INTERVISTA/ Kastriot Islami: Tahiri është pjesë e kryeministrit, gjithçka është ideuar e orkestruar prej tij

529
Jakup B. GJOÇA

Tahiri është pjellë e Ramës. Gjithçka është ideuar dhe orkestruar nga Rama
Rama dinte pothuajse gjithçka për lidhjet e Tahirit me trafikantët. Sepse lidhjen e Rilindjes fillimisht, dhe më tej të shtetit me krimin dhe trafiqet e ka ideuar dhe orkestruar Rama, me synimin madhor për të marrë e mbajtur pushtetin
Prof. Dr. Kastriot Islami, si ish-bashkëpunëtor shumë i afërt me kryeministrin Rama, e njeh më mirë se kushdo tjetër, psikologjinë, metodat e veprimit të tij, ndaj në intervistën për gazetën “Telegraf” skanon, analizon fenomenin “Tahiri”, shkaqet që e sollën deri te dorëzimi i mandatit, cilat janë prapaskenat politike të marrëveshjes Tahiri – Rama. Prof. Dr. Islami thotë se Tahiri është pjellë e Ramës, gjithçka që ka bërë është ideuar dhe orkestruar nga Rama. 
– Prof. Islami si lindi fenomeni “Tahiri”?
– Nuk ka fenomen Tahiri, sepse Tahiri është pjellë e Ramës. Gjithçka ka bërë Tahiri është ideuar dhe orkestruar nga Rama. Për shkak të karakterit të tij të rrëmbyeshëm dhe pasurimit të tij marramendës, por edhe të lidhjeve me klane e grupe mafioze, por të një ambicieje të shfrenuar, Tahiri u keqpërdor në ekstrem nga Rama, natyrisht me dëshirën e tij të zjarrtë. “Masha Tahiri” ka kapur shpesh herë zjarrin i nxitur nga Rama, sepse Rama, duke futur në zjarr Tahirin, përfitonte pjesën e Luanit, pa iu djegur duart, ndërkohë, që Tahiri kënaqej me pjesën e presë, që i linte Rama, apo në disa raste edhe me kockat, që lëpinte. Sepse kënaqësinë më të madhe Tahiri e ndjente nga përkëdhelja që Rama i bënte ambicies së tij të sëmurë. Për të qenë të saktë, Tahiri, ndonëse është majmur më pak se Rama, është një nga të korruptuarit më “obezë”. Tahiri është i pari që u “kap gjallë”, të tjerëve po iu vjen radha gradualisht. Por gjithçka që del për Tahirin, apo nga Tahiri përbën shtrëngim të lakut për Ramën. Në një farë mënyre mund të thuhet se Tahiri është “laku” në qafën e Ramës, pavarësisht se Rama deri më sot e ka përdorur si tespije. 
– Mundej që Tahiri si ministër të vepronte në bashkëpunimin e tij me trafikantët pa dijeni dhe në fshehtësi të Kryeministrit Rama?
– Rama dinte pothuajse gjithçka për lidhjet e Tahirit me trafikantët. Sepse lidhjen e Rilindjes fillimisht, dhe më tej të shtetit me krimin dhe trafiqet e ka ideuar dhe orkestruar Rama, me synimin madhor për të marrë e mbajtur pushtetin, përkatësisht përmes blerjes së votave e kërcënimit të votuesve, dhe vendosjes së individëve me rekorde të tmerrshme kriminale në parlament, apo në poste kyçe të shtetit, si dhe duke u dhënë koncesione e tenderë me vlera të konsiderueshme. Tahiri vetëm ka zbatuar strategjinë e Ramës për lidhjet e shtetit me krimin dhe trafiqet. Madje, ka qenë ndër më fanatikët ekstremë të zbatimit të porosive të Ramës, dhe kjo është arsyeja që ai ndjehet i zhgënjyer aktualisht me të gjithë, përfshi kryesisht edhe Ramën. 
