto materiale më vijnë në shtëpi dhe i shikon edhe bashkëshortja ime, e cila filloi të dyshonte se mos kam ndonjë djalë tjetër, pasi mosha e Florianit ishte afërsisht sa e djalit tim. Fillojnë debatet në shtëpi dhe deri më sot s’kam mundur t’ia shpjegoj se çfarë ka ndodhur, prandaj kam kërkuar ndihmën e “Fiks Fare”, u shpreh Preng Gjikolaj. “Fiks Fare” ka bërë publike një bisedë të vetë qytetarit me Zyrën e Përmbarimit në Lezhë dhe me prokurorinë. Në prokurori atij i thanë se është një lapsus, ndërkohë në Zyrën e Përmbarimit, qytetari rezulton të ketë një gjobë, ndaj dhe i kanë lënë të bllokuar llogarinë bankare. “Fiks Fare” iu drejtua Prokurorisë së Lezhës. Drejtuesi z. Simon Pashuku bëri me dije se “bërja” me djalë e z. Gjikolaj ka qenë gabim. Ai tha se dokumentet janë vendosur gabim. Por ky nuk është i vetmi gabim i prokurorisë. Tek urdhri i ekzekutimit të prokurorit Gjergj Rudi thuhet, se Zyra Përmbarimore Lezhë duhet t’i kthejë qytetarit pasaportën, ndërkohë që atë duhet ta kthente organi i akuzës. Dhe kjo sipas kreut të Prokurorisë Lezhë është një “lapsus”. “Fiks Fare” iu drejtua edhe Zyrës së Përmbarimit të Lezhës. Drejtoresha Liza Çuni tha se pasaporta ka 1 vit në zyrën e përmbarimit dhe nuk i është vënë në dispozicion qytetarit nga paraardhësit e saj, ndërsa për llogarinë ajo tha, se ka qenë bllokuar dhe e ka zhbllokuar vetëm pas insistimit të emisionit “Fiks Fare”. Ndërkohë që në kamerën e fshehtë që ka bërë vetë qytetari në zyrën përmbarimore i thuhet, se pasaportën e ka prokuroria duke e sorollatur. Pas insistimit të “Fiks Fare”, qytetari Preng Gjikolaj arriti më në fund të marrë pasaportën. “Ju falënderoj që më në fund pas kaq vitesh mora pasaportën dhe zgjidha sherrin në familje. Atë që s’bënë institucionet, e bëtë ju!”, përfundoi Gjikolaj.
Sigal