-Mendoni se ndërkombëtarët e kushtëzojnë problemin e bashkëpunimin të qeverisë me trafikantët e DROGËS vetëm te Kurbani i Tahirit?
– “Kurbani Tahiri” përbën fillimin e çmontimit të Ramës, dhe Rama e ka të qartë këtë gjë. Rama po përgatitet për t’u larguar i detyruar nga politika, por preferon që kjo të ndodhë butësisht. Ai shqetësohet për fatin e Tahirit, sepse, nëse Tahiri do të përfundojë në burg, ky nuk do të ishte një ogur i mirë edhe për të ardhmen e tij, për të mos thënë do të ishte një ogur i zi për jetën e tij “post-politike”. Ndërkombëtarët i kanë dërguar Ramës mesazhe të qartë, në kuptimin që ata e njohin shumë mirë situatën e korrupsionit, krimit, trafiqeve, pastrimit të parave dhe të rrënimit ekonomik duke bërë përgjegjës direkt dhe kryesisht Ramën. Ata i kanë bërë të qartë Ramës po ashtu se kërcënimet e tij ndaj SHBA apo BE, nëse nuk hapen negociatat, janë naive dhe tipike për një individ në panik që ndjen se po humbet pushtetin. Rama i ka kuptuar të gjithë mesazhet e ndërkombëtarëve, dhe, pavarësisht se në publik bën kontrapedalin, ai po përgatitet të largohet nga drejtimi i qeverisë, por përsëri preferon që kjo të ndodhë butësisht në mënyrë që të gëzojë pa telashe jetën “post-politikë”.
– Cila është domethënia e përgjigjes të djeshme të Kryeministrit Rama se “Dorēheqja e Tahirit ishte dinjitoze”?
– Nëse Rama e ka shumë të qartë se ka ardhur koha e largimit nga politika, Tahiri ndjehet shumë i frikësuar nga vetingu politik, se mos e gjithë kjo histori me të përkthehet në burgosje. Madje nuk ka besim as edhe te Rama, i cili synon të shmangë shpërthimin e Tahirit, që do të ndodhte me shumë gjasa nga frika e burgosjes. Rama duket se gjykon se burgosja e Tahirit do të komplikonte shumë edhe të ardhmen e Ramës. Në një farë mënyre, Rama po tenton ta qetësojë Tahirin, gjë e cila e nevrikos edhe më shumë Tahirin, se kjo i duket si një “ledhatim” para se ta shesë plotësisht; gjë që vjen nga mosbesimi i thellë që ndjen aktualisht ndaj Ramës dhe sidomos ndaj atyre që rrethojnë Ramën. Shprehja “dorëheqja e Tahirit” është dinjitoze, nga ana e Ramës, është “ledhatimi” i radhës që Rama i bën Tahirit për ta zbutur dhe penguar që kështu të shpërthejë. 
– Përse u desh 6 muaj që Tahiri të dorëzonte mandatin e deputetit? Pse atëherë mazhoranca votoi “Kundër” heqjes së imunitetit, sepse tha që nuk kishte prova? Dje çfarë provash të reja erdhën që ai dorëzoi mandatin?
– Gjithçka ka ndodhur që nga momenti i largimit të Tahirit nga qeveria Rama 1 dhe deri kur Tahiri dorëzoi mandatin, është “nën vëzhgim” ndërkombëtar. Asgjë nuk do të kishte lëvizur, madje Tahiri do të ishte edhe sot e kësaj dite ministër i Brendshëm, nëse do të mungonte “ndriçimi” ndërkombëtar. Edhe Rama, edhe Tahiri që nga momenti i parë e deri më sot, pas 6 muajve janë përpjekur të maskohen dhe të fitojnë kohë. Por tani, kur Rama, por edhe vetë Tahiri kanë ndjerë, se pushteti po iu tronditet, kanë bërë lëvizjen taktike të radhës. Lënia e mandatit është një taktikë, përmes së cilës Rama po tenton t’i shmanget goditjes së fuqishme ballore, sepse Rama e të gjithë bashkëpunëtorët e tij, përshi edhe Tahirin, mendojnë të lëshojnë diçka, në këtë rast Tahirin, për të shpëtuar të madhen, pushtetin. Kjo bëhet edhe për t’i hedhur hi syve ndërkombëtarëve, që po ashtu i kanë të qarta të gjithë lëvizjet taktike të Ramës. Po ashtu, edhe lëvizjet e mëparshme, herë në formë tërheqjeje, e herë në formë përballjeje me kërkesat e ndërkombëtarëve janë veçse lëvizje taktike të Ramës. I tillë ka qenë edhe qëndrimi i porositur nga Rama për të mos votuar heqjen e imunitetit së Tahirit. 
-A kërkojnë ndërkombëtarët dorëheqjen e Kryeministrit RAMA si përgjegjësi politik i korrupsionit dhe bashkëpunimit të qeverisë me Botën e Krimit, si kusht për hapjen e negociatave?
– Mesazhet e ndërkombëtarëve janë të qarta, edhe për Ramën, edhe për opozitën. Ata nuk bëjnë ultimatume dhe janë shumë të kujdesshëm në artikulimin e mesazheve publike për të mos lënë asnjë hapësirë, që mund të interpretohej si ndërhyrje. Qëndrimet e deputetëve gjermanë dhe raportet e DASH janë mesazhe të qarta që stigmatizojnë “korrupsionin, krimin, trafiqet dhe pastrimin e parave”, si dukuri të shkaktuara nga qeverisja Rama. Hapja e negociatave është vetëm një detaj, por po të mos ishte elementi i hapjes së negociatave, mesazhi i tyre do të ishte i njëjtë. 
– A parashikoni që dorëzimi i mandatit të deputetit nga Tahiri të jetë prologu i arrestimit të tij?
– Normalisht kështu duhet të ndodhte, madje duhet të kishte ndodhur që në momentin kur u kërkua nga Prokuroria heqja e imunitetit të Tahirit. Tahiri duhet të arrestohet, qoftë edhe si përdorues droge, apo për kërcënimet, që ka lëshuar me rastin e dorëzimit të mandatit. Kjo shkaktoi një vonesë prej 6 muajsh, ose thënë ndryshe Rama “fitoi” 6 muaj kohë, duke mundësuar kështu që Tahiri të mos arrestohej. Rama do të përpiqet në varësi të kushteve që Tahiri përsëri të mos arrestohet, ose në rastin më të keq, të qëndrojë në arrest shtëpie. Arrestimi i Tahirit nuk është i përjashtuar, ai mund të ndodhë vetëm pas një mesazhi të fortë ndërkombëtar për prokurorinë dhe gjykatat. Dhe, nëse Rama do të përpiqej ta shmangte arresimin e tij, atëherë shigjetat do të drejtoheshin vetëm ndaj Ramës.
– Nëse Tahiri arrestohet, a mund të jetë akoma kryeministër Rama, qoftë edhe një ditë? 
– Nëse Tahiri arrestohet Rama është i rrëzuar. Nëse Tahiri nuk arrestohet, Ramën do ta rrëzojnë. Rama e ka të qartë këtë gjë prandaj dilema që po e mundon më shumë është, nëse duhet që Tahiri të arrestohet, apo jo. Sepse, nëse Tahiri do të arrestohej, kjo mund të shkaktonte shpërthimin e Tahirit e për rrjedhojë edhe të qeverisë e të maxhorancës, pra largimin e Ramës. Por, nëse Tahiri s’do të arrestohej, atëherë mesazhi i ndërkombëtarëve do të fokusohej vetëm e direkt te Rama. Në këtë rast, Rama do të kishte dy mundësi. Ose të largohej, duke u rreshtuar me mesazhin e ndërkombëtarëve. Ose të reagonte për t’ju shmangur pasojave të mesazhit; në këtë rast largimi i Ramës do t’iu lihej në duar qytetarëve.
Sigal